Personat që për arsye të ndryshme nuk kanë mundur të përfitojnë nga skema e detyrueshme vjetërsinë e punës që duhet për të plotësuar kushtet e daljes në pension, nëpërmjet skemës së sigurimeve vullnetare mund të bëjnë të mundur jo vetëm blerjen e viteve të mungura të punës që duhet për të përfituar një pension pleqërie, invaliditeti, apo familjar, por edhe sigurimin e të ardhurave më të larta kur të arrijnë moshën e pensionit.
Në ndryshim nga viti i shkuar, kuota mujore që çdo person duhet të shlyejë në skemën vullnetare për efekt të pensionit ka pësuar ndryshime, e kjo për shkak të vendosjes së nivelit të ri të pagës minimale në shkallë vendi. Autoritetet e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se kuota mujore e sigurimit vullnetar për vitin 2021 është 6,480 lekë, shumë kjo që i korrespondon pagës minimale mujore në shkallë vendi 30,000 lekë x 21.6 për qind.
Çdo person që paguan kontribut për sigurim vullnetar, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, është përfitues, sipas rastit, i pensionit të plotë apo të reduktuar të pleqërisë, pensionit të invaliditetit, pensionit të pjesshëm të invaliditetit, pensionin familjar, si dhe më shumë të ardhura.
Sigurimi vullnetar për efekt të pensionit mund të bëhet për vitin aktual, për periudhat e kaluara, sigurim vullnetar për më shumë të ardhura, si dhe sigurim vullnetar për degët e tjera.
Pagesa për vitin korent
Sigurim vullnetar për vitin korent mund të paguajnë të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç deri në arritjen e moshës për pension, ata që nuk mund të sigurohen në sistemin e sigurimit të detyrueshëm, personat që nuk mund të sigurohen në sistemin e të vetëpunësuarve në bujqësi, si dhe personat që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimeve shoqërore. asa e kontributit që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa. “Kuota mujore e sigurimit vullnetar për vitin 2021 është 6,480 lekë. Për pagesat paradhënie, aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje deri në 6 për qind mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit Janar), apo zbritje deri në 3 për qind mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar), si dhe zbritje në masën 1.5 për qind mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar). Por pagesat e vitit korent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore, 6,480 lekë, deri në kufi të pagës maksimale.
Blerja e periudhave të kaluara
Sigurim vullnetar për periudhat e kaluara mund të bëjnë të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe që nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sistemit të detyruar, shtetasit shqiptarë meshkuj për periudhën e studimeve universitare, pasi periudha pas univesitare është me pagesë, ata që kanë periudha të pambuluara nga sistemi i sigurimit të detyrueshëm dhe dëshirojnë t’i plotësojnë ato nëpërmjet sigurimit vullnetar, si dhe ersonat që kanë lënë shtetësinë shqiptare mund të bëjnë sigurim vullnetar për mbulimin e periudhave të kaluara nga data 01.01.1994, deri në datën që kanë lënë shtetësinë.
Masa e kontributit që duhet të paguhet për sigurim vullnetar nga personi i interesuar për mbulimin e periudhave të kaluara përcaktohet nga koha kur bëhet pagesa (aplikohet masa që është në fuqi në momentin e kryerjes së pagesës, masë e cila miratohet me VKM, për degën e pensioneve dhe që për llogaritjen e përfitimeve do t’i korrespondojë pagës minimale të vitit që po mbulohet me sigurim vullnetar). Pagesa aktuale për të mbuluar periudha të kaluara, bëhet vetëm në kuotën minimale dhe është 6,480 lekë për një muaj sigurim vullnetar. Në këto pagesa nuk aplikohen zbritje. Në rastin kur qytetari nuk e ka mbushur moshën , ai mund të blejë periudhë kontributive sa të dëshirojë.
“Një person që është në prag të mbushjes së moshës ose e ka mbushur moshën që të jetë në kushte përfitimi, minimalisht duhet të ketë 15 vjet periudhë kontributive të siguruar. Në rast se personi ka 12 vjet periudhë kontributive, ka të drejtë të plotësojë 15 vitet e nevojshme duke blerë 3 vjet sigurim nëpërmjet skemës vullnetare. Masa e kontributit që do të paguhet nga shtetasi do të jetë e barabartë me pagesën aktuale mujore për sigurim vullnetar, e cila aplikohet e tillë për gjithë periudhën tre-vjeçare. Masa kontributive që do të derdhë qytetari për këtë periudhë është 6,480 lekë për një muaj”, sqarojnë ekspertët e sigurimeve shoqërore rreth shembullit se si veprohet për blerjen e periudhave të kaluara për efekt të pensionit.
Sigurimi i pensioneve më të larta
Sigurim vullnetar për më shumë të ardhura mund të bëjnë të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent në kufijtë e pagave minimale dhe maksimale, 6,480 dhe 132.313 lekë (qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri). Personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 30,000 lekë. Mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e pagës maksimale 132.313 lekë. Punëmarrësit që sigurohen në bazë të kontratës të nënshkruar me punëdhënësin, kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht për më shumë të ardhura mbi pagën që ata marrin deri në nivelin e pagës maksimale 132.313 lekë. Po ashtu edhe çdo punëdhënës që sigurohet nën nivelin e pagës maksimale ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e kësaj page. Çdo kontribues vullnetar për vitin korent ka të drejtë të sigurohet për më shumë të ardhura.
Sigurimi vullnetar për degë të tjera
Sigurim vullnetar për degë të tjera sigurimi mund të bëjnë të vetëpunësuarit, për degë të tjera që nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshem. Ky sigurim bëhet nga të vetëpunësuarit vetëm për vitin korent. Përfitimet nga sigurimi vullnetar për degët e tjera të sigurimit mund të jenë për paaftësi të përkohëshme në punë. Periudha e përfitimit për paaftësi të përkohëshme në punë fillon në ditën e 15 të raportit mjekësor dhe zgjat jo më shumë se 6 muaj nga data e fillimit të pagesës. Pagesat e kontributeve për këto degë, bëhen sipas afateve të përcaktuara për pagesat e sigurimit të detyrueshëm (çdo tremujor), vetëm për vitin korent.
Në skemën e sigurimeve vullnetare mund të përfshihen shtetasit që:
Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk u ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar.
Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm.
Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre.
Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.
Kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 1.1.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.