Inter po marshon drejt titullit kampion. Zikaltrit regjistruan sot fitoren e 11-të radhazi në Serie A, teksa mposhtën në shtëpi 1-0 ekipin e Cagliarit. Është rekord kjo ecuri, pasi asnjë ekip më parë nuk kishte fituar 11 ndeshje rresht pas mbylljes së fazës së parë.
Inter vuajti jo pak në pjesën e parë. Madje ishin miqtë që në dy momente mund të kishin ndëshkuar. Pjesa e parë përfundoi pa gola, me trajnerin Conte që u duk disi nervoz.
Por tekniku italian ka festuar bashkë me futbollistët e tij në minutën e 77-të, kur Darmian realizon me portën bosh, pas një asisti magjik të Hakimit, që u shërbye shumë mirë nga Lukaku.
Më pas zikaltrit u treguan cinikë, duke mbrojtur të vetmin gol të ndeshjes. Në fund rrezikuan, por për fat topi shkoi mbi taversë. Kur mbetën edhe 8 ndeshje nga fundi, Inter mban në +11 pikë distancën nga vendi i dytë.