Çfarë po ndodh me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta?
Kjo është pyetja që e ngrenë të gjithë. Madje, edhe ndërkombëtarët që kanë ndenjur larg kësaj çështjeje.
Meta po i habit të gjithë me pretendimin e tij të një force ushtarake, ose dhe popullore, të cilën nuk e ka fare.
Një herë Meta na thotë se do të bëjë kryengritje.
Pastaj, ai na thotë që 26 prilli është marrja e pushtetit me dhunë çliruese.
Pastaj, na tha që ky vetë do të priste duar e duar vjedhësish të votave.
Pastaj, i kërkon takim Ramës për zbutje, dhe ky nuk ia jep.
Pastaj, ai ngre lart figurën e Sali Berishës, “si një lider me aftësi humane dhe shtetformuese”, në mënyrë që ky ta ndihmojë Metën në një kryengritje antiamerikane në Shqipëri. Pse, o Metë, e ka harruar vitin 1997 Saliu?
Pastaj, Meta godet ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, dhe thotë që atë e drejton Edi Rama.
Pastaj, pasi ia thyen hundët zv. ndihmës sekretari i Shtetit, Matthew Palmer, dhe i thotë që ambasadorja Yuri Kim ka vepruar vetëm sipas porosive që vijnë nga Uashingtoni, Meta hesht, dhe i sulet Uashingtonit dhe gjithë Perëndimit, njëlloj siç sulej Hitleri mbi shtetet që pushtonte.
Pastaj, thotë me tërbim që do të rrëzojë reformën në drejtësi, se ajo është e Ramës. Por Uashingtoni politik qesh me të, dhe Matthew Palmer flet sërish e i thotë me një farë ironie Metës: “Reforma në drejtësi në Shqipëri është tërësisht vepër e Amerikës”
Pastaj, Meta hesht, dhe turfullon së brendshmi, dhe del sërish duke thënë se do të “pushtojë Perëndimin”; kurse amerikanët qeshin dhe i thonë se Rusia është një shtet i drobitur.
Por, Meta prapë e prapë na del para shqiptare me ca fjali force të palidhura stilistikisht në gjuhën shqipe, dhe po i duket vetja se ka mbrapa një ushtri të tërë.
Mirëpo ky Meta nuk ka asnjë lloj force, veç duarëve dhe parave të vjedhura, fare forcë nuk ka, atëherë pse kërcënon Shqipërinë me ushtrim force?
Po paratë?
Ndoshta ka menduar që me paratë e tij të paguajë, për terror, individë të krimit. Por, ama, në këto ditë, edhe një arsenal armësh po i kapen krimit të organizuar. A thua të jetë rastisi kjo? Mos vjen kjo ngjarje nga hedhja në veprim e parave të Metës drejt bandave kriminale, dhe këto tani po kapen nga sistemi i sofistikuar perëndimor në Shqipëri?
Edhe nëse është kështu, që Meta po paguan krimin, prapë kjo është dobësia e tij. Krimi shqiptar nuk ka kurajë për të ushtruar terror antishtetëror, se e ka shumë frikë shtetin.
Po, pse është katandisur Ilir Meta në këtë lloj dehjeje patologjike?
Është rrjedhojë e frikës nga SPAK.
Por lodhet kot. Meta, SPAK-ut nuk i shpëton dot. Kërcënimi fëminor nuk e tremb dot politikën amerikane.
Por, a nuk e di Meta këtë?
Ç’thurrja mendore shpesh e çon në infantilizëm pushtetarin e akuzuar, dhe kjo moshë mendore prej fëmije, e katandis atë në një person qesharak, duke bërë të fortin, kur është pa fare forcë.
Prandaj, edhe shqiptarët po qeshin me Metën, gati në çdo darkë, para televizionit.