MENU
klinika

Rrugëtimi i Vjosa Osmanit

Nga personi më i votuar në histori, në presidenten e dytë grua

05.04.2021 - 08:40

Për herë të dytë në historinë e vendit, Kosova zgjedh një grua në krye të shtetit. Vjosa Osmani-Sadriu u zgjodh të dielën si presidente e Kosovës, pasi siguroi mbështetjen e 71 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Vjosa Osmani, mori pozitën e kreut të shtetit duke qenë personi më I votuar në historinë e vendit me më shumë se 300 000 vota në zgjedhjet e 14 Shkurtit, ndërkohë që më parë ajo ka shërbyer si kryetare e Kuvendit, post i cili për herë të parë iu besua një gruaje.

Dikur aktiviste e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më pas nënkryetare dhe deputete e saj në tri legjislatura, Vjosa Osmani ka shërbyer si kryetare e Komisionit për punë të jashtme, diasporë dhe investime strategjike dhe kryetare e Komisionit për integrime evropiane.

Nga gushti i vitit 2006 deri në shtator të vitit 2010, Osmani ka shërbyer si këshilltare e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Në vitin 2008, ajo ishte pjesë ekipit ligjor që ka mbrojtur shpalljen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, Osmani ishte kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-Së, zgjedhje ku ajo siguroi 176 mijë vota, duke dalë e dyta më e votuar në Kosovë, pas Albin Kurtit. Pas rrëzimit të qeverisë Kurti nisën dhe përplasjet mes Vjosa Osmanit dhe drejtuesve të  LDK, të cilët çuan në shkarkimin e saj nga të gjitha pozitat drejtuese në këtë parti.

Pas kësaj, nisi një periudhë afrimi mes Vjosa Osmanit dhe ish-kryeministrit, Albin Kurti, që rezultoi me përfshirjen e Osmanit në listën për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, me një listë të saj të veçantë, nga të cilën rezultuan të zgjedhur 7 deputetë.

Vjosa Osmani ka lindur më 17 maj të vitit 1982 në Mitrovicë dhe është diplomuar për drejtësi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Studimet e nivelit master dhe të doktoraturës për drejtësi, Osmani i ka kryer në Universitetin e Pitsburgut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

E martua dhe nënë e dy vajzave, Vjosa Osmani synon të frymëzoje një brez të ri tash dhe vajzash për fuqinë që ato kanë dhe ndryshimin që mund të sjellin.