Vetëm pak ditë para se të niste sezoni i ri i “Portokallisë”, Eneda tarifa lajmëroi përmes një statusi në llogarinë e saj në Instagram se do të tërhiqej nga ky projekt, edhe pse ftesën e rikthimit e kishte pranuar me shumë dashuri. Siç rrëfeu ajo edhe në intervistat e mëpasme në media, largimi ishte për t’iu përkushtuar më shumë muzikës dhe për t’u marrë me projekte të tjera.
“Dua të merrem me gjërat që dua unë dhe me gjëra të cilat i prodhoj unë. Ka ardhur një kohë që duhet të japësh atë që merr dhe akumulon gjatë viteve. Mendoj se duhet t’i përkushtohem pak më shumë këngës dhe e kam detyrim që t’i përkushtoj këngës atë kohë të munguar që unë kam qenë midis televizionit dhe muzikës dhe gjithmonë më ka hyrë në mes televizioni.
Unë duhet të pasuroj repertorin tim me këngë, sepse ky është profesioni im dhe nuk do ta lija asnjë moment.
Meqënëse koha erdhi e tillë që nuk ka koncerte dhe aktivitete live, të cilat të marrin kohë, të marrin orë nate dhe të lodhin, prandaj është koha më e mirë për të prodhuar”,– tha Eneda në një intervistë për “Why not” pak ditë më parë.
Në fakt, edhe pse deklaroi se do t’i përkushtohej muzikës, e vërteta është që paska edhe një project të ri konkret në ekran. Ndonëse ende nuk zbulon as ekranin dhe as rolin e saj në të, në një bisedë të fundit me miqtë virtualë, këngëtarja ka pranuar se do të vijë shumë shpejt.
“A do të të shohim më në ekran se na mungon shumë?”, ishte një pyetje e përsëritur nga disa prej ndjekësve të saj dhe përgjigjja e Enedës vjen menjëherë: “Po, shumë shpejt do më shikoni sërish”.
Derisa të jetë kristalizuar gjithçka, me siguri, Eneda po vijon të prodhojë muzikë. Së shpejti, ajo do të prezantojë këngën pjesëmarrëse në “Kënga Magjike 2021”.