MENU
klinika

Takim me pedagogët e Shkodrës

Rama: Na duhet një platformë e shkruar nga ju!

01.04.2021 - 09:08

Kryeministri Edi Rama e nisi këtë të enjte me një takim me pedagogët e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, në Shkodër. Pasi dëgjoi disa nga shqetësimet e pedagogëve, Rama iu kërkoi atyre që të paraqesin një platformë të shkruar zhvillimore me afat 10-vjeçar.

Mes të tjerash, Rama tha se në vendin tonë ka ose kamerierë, ose super-menaxherë, dhe mungon ajo pjesa e mesme, ku në fakt janë një zinxhir i tërë shërbimesh.

“Unë mendoj se dy janë korsitë ku duhet të ecim, njëra është që këto që thoni ju, duhet të përkthehen në një platformë të shkruar, të konsultuar mes jush dhe të themi që këtu duhet të shkojmë për një dekadë. Të gjitha detajet duhet të sqarohen, të jetë e konsultuar dhe e bashkërenduar me ministrinë. Ne duam që universitetit t’i japim një funksion ndryshe. Universitetet duhet të fillojnë të mendojnë për krijimin e kolegjit profesional. Ne kemi o kamarierë, o super-menaxherë, në mes ku është një zinxhir i tërë shërbimi, ne nuk kemi, flas nga pikëpamja që ta përgatisë universiteti. Ne duhet të fokusohemi tani te kjo pjesë. E fundit, por më e rëndësishmja është që të arrijmë të integrojmë universitetet tona me ato jashtë. Nëse Universiteti i Shkodrës bëhet filial i një universiteti të huaj, psh. të Sienës, ju thuhet gjithë të rinjve që në Shkodër ti shkon te universiteti “Luigj Gurakuqi”, por merr diplomën e Universitetit të Sienës. Pastaj, le të ikin jashtë, por ama t’i kenë shanset edhe këtu. Në këtë drejtim duhet të synojmë ne.

Duhet të jetë gjëja më normale që Rektori flet me ministrin, jo me të tjerë. Na thoni cfarë nuk shkon nga ne, dhe e rregullojmë. Por, ju duhet të uleni dhe të bëni një platformë zhvillimi 10-vjeçare. Të mos jemi pre e inercisë, por t’i shohim nevojat imediate ku do të shkojmë pas 10 vitesh. Ju e kuptoni edhe vetë se duhen çarë shtigjet, duhet vetëm një projekt i shkruar. Ndryshe hyjmë në një cikël vicioz inercie, ku njëra palë kërkon në mënyrë kaotike, një këtu e një atje, dhe pala tjetër thotë jo këtu e jo atje.

Një nga mangësitë më të mëdha që kemi sot është mungesa e redaktorëve. Ne sis shtet nuk arrijmë dot që të kemi shkresa, që të tjerët të mos qeshin me ne. Pata kërkuar, në Kryeministri kemi redaktor të gjuhës, nuk firmos shkresë me gabim. Është skandal që shteti vetë, gjuhën e vet zyrtare, nuk e shkruan saktë në dokumente zyrtare. Mund t’i vësh redaktorë tanë gjithë sistemin, por ku t’i gjejmë. U bë ky vend që u bëmë mësues ata që nuk dinë as shkrim, as këndim. Mësuesi është figurë, nuk është një punëtor. Në këtë drejtim janë bërë goxha përmirësime”, u shpreh kryeministri Rama.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Washington Post për Maqedoninë e Veriut

“Vota e shqiptarëve, kyçe për presidentin e ri”