MENU
klinika

Serie A, Java 29

Atalanta e Napoli zbresin Juven në vendin e pestë

03.04.2021 - 16:01

Vijon forma e mirë e Atalantës, teksa ka marrë vendin e tretë pas fitores 3-2 në shtëpi me Udinesen. Bollëk golash në Napoli, vendasit fitojnë 4-3 ndaj Crotones, Roma ndalet 2-2 në transfertë me Sassuolon, përfiton Lazio me fitoren 2-1 në shtëpi kundër Spezias.

Në Bergamo, Atalanta mori avantazhin ndaj Udineses me një gol të Muriel. Kolumbiani shkundi rrjetën pas një goditje nga jashtë zone, duke befasuar portierin mik. Në 43’ është sërish Muriel që shënon, i 18-i gol këtë sezon. Megjithatë, në 45’, Udinese futet në lojë me golin e Pereyra.

Atalanta në mesin e pjesës së dytë shënon golin e tretë me Zapata. Gjithsesi, edhe njëherë tjetër miqtë nuk stepen dhe ndëshkojnë vendasit me Stryger Larsen në 71’. Gjithsesi, Atalanta ruan epërsinë në fund, me Gjimshitin që u fut në lojë në fillimin e pjesës së dytë.

Në Napoli, vendasit shënuan dy gola të shpejtë në minutat 19’ dhe 22’ me anë të Insignes dhe Osimhen. Fillimisht ishte kapiteni që shkundi rrjetën pas një kombinimi me Di Lorenzon.

Te goli i dytë ishte protagonist sërish Insigne, i cili kombinoi me Fabian Ruiz dhe më pas dhuroi një asist perfekt për Osimhen. Nigeriani shënoi me portën e boshatisur duke çuar shifrat në 2-0.

Sidoqoftë, brenda 3 minutave Crotone shkurtoi diferencën me anë të Simy. Dries Mertens ka shënuar një supergol në minutën e 34’. Belgu shënoi pas një goditje dënimi të ekzekutuar në mënyrë perfekte.

Crotone ka barazuar shifrat nga 3-1 në 3-3 në pjesën e dytë. Fillimisht ishte sulmuesi Simy që shkurtoi diferencën në 48’, me nigerianin që gjeti golin e dytë personal. Në 59’, Maksimovic bëri një gafë dhe Mesias përfitoi duke ndëshkuar. Por Di Lorenzo në 72’ shënon golin e katërt për vendasit dhe Napoli fiton 4-3..

Roma ka kaluar dy herë në avantazh në transfertë ndaj Sassuolos, por është barazuar në të dy raste. Pellegrini shënoi në pjesën e parë për verdhekuqtë, barazoi Traore në 57’. Peres riktheu avantazhin në 69’, por Raspadori barazoi sërish në 85’ Ndeshja u mbyll 2-2.

Nga ndalesa e Romës përfiton Lazio, që fitoi 2-1 në shtëpi ndaj Spezias dhe merr vendin e gjashtë. Të tre golat u shënuan në pjesën e dytë. Lazzari në 56’ shënoi për 1-0, barazoi Verde në 73’, ndërsa Caicedo në 89’ i dha fitoren ekipit bardhekaltër, teksa ekzekutoi penalltinë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN