MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Pse politika e zhurmës nuk i do specialistët?!

11.04.2021 - 09:37

Duke bërë disa paralelizma të çështjeve të ideologjisë, politologu Zbignjev Bërzhinski thotë dhe ngre një pyetje shqetësuese: Deri në çfarë shkalle ana gjenetikisht shkatërruese dhe irracionale e natyrës njerëzore është e ndikueshme nga mobilizimi ideologjik? Për fat përgjigja e tij lidhet më shume me ata miliona njerëz që u vranë, sepse nuk donin të jetonin në të ashtuquajturën utopi tokësore, por edhe më shumë të tjerëve që jetuan në këto lloj utopish. Për fat të keq, është e pafundme tek ne sot mobilizimi ideologjik, për të ashtuquajturat mrekulli partiake.

Nëse në këto ditë kryefjala e lajmeve janë kryekontrollorët, në ditë të tjera kanë qenë mjekët (këta për më shumë se 1 vit e gjysmë mbajnë një peshë të pazakontë prej pandemisë së Covid-19), inxhinierët, mësuesit e kështu me rradhë. Do të mjaftonte kriza e pashembullt e largimit të këtyre punonjësve shumë të specializuar dhe të mirë-vlerësuar, që u krijua në prag të stërvitjes së përbashkët të forcave të vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere në kuadër të “Defender Europe 21”, që publiku i thjeshtë të pyeste natyrshëm: Po mirë i kujt është faji dhe sa e drejtë është i gjithë reagimi i kontrollorëve, që ende nuk ka emër?! Përgjigja është evazive. Veçse ka mjaftuar për t’i dhënë karburant politikës dhe madje atyre personazheve, që janë të lidhur me të për të devijuar protestën, por më shumë se kaq për të dezinformuar. Sipas kaheve politike, ata janë anatemuar, u është qarë halli, janë nëpërkëmbur dhe janë bërë deri heronj…për prangosjen. Futja e mekanizmave të verifikimit, që nga prokuroria e me rradhë e ka fashitur teksa presidenti i vendit Ilir Meta mezi ka dalë me një variant të dytë, kurse vetë kontrollorët, të mbetur vetëm dhe të braktisur, janë ndjerë të frikësuar, sepse megjithë mëtimin dhe ata mund të …zëvendësoheshin. Dhe, u zëvendësuan. Ose më thjeshtë të humbnin një punë aq të këndshme, të adhuruar, në një vend me aq shumë ethe pune.

Larg këtyre, rasti i mjekëve na tregoi problematika edhe më të mëdha. Anatemat për vaksinat, gati apelet publike për të mos e bërë dhe bombardimi i publikut me lajme, sipas të cilave vaksinat janë të dëmshme ka krijuar një tollovi jo të pakët në vend. Një pjesë e popullsisë që e beson stigmën ndaj vaksinave, bërë më së shumti nga opozita, është dyshuese dhe humbasin në internet dhe në kërkime pa fund të specialistëve blu që t’u thonë diçka justifikuese. Pjesa tjetër, e kuqe, më afër idesë dhe platformës së qeverisë “Shqipëria buzëqesh” të Ramës është e hapur. Dhe, në këtë rast, ato pak zëra të besueshëm, që mëtojnë të jenë krejt të pavarur si në rastin e doktor Tritan Kalos humbasin. Dhe, do të humbasin gjithmonë në kakofoninë e frikshëm të kinse ekspertëve të partive, por më shumë se kaq të tollovisë dhe mashtrimit që na fal politika.

Po pse vallë politika nuk e shfrytëzon specialistin pikërisht për mendimin e pavarur dhe veçantinë? Kjo sepse tek ne dhe njerëzit janë të ndara me fasha politike-sociale dhe nuk mund të bëjnë ndryshe. Tek e fundit karriera qoftë edhe e specialistëve në vend është e lidhur me telefonin dhe ndikimin politik të partive, ndaj një pjesë e tyre kanë kohë që janë strukur dhe në ato pak mundësi që u jepet nga media e thonë aq të ndrojtur mendimin e tyre…nën nuancimet e zakonshme. Pas pret dikush, që mund t’i çojë majtas apo djathtas.

Dhe për të mos folur për teatrin, ku zhgënjimi prej njerëzve që u kanalizuan në dy palë do të mbetet gjatë në mëndje për publikun. Vallë a e ka Shqipëria këtë mundësi, që t’i pësojë zhgënjimet si me teatrin e saj? Është shqetësim sepse kur humbet inteligjencën, kurajën dhe dinjitetin e saj, komuniteti ka humbur një zë mbështetës me vlerë para problemeve madhore.

Rama, si mjeshtër i formës, mundohet që t’u lerë pak më shumë vend por e frikshme është se ata janë të ndrojtur nga vështrimet e skifterëve të kahut tjetër që presin me ngulm se një moment mund t’u shkasë goja. Kurse te PD duket pak më ndryshe, për shkak të ethes së madhe për pushtet dhe më shumë akoma sesa duhet të jenë në gjendje të kënaqin kreun Basha, që në këto ditë të fundit, para zgjedhjeve, i falen premtimet.

Po pse vallë janë strukur specialistët, e askush nuk e do zërin e tyre të vërtetë? E thjeshtë, në skenë kanë dalë kinse, ata që mobilizimin ideologjik e kanë si veshja e ditës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Shpresa për zgjedhje të rregullta ka marrë fund"

Ben Andoni: Pandemia ka shtuar krizën ekonomike tek shqiptarët