MENU
klinika

ANALIZË EKONOMIKE

Ne taksapaguesit dhe shteti

03.04.2021 - 11:48

Dr (c). Igli Tola,

Pedagog, Fakulteti i Ekonomisë UT

Shteti ekziston falë taksave/tatimeve që secili prej nesh paguan dhe jo anasjelltas. E jo pak po çdo vit një qytetar shqiptar i paguan shtetit 250.000 lekë (diçka më shumë se 2000 euro). Me gjasë për çdo të ardhur të krijuar shteti na mban një apo disa taksa/tatime njëkohësisht.

Teksa shumica e tatimeve që na mbahen janë indirekt, në formën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, apo Akcizave (si dhe të TVSH-së së mbajtur mbi akcizat), rrjedhimisht, pjesa dërrmuese e popullsisë është e pandërgjegjshme për barrën që paguan. Në çdo litër naftë që e paguajmë mesatarisht 150 lekë, 100 lekë nga këto ia paguajmë shtetit, si akcizë dhe taksa, ndërsa as 50 lekë nuk është vlera e vërtetë e produktit. E njëjta gjë, kur blejmë ushqime ose gjëra të tjera utilitare, paguajmë 20% TVSH për çdo para të konsumuar.

Në nivel makro në shtet derdhim afro 500 Miliardë lekë (më saktësisht ndër vite mesatarisht niveli i të ardhurave të grumbulluara ka qenë 480-490 Mld lekë). Këto miliarda në arkën e buxhetit vijnë nga burime të ndryshme: TVSH siguron ‘pjesën e luanit’, më shumë se 1/3 e të ardhurave totale, përtej 153 Miliardëve. Akciza nga ana tjetër mbledh 50 Miliardë, ndërsa taksat e tjera në nivel nacional dhe vendor afërsisht edhe 65 Miliardë të tjera.

Akoma më shumë te pagat. Që një person të marrë një rrogë mujore neto te 53.000 lekë, shteti i merr përmes Tatimit mbi të Ardhurat Personale dhe Kontributeve jo pak, më shumë se 327.000 lekë çdo vit. Me pak fjalë, shteti na mban 6 rroga në vit për të përballuar një pjesë të shpenzimeve publike. Edhe pse mesatarisht çdo punonjës jep 6 rroga për shtetin, në fund në atë ‘trastën’ e madhe publike si nga TAP-i dhe Sigurimet që paguajnë 440.000 punonjës në rang kombëtar mblidhen respektivisht vetëm 42 dhe 99 Miliardë lekë.

. . .

Ndaj, në rast se çdonjëri nga ne do të ishte i ndërgjegjshëm sesa shumë kontribuon për ‘mbajtjen në këmbë’ të shtetit; se paguan kaq shumë tatime, taksa, sigurime, apo tarifa të fryra nuk do ti luteshim politikanit të radhës që të na rregullojë rrugën para shtëpisë, apo të sigurojë furnizim me ujë a energji elektrike. Gjasat janë që një taksapagues i ndërgjegjshëm për sa paguan nuk do t’ia përtonte ‘ta kapte për fyti’ (kërkonte llogari) politikanit apo qeveritarit kur mungon shkolla/çerdhja në zonën që banon, trafikun që i merr orë të tëra çdo ditë etj.

Thomas Pikkety, ndër eminencat e spikatura në ekonomi e shpjegon qartësisht këtë gjë. Demokracia e vërtetë, thotë ai, lindi bashkë me vendosjen e tatimit mbi të ardhurat personale në fillim të shekullit të njëzetë në disa nga vendet më të zhvilluara të botës si SHBA e Francë. Argumenti i tij është se kur qytetarët në këto vende filluan për herë të parë të vetëdeklarojnë të ardhurat e tyre te autoritetet dhe të paguajnë tatim; menjëherë u bënë të ndërgjegjshëm se ata janë blerësit e shërbimeve publike dhe si blerës kanë “pronësinë” mbi qeverisjen e vendit; kanë të drejtë të kërkojnë llogari se si përdoren taksat e tyre.

. . .

Atë që Pikkety artikulon mund ta konkretizojmë shumë mirë me situatën parazgjedhore në Shqipëri. Atë që vendet perëndimore e kuptuan në shekullin XX ne së paku ta aplikojmë tani:

Mos të gënjehemi me 50 as me 500 euro për ta shitur votën, hiçgjë në raport me miliona lekë që do të paguajmë si taksa/tatime në 4 vite. Pak euro në këmbim të delegimit të së drejtës për të (keq)administruar miliarda lek të buxhetit të shtetit.

Mos të heshtim para abuzimeve me tenderat, PPP-të, privatizimet; pasi kemi të bëjmë me shpërdorim të parave publike. Janë paratë tona, që shumë mirë mund ti kishim përdorur për konsum apo investim privat. Ne sakrifikojmë nga të mirat personale që mund të konsumonim për të kontribuar me taksa/tatime për të mira publike; e jo për ‘para xhepi’ për (keq)administratorët.

Mos të mbyllim sytë para gjyqeve që humbet shteti dhe institucionet e tij me punonjës të larguar padrejtësisht nga puna, me investitorë në arbitrazh etj. Vetëm deri në 2019 më shumë se 3,1 Miliardë lekë ishte dëmi i shkaktuar buxhetit nga vendimet e formës së prerë në dis-favor të shtetit. Këto (keq)administratorë të mbajnë përgjegjësi personale për shkeljet e realizuara e të paguajnë vetë për dëmshpërblimet; jo të na i faturojnë ne taksapaguesve.

Po të fillojmë ta mendojmë në këtë optikë raportin tonë me shtetin dhe autoritetet, e ardhmja jonë në këtë vend do të jëtë më e mirë. Duke e vënë para përgjegjësisë për mirë-administrim qeverinë, premisat janë që efiçensa dhe rentabiliteti i përdorimit të parave publike (tona) të rritet.