Shqipëria tregon edhe njëherë forcën në peshëngritje. Evagjeli Veli ka arritur që të fitojë medalje bronzi në stilin e shkëputjes në Europianin e Rusisë. Shtangistja kuqezi, e cila garoi në kategorinë e peshave 55 kg, arriti të ngrejë 89 kg, duke zënë vendin e tretë.
Në shtytje Veli u rendit e teta me 105 kg, duke e mbyllur dygarëshin në vend të pestë me 194 kg gjithsej. Me rezultatet e regjistruara në Moskë, Veli shënoi edhe tre rekorde të reja kombëtare.
Kujtojmë që rreth 2 muaj më parë Evangjeli Veli kishte njoftuar largimin nga kombëtarja, pas disa mosmarrëveshjeve me federatën, por palët gjetën gjuhën e përbashkët, duke i sjellë Shqipërisë medaljen e radhës në peshëngritje.
Në ditët në vijim radhën për të garuar në Europian e kanë Briken Calja, Erkand Qerimaj, Daniel Godelli dhe Krenar Shoraj, të cilët pritet t’i sjellin të tjera medalje Shqipërisë.