MENU
klinika

BIRN: Gara për Kukësin

ANALIZA: Një duel të pasurish në qarkun më të varfër

12.04.2021 - 12:49

Qarku i Kukësit nxjerr tre deputetë, ndërsa në vendet e para, dy partitë e mëdha, PS dhe PD kanë vënë secila kandidatë nga bota e biznesit. Njihuni me kandidatët dhe situatën zgjedhore në qarkun Kukës.

Afro 84 mijë banorë të qarkut Kukës kanë të drejtë vote më 25 prill, në atë që shpesh konsiderohet si gara më me pak surpriza të pritshme. Në këtë qark zgjidhen 3 deputetë dhe historikisht, PD ka marrë shumicën.

Megjithatë, Partia Socialiste ka shpallur dëshirën që të fitojë dy mandate në këtë qark, ndërsa përmbysja e rezultatit duket e vështirë, por jo e pamundur; nëse merr parasysh se avantazhi i demokratëve është ngushtuar gjatë tre zgjedhjeve parlamentare të shkuara dhe se socialistët aktualisht kontrollojnë për herë të parë të tre bashkitë e qarkut.

Qarku i Kukësit është gjithashtu zona ku gjatë viteve të fundit ka pasur ndryshime të konsiderueshme demografike, emigrim masiv apo tentativë për emigrim nga një pjesë e popullsisë.

Në zgjedhjet e 25 prillit, Partia Socialiste garon me Gerta Durakun, 37 vjeç, e bija e Shyqyri Durakut, biznesmen në fushën e naftës prej viteve ’90, e cila ka studiuar ekonomi dhe në karrierën e saj profesionale ka punuar si administratore apo anëtare bordi në disa nga bizneset e të atit. Shyqyri Duraku është gjithashtu një ish-deputet i Partisë Socialiste, i zgjedhur me balotazh në vitin 2001 në Kukës.

Gerta Duraku ka lindur në Kukës, por ka banuar në Tiranë së paku që nga viti 1999 ku jeton edhe sot. [Link CV] Ajo vetë është aksionere e një kompanie ‘pikë karburanti’ me pakicë të quajtur Drini Petrol sh.p.k, ndërsa babai i saj rezulton pronar i disa kompanive, EURODRINI – DP, Vila Duraku, ColJoy Technology, Linza Resort e të tjera.

Gerta Duraku është e para në listën e socialistëve.

Demokratët kanë vendosur gjithashtu një biznesmen në vend të parë, Flamur Hoxhën, 53 vjeç, i cili njësoj si Duraku, ka lindur në Kukës, por jeton në Tiranë.

Sipas CV-së së tij [Link], ai ka qenë anëtar i grupseksionit të Partisë Demokratike në Durrës që nga viti 1991 dhe kandidat për deputet në zonën Kamëz-Paskuqan në vitin 2017. Hoxha është pronar i kompanive KLER të prodhimit fason si dhe i kompanisë së ndërtimit FB-ART.

Fabrika e tij është e profilizuar në prodhim këmishash për eksport. Ai është larguar nga administrimi i kompanisë në vitin 2007 dhe kompania është sot është nën pronësinë 100% të Ermira Hoxhës.

Ndryshe nga dy partitë e mëdha, të cilët kanë gjetur biznesmenë të fuqishëm për t’i bërë përfaqësues të Kukësit në Kuvendin e Shqipërisë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka kandiduar të parin në listë 26 vjeçarin Erblin Bulica, [link CV], i cili ka lindur dhe banon në Kolesjan Kukës.

Në vend të dytë në listë, Partia Demokratike ka vendosur kandidatin Isuf Çelaj, i cili gjithashtu jeton në Tiranë, ndërsa ka lindur në Tropojë. Çelaj, 57 vjeç, është diplomuar për veterinari dhe për drejtësi (me korrespondencë), dhe aktualisht është i punësuar si menaxher në kompaninë Gener 2. Ai ka punuar më herët si drejtor në Ministrinë e Brendshme dhe në kompani private dhe u zgjodh deputet i PD-së në Kukës në vitin 2017. Ai dha dorëheqjen nga mandati më 2019. [Link CV]

Edhe Partia Socialiste ka vendosur në vend të dytë një banor tjetër të Tiranës. Petrit Malaj, 60 vjeç, aktor dhe profesor në Akademinë e Arteve, kërkon mandatin e dytë për Partinë Socialiste në Tropojë. [Link CV]

Në vendet e treta, të dy partitë kryesore kanë vendosur dy hasjanë, të vetmit kandidatë në këto lista që jetojnë aktualisht në qarkun Kukës. Halim Dauti, i lindur në vitin 1989, është i Partisë Socialiste. Ai nuk ka publikuar CV në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por ka shënuar se në vitin 2013 është përzënë nga Mbretëria e Bashkuar si emigrant i paligjshëm. [Link deklarata]

Edhe kandidatja Shyrete Koka e Partisë Demokratike është banuese e Hasit. Ajo punon si analiste të dhënash në OSHEE ndërsa si shumë shqiptarë të tjerë tentoi të kërkonte azil në Gjermani në vitin 2015. [Link CV]

Në zgjedhjet e vitit 2017 në Kukës morën pjesë në zgjedhje 53% e votuesve, të cilët i dhanë një fitore të pastër Partisë Demokratike me 47% të votave, ndërsa PS mori 44% dhe LSI, 7%. Partia Socialiste pësoi një rritje të fortë në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013, por kjo nuk mjaftoi për të përmbysur rezultatin.(BIRN)

 

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin