MENU
klinika

Shkruar nga Parashqevi Qiriazi

Origjina e panjohur e ‘Himnit të alfabetit’

10.04.2021 - 09:36

Muzika ka fuqi për të kthyer bindje dhe parime në emocione dhe veprime. Ajo është si një “linjë transporti” që përcjell bindjet e kokës në rrugën e gjatë nga mendja për te zemra. Për këtë arsye, kombet kanë himne, ushtritë kanë banda, kishat kanë kore dhe xhamitë kanë myezinë.

Rrallë mund të shikohet një film (qoftë artistik apo edhe dokumentar) që nuk përcillet me muzikë, sepse regjisorët dëshirojnë që shikuesit të ndiejnë emocione: qoftë frikë, gëzim, dhimbje, adrenalinë, mall, humor etj.

Himni kombëtar i Shqipërisë, ose “Himni i flamurit”, u shkrua nga Asdreni më 1908, si poezi, dhe thuhet se u këndua për të parën herë nga kori i kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Më vonë, himni erdhi në trojet shqiptare dhe, pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ai u njoh si himni kombëtar. Është shkruar në disa punime mbi “Himnin e flamurit”, se nuk njihet asnjë tjetër himn kombëtar në botë, i cili i është kushtuar flamurit ; por njihet fare mirë se edhe himni kombëtar i Amerikës i kushtohet flamurit të saj, me titull: “The Star Spangled Banner” (Flamuri që shndrit me yje). Në këtë aspekt, himnet kombëtare të Shqipërisë dhe të Amerikës i ngjasojnë njëri-tjetrit, por ka edhe një tjetër ngjasim: muzika e tyre është marrë prej një vendi të huaj. Për himnin kombëtar shqiptar është përdorur muzika e kompozitorit rumun Ciprian Porumbescu; kurse për himnin kombëtar amerikan është përdorur muzika e kompozitorit anglez/britanik John Stafford Smith. Pra, muzika nuk duhet doemos të jetë autoktone, që të shfrytëzohet si himn kombëtar. Për çudi, së paku tri herë janë bërë përpjekje o konkurse në Shqipëri për ndryshimin e himnit kombëtar (1922, 1937 dhe 1945), pikërisht sepse u mendua se ndikimi i huaj në himnin ekzistues ishte një “cen”, por këto përpjekje dështuan.2

Muzika nuk njeh kufi. Më 1909, një himn tjetër filloi të këndohej anembanë Shqipërisë, me vlerën e një himni kombëtar: “Himni i alfabetit”, shkruar nga Parashqevi Qiriazi. Të dyja himnet, “Himni i flamurit” dhe “Himni i alfabetit” përcjellin temat e bashkimit dhe vetëmbrojtjes, por ka ndryshime midis tyre në imazhet e përzgjedhura, si edhe në strategjinë e vetëmbrojtjes. I pari, shkruar nga një burrë, bën thirrje për bashkimin e shqiptarëve rreth flamurit, me armë në dorë; ( P.sh., te: Tole, Vasil, “Edhe një herë rreth himnit tonë kombëtar”, te: http://www.vasiltole.com/ Albanian/NationAnthem-AL.html#_ftn5)  kurse i dyti, shkruar nga një grua, bën thirrje për bashkimin e shqiptarëve rreth alfabetit, me penë në dorë. Të dyja himnet kanë luajtur, dhe luajnë ende, një rol të rëndësishëm simbolik në përgatitjen e popullit shqiptar për t’u bërë ballë sulmeve ushtarake dhe politike, si edhe për rrënjosjen e ndjenjave patriotike. “Himni i alfabetit” u shkrua menjëherë pas Kongresit të Parë të Manastirit, në të cilin mori pjesë Parashqevi Qiriazi si krahu i djathtë i vëllait të saj Gjergj Qiriazi dhe, nga ana zyrtare, si sekretarja e Komitetit të Alfabetit. Ky kongres nderohet sot si një ndër kuvendet më të rëndësishme në gjithë historinë politike dhe kulturore të kombit shqiptar, jo vetëm për bashkimin e alfabetit, por edhe si një hap madhështor drejt bashkimit kombëtar dhe politik.

Parashqevia e njihte shumë mirë lodhjen, mundimin dhe vështirësitë që u tejkaluan për të arritur vendimin e famshëm. Ndër frytet e papritura kulturore që dolën pas Kongresit, spikat “Himni i alfabetit”. Ai i ka qëndruar kohës, dhe sot është një ndër këngët më të njohura në llojin e himneve patriotike shqiptare.  Anasjellas, mund të themi se “Himni i alfabetit” ka luajtur një rol të fuqishëm në përforcimin e suksesit popullor të Kongresit të Parë të Manastirit. Pra, vendimi i Kongresit e lindi himnin, dhe himni e mbështeti vendimin e Kongresit. Ky punim synon të zbulojë origjinën e panjohur (deri tani) të muzikës së himnit, si edhe të hedhë dritë mbi kontekstin e shkrimit të tekstit nga Parashqevi Qiriazi, një rilindëse dhe pioniere e arsimit të gruas shqiptare, e cila është dekoruar më vonë: me “Urdhrin e Lirisë” (1958); me medaljen “Për veprimtari patriotike” (1962); me titullin “Mësues i Popullit” (më 1987); dhe me urdhrin “Nderi i Kombit” (më 2017).

Është një fakt mjaft interesant që alfabeti shqip nuk ishte njësuar deri në fillim të shekullit XX. Vetëm në Shkodër përdoreshin së paku tri alfabete.

Nuk është qëllimi i këtij punimi të rithuhet çka është thënë në dhjetëra libra e qindra artikuj për nevojën e ngutshme të njësimit të alfabetit, jo vetëm si çështje praktike e kulturës librore, por edhe si çështje e mbijetesës kombëtare. (P.sh., te: Prifti, Kristaq, red. Historia e popullit shqiptar, vëll. II. Tiranë: Toena, 2002, f. 391–396). Njihet gjerësisht se u zgjodhën dy alfabete, si kompromis, por shumica e figurave shqiptare letrare të kohës e dinin se kjo zgjidhje ishte e përkohshme. Ndaj, zakonisht flitej në atë kohë për zgjedhjen e alfabetit (njëjës), p.sh.: “Alfabetin tonë ta mbrojmë, shpejto burrani …” [jo “Alfabetet tona”]. Disa versione të Himnit të alfabetit në internet janë: Kori “Lira” në Korçë (https://youtu.be/ZjDSqY4hvdw); Kori i shkollës “Udha e Shkronjave” në Tiranë (https://youtu. be/dMvnJ19Bj9Q); Kori i burrave të Prishtinës(https://youtu.be/iNoWGpivQKo), të gjitha të aksesuara më dt. 18 nëntor 2018. Në Shkodër përdoreshin alfabetet e shoqërisë “Agimi”, “Bashkimi” dhe alfabeti i Shkrimtarëve të Vjetër. Ishin në qarkullim në Shkodër edhe botimet e K.Kristoforidhit (botime që përhapeshin në Shkodër nëpërmjet Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vende të Huaja), pra duke paraqitur një alfabet të katërt).

Megjithatë, nuk mund të kuptohet suksesi i “Himnit të alfabetit” pa pasur parasysh kushtet aktuale të kohës, sidomos luhatjet emocionale që ndjeu populli shqiptar, së pari: hare, me shpalljen e lirisë së Hyrietit dhe me suksesin e Kongresit të Manastirit; e pastaj: zhgënjim, me ndryshimin e qëndrimit të xhonturqve kundrejt shqiptarëve pas Kongresit. Duhet të kihet parasysh, gjithashtu, se Kongresi i Alfabetit u zhvillua në një kontekst kaotik që përfshinte: rënien e Perandorisë Osmane, ngritjen e nacionalizmit, përpjekje për zgjerime territoriale në Ballkan dhe pozicionimin strategjik të Fuqive të Mëdha për interesat e tyre në Ballkan. Të gjitha këto ishin si një lojë shahu politike, që e çoi botën në prag të Luftës së Parë Botërore (pas së cilës do të rishkruhej harta politike e botës). Fuqitë e Mëdha dhe fqinjët ballkanike po e shikonin kombin shqiptar gjithmonë e më shumë si pjesë e domosdoshme e strategjive të tyre madhore në ndeshjet e tyre me njëri-tjetrin, dhe fati i kombit shqiptar, i përçarë dhe i paorganizuar, ishte në fije të perit. Vështirë se mund të merrej seriozisht një projekt i shqiptarëve për vetëqeverisje (qoftë me autonomi, qoftë me pavarësi) nëse ata nuk mund të binin dakord me njëri-tjetrin për një element aq themelor sa alfabeti. Pa pasur parasysh gjithë këto faktorë, nuk mund të kuptohet një çudi e veçantë e kulturës shqiptare. Çudia është kjo: ndërsa shumë kombe kanë himne për mbrojtjen e atdheut të tyre, shqiptarët paskan një himn patriotik kushtuar mbrojtjes së alfabetit të tyre! Në vitin 2018 u përkuan tri përvjetorë me rëndësi kombëtare: 550-vjetori i vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, 140-vjetori i Lidhjes së Prizrenit dhe 110-vjetori i Kongresit të Manastirit. Mund të konstatojmë një dallim të qenësishëm midis tyre, në karakter dhe në suksesin përfundimtar. Lidhja e Lezhës dhe Lidhja e Prizrenit shquhen për bashkimin e kombit me anë të kuvendeve ku mbizotëronte nevoja e luftës së armatosur për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Ato dy lidhje e përforcuan kombin shqiptar në kohën e tyre, dhe sot, me të drejtë, ato kremtohen dhe kujtohen me një ndikim frymëzues për kombin. Megjithatë, ato dy lidhje u shpërbënë relativisht shpejt si lëvizje, pa arritur qëllimin e tyre përfundimtar. Ndryshe ishte Kongresi i Parë i Manastirit dhe alfabeti i tij që ende përdoret. Ai shquhet për një lloj tjetër arme – pena jo pushka – dhe kundër një hasmi tjetër, jo kundër armiqve fqinjë, por kundër disa të metave që ishin të rrënjosura brenda karakterit shqiptar, të meta që po paralizonin kombin, duke rrezikuar edhe asimilimin përfundimtar të tij. Ndër këto të meta ishin: naiviteti, xhelozia, letargjia, mosveprimi, prirja për t’u joshur nga të tjerët, mungesa e vizionit, përçarja etj.

Te Kongresi, këto të meta u vënë në shënjestër si armiq të vërtetë që duheshin luftuar. Gjergj Qiriazi, përgjegjësi i Shoqërisë Biblike, i cili mund të quhet edhe iniciatori kryesor i Kongresit, e njihte mirë parimin e thënë nga Jezus Krishti në Bibël: “Çdo mbretëri e përçarë në vetvete shkatërrohet dhe çdo shtëpi e përçarë në vetvete rrëzohet”.

Zgjidhja e problemit të alfabetit ishte çështja praktike që i bashkoi delegatët shqiptarë në Manastir, por problemi e alfabeteve të shqipes ishte një pasqyrim në mikrokozmos i problemeve të tjera themelore që duheshin zgjidhur. Kongresi i Parë i Manastirit synoi të dëbonte disa nga këto të meta nga mendësia shqiptare. Bashkimi i aq shumë figurave të shquara shqiptare në një vend, për një vendim aq të rëndësishëm, ishte “fillimi i mbarë” i kapitullit të ri të shkrimit të shqipes. Fryma e unitetit mbarëshqiptar u përforcua në Kongres me anë të çasteve prekëse, si fjalimi bujar i At Gjergj Fishtës dhe mënyra se si Ibrahim Efendiu e përqafoi dhe e puthi pas fjalimit.

Dihet se Kongresi nuk u mbyll me suksesin e plotë të synuar (u pranuan dy alfabete, jo vetëm një), por ai ishte një hap aq i madh në drejtimin e bashkimit, një sukses aq i papritur, saqë shkaktoi madje një reagim kundërshtar nga qeveria e xhonturqve dhe nga forcat e irredentizmit grek, siç përshkruhet nga Parashqevi Qiriazi në një relacion mbi Kongresin: “Që në Kongresin e Manastirit turqit edhe grekërit treguan planet e tyre ndaj shqiptarëvet. Bënë çmos që të merret alfabeti arab edhe grek për të shkruar gjuhën shqipe. Për të luftuar punën e vlefshme të Kongresit të Parë të Manastirit dhe për të penguar mbrothësinë e popullit shqiptar t’arsyer me gjuhën amtare, xhonturqit nisën fushatën kundër abc-së shqipe duke botuar një abetare të tyren me shkronja arabe. E zemëruar nga kjo punë e keqe e xhonturqvet kundër abc-së aty për aty shkrova himnin e alfabetit kombëtar.” Me këtë shkrim, del i qartë motivimi i Parashqevisë për shkrimin e “Himnit të alfabetit”: luftë për mbrojtjen e kombit. Ajo kishte sakrifikuar shumë për alfabetin dhe për arsimin në gjuhën shqipe, bashkë me delegatët e kongresit. Vëllai i saj, Gjerasimi, kishte dhënë jetën e tij për predikimin e Ungjillit në gjuhën amtare dhe për arsimimin e shqiptarëve në gjuhën shqipe. E tani, pas një periudhe jetëshkurtër me shpresën e lirisë dhe të autonomisë pas Shpalljes së Hyrietit, fryma e bashkimit mbarëshqiptar, të arritur me aq vështirësi në Manastir, po sulmohej sërish. Ndryshe nga luftërat e tjera, në këtë betejë mund të luftonte një grua, sidomos një grua e arsimuar. Parashqevia, e cila rrëfen se ishte “e zemëruar”, i rroku “armët” e saj të preferuara – penën dhe muzikën – dhe shkroi himnin:

  1. Sot ësht’ dita shqipëtare të përpiqemi Alfabetin ton’ të mbrojmë, shpejto burrani. Shkronjat tona jan’ të arta, këto duamë. Shqipëri, atdhe i dashur, ne s’të lemë ty të varfër. Shkronjat ton’ kanëpër të mbrojtur me gjithë shpirt shqipëtarisht.
  2. Arëmiqtë o shqipëtarë po përpiqenë Shkronjat turçe dhe gërqishte të na japinë. Le t’i mbajnë ato për vete, kemi tonatë.
  3. Ata duan shqiptarë ndarjenë tonë. Këtë punë shumë kthjellet e treguanë. Ngrihuni pra t’u tregoni se ju s’i ndroni.

Ndonëse njihen mirë rreshtat e ëmbla të himnit të alfabetit – “Shqipëri, atdhe i dashur, … Shkronjat tona jan’ të arta” – qëllimi i këngës nuk ishte për të brumosur një frymë të ëmbël atdhedashëse me idealizma. Përkundrazi, himni ishte një thirrje për luftë. Ai lexohet pak si fjalimi i një gjenerali në fushëbetejë, mu para përleshjes, për t’i motivuar ushtarët për të mos u lëshuar. Mund të vihen re elementet e luftës në himnin e saj: Antagonistët: shqiptarët kundër “armiqve” (atyre që donin t’ua impononin shqiptarëve shkronjat turke dhe greke). Fushëbeteja: alfabeti (përmendet dy herë mbrojta e alfabetit, si tokë e sulmuar). Urgjenca: “Sot është dita … shpejto burrani … Ngrihuni pra” (sepse sulmi i armiqve nuk po pritej, por kishte filluar). (Kujtimet e Parashqevi Qiriazit mbi Kongresin e Manastirit, AQSH F. 57 (Parashqevi Qiriazi), D. 1 (Veprimtare krijuese), f. 4–5. Himni u botua edhe te: Koti, Dhori. Këngëtore e re: përmban këngët e vjetra, dhe të reat (botimi VII). Korçë: Dhori Koti, 1935, f. 20–21.)

Taktika e armikut: Parashqevia synoi të demaskonte taktikat e armiqve. Sipas asaj, qëllimi i tyre përfundimtar ishte ndarja e shqiptarëve. Ajo kishte dëshirë që shqiptarët të mos e bënin syrin qorr, duke theksuar se ky qëllim i tyre po tregohej “shumë kthjellët”. Strategjia e shqiptarëve: Për t’i bërë ballë sulmit të armikut, Parashqevia nxiti shqiptarët që të mbronin alfabetin shqip, duke përdorur folje veprimi dhe ndajfolje të goditura: përpiquni, mbroni, shpejtohuni, ngrihuni, tregoni, mos i ndroni armiqtë – e t’i bëni këto shqiptarisht dhe me gjithë shpirt.

Motivimi: Parashqevia shfrytëzoi motivet e krenarisë kombëtare për t’i nxitur shqiptarët për mbrojtjen e alfabetit. Duke përdorur përemrin pronor “shkronjat tona,” ajo deshi të ushqente frymën e krenarisë për alfabetin kombëtar. Nuk ishte alfabeti i komisionit, as alfabeti i kongresit, por alfabeti i të gjithë atdhetarëve. Ndonëse alfabeti ishte i ri, ishte qenësisht shqiptar, falë unitetit të shfaqur në kongres. Ajo e thellon më tepër këtë frymë krenarie me rreshtin sarkastik: “Le t’i mbajnë ato për vete, kemi tonatë.” Pra, Parashqevia nuk deshi që shqiptarët të tregoheshin servilë dhe pasivë, si gurë shahu për kombet e tjera, sepse kështu fati i Shqipërisë do të ngelej në gjendje të mjeruar. Vini re që Parashqevia nuk kishte frikë që Shqipëria do të bëhej e varfër, por që do të mbetej e varfër (“Nuk të lëmë ty të varfër”). Teksti i Parashqevi Qiriazit ishte i fortë, por nuk do të arrinte suksesin aq të madh mbarëkombëtar sikur të ishte vetëm një thirrje nga një grua e re shqiptare, botuar në një revistë. Ndryshe nga “Himni i flamurit”, i cili u shkrua nga Asdreni si vjershë, e më vonë u përshtat për himn, Parashqevia synoi që në fillim të shkruante një himn që do të këndohej. Ajo ka shfrytëzuar fuqinë e muzikës për të përcjellë thirrjen e saj. Që në fëmijërinë e saj, Parashqevia e njihte mirë këtë fuqi. Ajo ishte rritur në gjirin e shkollave dhe kishave ungjillore protestante në Manastir, në Korçë e në Stamboll, takimet e të cilave gjithmonë përfshinin këndimin e himneve në gjuhët amtare, jo nga një kor profesionistësh, por nga gjithë nxënësit dhe besimtarët. Kudo ku shkonin misionarë ungjillorë, botonin dy libra në gjuhën amtare: Biblën dhe një libër himnesh. Vëllai më i madh i Parashqevisë, Gjerasim Qiriazi, nuk ishte vetëm predikuesi i parë protestant shqiptar i cili kishe themeluar kishën e parë ungjillore shqiptare, por ishte edhe autori dhe përkthyesi i dhjetëra himneve të krishtera. Madje, para Kongresit të Manastirit, më 1908, qenë botuar dy libra himnesh për kishat ungjillore shqiptare, i pari me 44 7 himne (më 1893), dhe i dyti me 121 himne (më 1907). Gjergj Qiriazi, Sevasti Qiriazi dhe vetë Parashqevi Qiriazi përkthenin gjithashtu himne të krishtera.

Deri tani është hamendësuar se Parashqevia e ka kompozuar vetë “Himnin e alfabetit”, ose se e ka huazuar nga një marsh francez. Por cila është origjina e vërtetë e kësaj muzike? Përgjigjja zbulohet në botën universitare amerikane, madje në disa nga kolegjet më prestigjioze. Në fillim të shek. XX, ndeshjet e futbollit amerikan midis kolegjeve rivale Yale dhe Harvard ishin shumë të forta. Para një ndeshjeje në vitin 1900, një student nga kolegji Yale, Allan M. Hirsh, krijoi një këngë frymëzuese me emrin “Boola” (Bula), për të motivuar studentët dhe tifozët e tjerë të Yale-it. Teksti i këngës thoshte guximshëm se Yale-i do të fitonte thellë dhe lojtarët e dërrmuar të Harvard-it do të qanin: “Bula bula, bula bu!”. Me të vërtetë, kolegji Yale-i e fitoi ndeshjen kundër Harvardit, 28–0! Si melodi, Hirshi e përshtati këngën e tij prej një kënge popullore me emrin “La Hoola Boola” (La Hula Bula), e kompozuar nga muzikanti afrikano-amerikan Bob Cole.  Ky muzikant spikat në historinë e teatrit të Amerikës dhe në historinë e vështirë të diskriminimit ndaj pakicave, sepse ai ka shkruar dhe ka sjellë në skenar të parën dramë muzikore, A Trip to Coontown (Një udhëtim në Kuntaun), e cila ishte shkruar, drejtuar dhe luajtur ekskluzivisht nga artistët zezakë dhe që vazhdoi në skenë prej viteve 1898–1890.  Më 1901 kënga e A.M.Hirsh-it u botua për herë të parë si partiturë nga Charles H. Loomis (New Haven, Connecticut), me titullin “Yale (March & Two-Step) Boola”.  Më 1905 kënga filloi të përdorej edhe nga Universiteti i Oklahomës, dhe përdoret ende sot nga ky universitet para ndeshjeve të tij të sportit, me titullin: “Boomer Sooner”.

Mund të pyesim se si ndodhi që një këngë për stadiume të futbollit amerikan do të gjente vend si muzika e “Himnit të alfabetit”? Midis viteve 1900–1901, këngës së A. M. Hirsh-it iu shtuan ca strofa të reja, me nëntitullin “Bright College Years” (Vitet e shndritshme të kolegjit). Këto fjalë të reja nuk ishin për sportin, po për vitet e shkollës, për krenarinë e të qenët student në Kolegjin Yale, për miqësitë që krijoheshin në kolegj, si edhe për besnikërinë që një student duhet të tregojë “ndaj Zotit, atdheut dhe Yale-it”, teksa largoheshin e niseshin për të punuar në “botën e turbullt si deti”. Sigurisht, në kohën kur Parashqevi Qiriazi e shkroi tekstin e “Himnit të alfabetit”, nuk kishte qenë ndonjëherë studente në Kolegjin Yale, por ajo, si motra e saj e madhe Sevasti, ishte diplomuar në një kolegj tjetër amerikan, një shkollë protestante për vajza në Stamboll, me emrin “Constantinople Women’s College” (Sevastia u diplomua më 1891, Parashqevia më 1904). Ky kolegj kishte drejtorë dhe profesorë nga Amerika. Ende nuk kemi zbuluar një dëshmi të drejtpërdrejtë për këtë çështje, por duhet të hamendësojmë se amerikanët që punonin në këtë kolegj e kishin sjellë këngën “Boola” të Kolegjit Yale në Stamboll për t’i frymëzuar studentet, dhe se aty Parashqevi Qiriazi duhet ta ketë dëgjuar e kënduar këngën. Kur erdhi koha që Parashqevisë i duhej një muzikë e mirë për të frymëzuar shqiptarët për t’u bashkuar dhe për të ruajtur besën e dhënë në Kongresin e Manastirit, përballë trysnisë së krijuar nga xhonturqit kundër alfabetit të ri, ajo e shfrytëzoi melodinë që ende oshtinte në kokën e saj prej vitesh, duke qenë e sigurt se kjo muzikë mund të këndohej lehtë dhe se do të kujtohej për një kohë të gjatë. Sipas Sevasti Qiriazi-Dakos, kënga u këndua në mitingun e shkronjave në Korçë në shkurt, 1910, kur u mblodhën rreth 12.000 pjesëmarrës.

Sevastia shkruan: “Pas fjalimeve, njerëzit kënduan ‘Himnin e alfabetit’, i cili ishte kompozuar posaçërisht për këtë rast prej motrës sime, Parashqevisë. Himni i rrëqethi që të gjithë dhe qysh nga ajo ditë është kthyer thuajse në himn kombëtar”.

Ky konstatimi i Sevastisë, shkruar më 1938, qëndron ende sot, 80 vjet më pas. “Himni i alfabetit” ka karakterin e një himni popullor kombëtar, sepse shpreh ndjenjën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve para Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, sepse lartëson një luftë që nuk duhet ushtruar me dhunë, por me “shkronjat tona të arta”, dhe sepse ëndërron një Shqipëri që nuk duhet të lihet e varfër. Një mesazh aq i rëndësishëm mund të përcillej me kumtesa, ligjërata dhe kuvende, por Parashqevia e dinte që mesazhi i saj do të përjetësohej me një këngë.

Në nëntor të vitit 1958 u kremtua 50-vjetori i Kongresit të Parë të Manastirit me një mbledhje solemne në Tiranë. E pranishme në këtë eveniment ishte Parashqevi Qiriazi, e cila kishte sjellë me vete Viktoria Dakon, mbesën 17-vjeçare të Kristo Dakos dhe Sevasti Qiriazi Dakos. Në një intervistë, Viktoria kujton një çast tepër emocionues të kësaj mbledhjeje. Pas dhënies së kumtesave, Nexhmije Hoxha i kërkoi “Teta Parashqevisë”, asokohe 78 vjeçe, që të këndonte “Himnin e alfabetit” para sallës, dhe “pothuajse të gjithë të pranishmit ishin me lot në sy”. Çasti ishte emocionues jo vetëm sepse Parashqevia e kishte shkruar vetë himnin rreth 50 vite më parë, as vetëm sepse ajo kishte qenë e vetmja femër që luajti një rol zyrtar në Kongresin e Manastirit, por edhe sepse Parashqevia u prezantua si “delegatja e fundit e mbetur gjallë”. Sikur Parashqevia 78-vjeçare ta kishte recituar tekstin e “Himnit të alfabetit” në mbledhjen e 1958-së, nuk do të ishte aq prekëse, por ajo e këndoi. 19 Intervistë, David Hosaflook me Viktoria Dako-Rulin, më 15 nëntor 2018. 20 Shih edhe rrëfimin e V. Dako-Rulit te: Qiriazi-Dako, Sevasti. Jeta ime: jetëshkrimi i pabotuar i “Mësueses së Popullit” Sevasti Qiriazi-Dako. Tiranë: Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestante, 2016, f. 290. Aty Viktoria. /DiasporaShqiptare/

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe