MENU
klinika

pjesë e një eksperimenti ekonomik

Stimuli ekonomik i Joe Biden është një lojë me rrezik të lartë…

11.04.2021 - 11:36

Ai është pjesë e një eksperimenti ekonomik në tre drejtime

Kur goditi pandemia, ishte e natyrshme frika se ekonomia botërore do të përjetonte vështirësi për vite me radhë. Amerika po e sfidon një pesimizëm të tillë, shkruan The Economist.

Duke kaluar parashikimet e zymta të rritjes nga vera e kaluar, ajo po shton karburant fiskal në një kombinim tashmë ambicioz të politikave ekonomike. Projektligji stimulues prej 1.9 trilionë dollarësh i presidentit Joe Biden, e çon në gati 3 trilionë dollarë (14% të PBB-së para krizës) shumën e shpenzimeve të lidhura me pandeminë që nga dhjetori dhe në rreth 6 trilionë dollarë shumën totale të paguar që nga fillimi i krizës.

Sipas planeve aktuale, Rezerva Federale dhe Thesari gjithashtu do të derdhin rreth 2.5 miliardë dollarë në sistemin bankar këtë vit dhe normat e interesit do të qëndrojnë afër zeros. Për një dekadë pas krizës globale financiare të viteve 2007-‘09, politikëbërësit ekonomikë amerikanë ishin shumë të përmbajtur. Tani ata duket se po dalin jashtë kontrollit.

Rezultati i mundshëm është një kthim mbrapa që as çohej nëpër mend në pranverën e vitit 2020. Në janar, shitjet me pakicë në Amerikë, ishin 7.4% më të larta se një vit më parë, pasi shumica e amerikanëve morën nga qeveria çeqe me vlerë 600 dollarë, pjesë e raundit të mëparshëm të stimulit. Të mbyllur në shtëpi dhe të paaftë për të shpenzuar aq shumë sa do të shpenzonin normalisht nëpër restorante, bare dhe kinema, konsumatorët kanë grumbulluar 1.6 trilionë dollarë në kursime të tepërta gjatë vitit të kaluar.

Stimuli i Biden i jep shumicës së amerikanëve edhe 1,400 dollarë të tjerë. Në një rast të pazakontë për një vend të pasur, një pjesë e madhe e grumbullit të parave të gatshme mbahet nga familjet e varfra që ka të ngjarë ta shpenzojnë atë pasi ekonomia të rihapet plotësisht. Nëse vaksinat vazhdojnë të injektohen dhe Amerika, shmang një rast të keq me variantet e reja të virusit, shkalla e papunësisë duhet të ulet pa problem nën nivelin 5% deri në fund të vitit.

Lajmi i mirë nuk vlen vetëm për Amerikën. Sondazhet e manifakturës janë pozitive edhe në Eurozonë, e cila ka mbetur mbrapa në ritmin e vaksinimit dhe luftimin e varianteve të reja dhe po përdor më pak stimul ekonomik. Shpenzimet e Biden do të rrisin më tej kërkesën globale për mallra. Deficiti tregtar i Amerikës është tashmë rreth 50% më i madh se para pandemisë, pasi ekonomia po përthith importe.

Por pjesa tjetër e botës nuk do të përputhet me ritmin e rrezikshëm të qeverisë amerikane. Më 9 mars, OECD, parashikoi se ekonomia e Amerikës, në një rast unik midis ekonomive të mëdha, do të jetë më e madhe në fund të vitit 2022, sesa kishte parashikuar para pandemisë. Nga prilli deri në shtator, Amerika ka të ngjarë të tejkalojë edhe Kinën, e cila po shtrëngon politikën monetare dhe ka pësuar një rënie prej 9% në tregun e bursave që nga mesi i shkurtit.

Dalja nga një krizë, e cila në kulmin e saj, e uli numrin e njerëzve në punë me 15%, do të jetë një triumf për Amerikën dhe do të bëjë kontrast me rimëkëmbjen e saj të dobët pas krizës financiare. Shpenzimet e Biden do të sigurojnë lehtësim të mirëpritur për njerëzit, jeta e të cilëve është çorientuar nga pandemia – sot Amerikës ende i mungojnë 9.5 milionë vende pune. Falë parave shtesë për shumicën e prindërve, varfëria e fëmijëve, mjaft e përhapur në vend, do të ulet në mënyrë dramatike.

Megjithatë, megjithëse politikëbërësit e sotëm kanë një vend të garantuar në historinë ekonomike, ata mund të mos shihen si heronj. Kjo për shkak se Amerika po zhvillon një eksperiment ekonomik trepalësh të paparashikueshëm, që përmban nivele historike të stimulit fiskal, një qëndrim më tolerant në Rezervën Federale ndaj tejkalimeve të përkohshme të inflacionit dhe kursime të mëdha, të cilat askush nuk e di nëse konsumatorët do t’i ruajnë apo shpenzojnë. Ky eksperiment nuk ka asnjë paralele që nga Lufta e Dytë Botërore. Rreziku për Amerikën dhe botën është që ekonomia mund të mbinxehet.

Rreziqet

Është një rrezik që investitorët e kanë peshuar. Yield-et e bonove dhjetëvjeçare të Amerikës, të cilat lëvizin në drejtim të kundërt me çmimet, janë rritur me rreth 1% që nga vera e kaluar, nga parashikimet e inflacionit më të lartë dhe normave më të larta të interesit. Për shkak të rolit të madh të Amerikës në sistemin financiar global, perspektiva e saj për politikën monetare shtrihet përtej kufijve.

Në javët e fundit, Bankës Qendrore të Australisë, i është dashur të rrisë blerjet e bonove për të parandaluar rritjen e madhe të yield-eve. Banka Qendrore Europiane po vendoste nëse duhej të bënte një ndërhyrje të ngjashme. Tregjet në zhvillim me deficite të mëdha, si Brazili, ose me borxhe të mëdha në dollarë, si Argjentina, kanë arsye të frikësohen nga shtrëngimi i kushteve globale financiare pas një kthese në politikën monetare amerikane.

Rezerva Federale është e vendosur t’i mbajë normat e interesit të ulëta dhe do të vazhdojë të blejë asete derisa ekonomia të jetë më e shëndetshme. Inflacioni do të rritet në mënyrë të pashmangshme kur të ndodhë një kolaps në çmimet e mallrave në fillim të pandemisë, në krahasim me një vit më parë, por Rezerva Federale do ta injorojë këtë.

Nën regjimin e saj të ri të “shënjestrimit mesatar të inflacionit”, miratuar vitin e kaluar, ajo po kërkon të sjellë inflacionin mbi objektivin prej 2% në mënyrë që të kompensojë për mungesat e kaluara. Kjo është veçanërisht e dëshirueshme sepse, për pjesën më të madhe të dekadës së kaluar, problemi i ekonomisë botërore ka qenë inflacioni shumë i vogël, jo shumë i madh. Edhe nëse ekonomia mbinxehet, Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale, ka argumentuar se do të jetë e përkohshme. Dinamikat afatgjata të inflacionit, argumenton ai, “nuk ndryshojnë aq lehtë”.

Megjithatë, a mundet të japin triliona dollarë? Ne nuk kemi asnjë arsye pse të dyshojmë në planet afatshkurtra të Rezervës Federale, por as ajo dhe as tregjet nuk mund të parashikojnë dot rezultatin përfundimtar të eksperimentit të Amerikës. Rezervës Federale mund t’i duhet të derdhë ujë të ftohtë mbi ekonominë, duke rritur normat e interesit, për të ulur inflacionin. Kjo do të ishte e vështirë, duke pasur parasysh se sa e ka theksuar kohët e fundit detyrimin e saj për të kërkuar forcë “të gjerë dhe gjithëpërfshirëse” në tregun e punës. Normat më të larta do të dëmtonin tregjet e aseteve dhe mund të nxisin konflikte me një qeveri në borxhe gjithnjë e më të larta.

Një bast i rrezikshëm

Stimuli i zotit Biden është një lojë e rrezikshme. Nëse paguan, Amerika do të shmangë grackën e mjerueshme të inflacionit të ulët dhe normave të ulëta, ku duket se kanë ngecur Japonia dhe Europa. Bankat e tjera qendrore mund të kopjojnë objektivin e ri të Rezervës Federale. Stimuli masiv fiskal mund të bëhet përgjigjja normale e recesionit. Megjithatë, rreziku është që Amerika mund të mbetet me borxhe në rritje, një problem inflacioni dhe një bankë qendrore pa besueshmëri.

The economist do të kishte preferuar një stimul më të vogël ekonomik. Fatkeqësisht, politika e trazuar e Amerikës nuk lejon një politikëbërje të rregulluar mirë dhe demokratët pranuan gjithçka që mund të merrnin. Basti i zotit Biden është më i mirë se mosveprimi. Por askush nuk duhet të dyshojë në madhësinë e bastit të tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vendime të marra nga administrata Biden

Një fond kombëtar investimesh për të shpëtuar Amerikën!