MENU
klinika

Nga pallati 2 milionë euro, te trafiqet e drogës

Kush është “Kumbari” i Shkodrës që u ekzekutua?

05.04.2021 - 08:11

Qyteti i Shkodrës u trondit sërish nga plumbat mbrëmjen e djeshme, teksa u ekzekutua në një atentat 46-vjeçari Bardhok Pllanaj, i njohur si “Kumbari”.
“I forti” i Shkodrës u qëllua për vdekje teksa udhëtonte me mjetin e tij në fshatin Dobraç i Ri.

Burimet thanë se autorët dyshohen se e kanë ndjekur Pllanajn përreth 150 metra, e më pas e kanë qëlluar.

Ndërkohë, në afërsi të vendit të krimit është gjetur edhe një makinë e djegur, e cila dyshohet se u përket autorëve.

Brenda makinës është gjetur një armë tip “Kallashnikov”, por është ende e paqartë nëse është ajo arma me të cilën është kryer krimi. Po ashtu, raportohet se makina e djegur ishte me targa italiane.

Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrjet dhe dalët e qytetit, me qëllim kapjen e autorëve. Policia ka dalë me njoftimin zyrtar në lidhje me vrasjen e Bardhok Pllanajt, ku thuhet se 46-vjeçari është ekzekutuar duke udhëtuar me makinë. Sipas Policisë, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë rrethuar zonën dhe po punojnë për kapjen e autorëve.

“Më datë 04.04.2021, rreth orës 21:10, në fshatin Dobraç i Ri, Njësia Administrative Rrethina, Shkodër, duke udhëtuar me automjet është vrarë me armë zjarri shtetasi B. P. rreth 46 vjeç banues në Shkoj i Ri. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli.

Në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar dhe grupe të FNSHsë Shkodër. Veprimet po kryhen me grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

VIKTIMA

Bardhok Pllanaj është personi i cili u ekzekutua këtë të diel në qytetin e Shkodrës. Ai njihej me nofkën “Kumbari” dhe është dënuar me burgim në mungesë në 2014-ën nga Gjykata e Rrethit Shkodër për tri vepra penale: “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”.

Asokohe Gjykata e Rrethit të Shkodrës vendosi të sekuestrojë një pallat 10- katësh në pronësi të tij, që kapte vlerën e 2 milionë eurove.

Gjithashtu, Bardhok Pllanaj ishte i skeduar nga policia si një person që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike. Po ashtu, në operacionin e quajtur “Laguna e Vilunit” të zhvilluar më datë 30 shtator 2014, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit, shërbimet e Policisë kufitare dhe ato të “Guardia di Finanza” panë të hidheshin nga një mjet lundrues në det çanta të zeza në përmasa të mëdha.

Pasi u nxorën nga deti, rezultoi se brenda thasëve kishte drogë me peshë 210 kg. Të nesërmen e asaj date, në vendin e quajtur Grykëderdhja e Bunës në Velipojë, forcat e Policisë kufitare gjetën të hedhura në det edhe 15 çanta të tjera me peshë 594 kg.

Hetimet provuan se sasia e lëndës narkotike ishte ngarkuar në skaf në Velipojë për t’u dërguar në Itali, te pritësit e saj, njëri prej të cilëve u identifikua asokohe si shtetas italian.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN