Ka mbi 48 orë që ftesa e Edi Ramës për Lulzim Bashën, që u bë nga një intervistë nga tuneli i “Rrugës së Arbrit”, po komentohet vetëm në takimet e PS-së, kurse nga PD nuk guxon kush ta trajtojë.
Madje edhe aty ku trajtohet, shikohet si çështje sektare, siç u pa në intervistën e Ramës me Ylli Rakipin: Pse fton Bashën e jo Ilir Metën?
Po realisht çfarë synon e përfaqëson kjo ftesë e hedhur në javën e fundit të fushatës?
Logjikisht është një manovër politike e pastër, që u hodh natyrisht për të dhënë sinjal si te selia blu, por në radhë të parë është një silurë politike për elektoratin gri.
Nga disa media pranë LSI-së, kjo ftesë është konsideruar si një sinjal për të qeverisur PS-ja me PD-në, por që realisht nuk është e tillë.
Nëse Edi Rama në 26 prill do të varej prej shifrave nga mëshira e Lulzim Bashës, politikisht një ftesë e tillë nuk do t’i bënte punë, pasi do të ishte një torturë më e keqe se “detyrim paraqitja” te zyra e Ilir Metës në vitet 2013-2017.
Rama e ka kaluar atë fazë politikisht e natyrisht nuk ka gjasa të kthehet pas.
Skenari i kundërt nuk ka lidhje me PS-në, pasi atëherë do të nisë festa e PD e LSI-së.
Por siç duket gjërat nuk janë në këtë fazë.
Rama e ka hedhur këtë ftesë në pozitat politike të liderit që mendon që do të marrë mandatin dhe i kërkon opozitës një pakt kombëtar për të lënë pas periudhën e polarizimit.
Ftesën e ka bërë përpara zgjedhjeve këtë herë, ndërsa në vitin 2017 e bëri pas tyre, ngaqë hynë në zgjedhje me një qeveri të përbashkët me Lulzim Bashën.
Ky i fundit po kërkon votat për të bërë të kundërtën e atyre që ka bërë vetë 4 vjet më parë, po kërkon votat për ta “vrarë” Edi Ramën.
Por Rama, përveç mesazhit drejtuar të gjithë votuesve të PD-së që ai mendon, për një stinë të re politike në vend, e për këtë e fton dhe rivalin e tij politik ta projektojnë e zbatojnë këtë koncept, i dërgon edhe një sinjal elektoratit gri, të paangazhuarve dhe të pavendosurve.
Ai iu bën të ditur se është i gatshëm që të bashkëpunojë me rivalin e tij, e natyrisht ky bashkëpunim ka hapësirë të gjerë, ku secila palë do të kërkojë vendin e vet dhe çdo secila palë do të japë ofertën e vet.
Edi Rama thotë se është i gatshëm ta bëjë këtë.
Përgjigja? Jo, nuk ka asnjë bashkëpunim me Edi Ramën, nuk bëj qeveri me të, thotë Lulzim Basha!
Një mesazh i qartë që i dërgohet vetëm votuesve besnik të opozitës, vetëm atyre që e konsiderojnë rrëzimin e Edi Ramës si imperative. Dakord!
Po nëse Lulzim Basha nuk do të arrijë të marrë mazhorancën absolute për të qeverisur vendin, çfarë do të bëjë?
Cila do të jetë përgjigja e tij, a është përgatitur për këtë skenar?
Nuk është përgatitur se kërkon vetëm fitore? Po sikur mos të fitojë, se jeta i ka këto?
Jo, thonë s’ka rrugë tjetër, vetëm fitorja jonë, vetëm qeveria jonë, ndryshe, eh ndryshe s’ka zgjidhje!
E po ky është një qëndrim ultimativ që vetëm politik nuk është, e ku shoqërisë i thonë se rruga e tyre e vetme është vetëm që Lulzim Basha të vijë në qeveri.
Po sikur Luli të mos vijë në qeveri, ç’do të ndodhë në këtë vend?
Çfarë qëndrimi do të mbajë PD-ja, cili do të jetë roli që do të luajë PD-ja në Parlamntin e ri, por edhe në politikën shqiptare?
Në një fushatë elektorale, natyrisht që do të duhet të japin mesazhin e fitores, e triumfit politik, por përveç kësaj, një forcë serioze do të duhet të japë edhe sinjalin se çfarë do të bëjë nëse humb, nëse nuk e merr mazhorancën absolute, apo nëse do të jetë një forcë e rëndësishme, por jo mazhoritare në vend?
Do të mbajmë duart larg nga reforma nga drejtësi, thotë Lulzim Basha?
Por ai ka sulmuar hapur një drejtuese të Prokurorisë së Tiranës në mes të fushatës elektorale.
Ky sylm është skandaloz, edhe pse Elisabeta Imeraj ka qenë një prokurore shumë më pranë PD-së, se pranë PS-së.
Sjellja e Lulzim Bashës ndaj një prej njerëzve që zbatoi urdhërin e tij për Saimir Tahirit është përgënjeshtrimi i premtimit të tij.
Basha jo vetëm nuk do të mbajë larg duart nga reforma në drejtësi, por si edhe në mes të fushatës do të caktojë kush është i mirë dhe i keq në Drejtësinë e Re.
Pse kush është Lulzim Basha që gjykon se cila është Elisabeta Imeraj?
Askush! Madje ka një konflikt të madh interesi dhe këtu është turpi i panelistëve që nuk e kanë komentuar në asnjë rast këtë ngjarje të rëndë.
Mendo të dalë një prokuror i SPAK që t’i çojë një ftesë për dëshmi Sali Berishës, ose familjarëve të tij?
Lulzim Basha do t’i shajë nënën, motrën, familjen e të gjithë fisin prokurorit përkatës dhe kreut të Prokurorisë Speciale kundër Krimit e Korrupsionit.
Po mirë, po sa shqiptarë thirren nga Prokuroria në ditë e Lulzim Basha s’flet asnjë fjalë.
Po pse flet për Elisabetën, kush ja jep të drejtën? Mendo e bën këtë pa qenë fare në Parlament, po sikur të marrë pushtet…