Shqipëria është e papërgatitur për të përballuar plakjen e popullsisë, e cila në dy dekadat e ardhshme do të jetë problemi më i mprehtë i vendit si në aspektin social, edhe atë ekonomik. Personat në moshë pensioni do të jenë me shumicë, duke zënë mbi 21% të popullsisë më 2030 dhe për rrjedhojë, do të diktojnë trendet e konsumit dhe orientimin e ekonomisë. Bashkë me tregtinë me pakicë, shumë shpejt bankat dhe institucionet financiare do të duhen të reformohen, duke marrë në konsideratë zhvillimet demografike. Transformimi ka nisur, teksa vetëm këtë vit hyri në fuqi Plani Kombëtar për Moshimin që merr në konsideratë trajtimin financiar dhe social të moshës së tretë. Por masat e miratuara nuk janë detyruese për institucionet e tjera. Ekspertët rekomandojnë të rrisin vlerën e punës për popullsinë që punon
Blerina Hoxha
Teksa popullsia e vendit është në rënie të qëndrueshme, mosha mbi 65 vjeç po rritet me shpejtësi, duke sinjalizuar se gjatë kësaj dekade ata do të jenë shumicë e rëndësishme. Mosha e tretë do të rimodelojë zhvillimin ekonomik të vendit dhe do t’i përballë politikëbërësit dhe qeveritë me një sprovë të re, për të cilën, duket se nuk janë të përgatitur. Në dekadën në vijim, shumë sektorë do të duhet të riformatohen, trendet e konsumit do të ndryshojnë, tregjet financiare duhet të rishikojnë burimet e fitimit pasi moshat mbi 65 vjeç nuk mund të jenë huamarrës.
Kurse tregu i punës, sidomos sektorët që kanë në themel krahun e lirë të punës (industria fason dhe call center) kanë filluar të ndiejnë vështirësitë dhe skemat publike të mbrojtjes sociale dhe ato të pensioneve janë tashmë nën presion. Në vitin 2000, grupmosha mbi 65 vjeç përbënte 7.4% të totalit të popullsisë, në vitin 2011 arriti në 11%, ndërsa në fillim të 2020-s, 14.8%.
Në realitet, situata është edhe më e rënduar, pasi nga viti 2011 deri në 2019, janë larguar nga vendi 360 mijë persona, sipas një ankete të posaçme të INSTAT për emigracionin. Vetëm 1.6% e të larguarve ishin në moshë pensioni. Këto zhvillime tregojnë se, mosha e popullsisë mbi 65 vjeç, në përqindje të totalit të popullsisë, është më e madhe se treguesit zyrtarë. Me rënien e lindshmërisë dhe emigracionin në nivele të larta, popullsia totale do të ulet, ndërsa personat në moshë pensioni, sipas skenarëve optimistë të INSTAT, do të zotërojnë 21% të popullsisë deri në vitin 2030.
Europa po përballet me të njëjtin trend, por shumë vende, sidomos ato në BE kanë bërë përpara me politikat për të përballuar këtë ndryshim, Shqipëria do ta ketë të vështirë përshtatjen për shkak të mungesës së burimeve të kufizuara financiare dhe të vizionit për të përballuar ndryshimin e strukturës së popullsisë në favor të moshave të vjetra. Kombet e Bashkuara dhanë alarmin se, qeveritë dhe shtetet kudo në botë nuk janë përgatitur për të administruar moshën e tretë, edhe në aspektin social dhe atë ekonomik.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se për herë të parë është miratuar dhe ka hyrë në fuqi Plani Kombëtar i Moshimit. Plani merr në konsideratë trajtimin financiar të moshave të treta, por gjithësi ai nuk është detyrues, pasi nuk shoqërohet me ligje dhe udhëzime të tjera.
Profesor Kosta Barjaba, ekspert i çështjeve demografike, tha se, politika dhe qeveritë nuk mund të ndalojnë plakjen, por ato mund të mirëmbajnë forcën punëtore dhe të rrisin vlerën e punës, për të amortizuar ndikimin e plakjes së popullsisë në ekonomi. Ai tha politikat në vijim duhet të synojnë fuqizimin financiar të popullsisë në moshë pune.
Të ardhurat më të larta nga puna do të sigurojnë më shumë pagesa për skemat e sigurimeve, nga të cilat do të mund të sigurohen të ardhurat për të plotësuar nevojat e moshës së tretë. Për të arritur këtë balancë, zoti Barjaba tha se qeverisë duhet të zhvillojnë një model ekonomik bazuar në burimet natyrore. Vendi ynë është i pasur me këto burime dhe teksa popullsia plaket, vlera e fitimeve nga burimet natyrore duhet të rritet. Duke mirëpërdorur me eficencë burimet mund të gjenerojmë të ardhura të mjaftueshme për t’u kujdesur me dinjitet për moshat e vjetra.
Në këtë dekadë, qeveritë do të jenë para dy sfidave. E para, rimodelimi i ekonomisë sipas zhvillimeve demografike dhe e dyta, shpenzimet më të larta për të përballuar nevojat që ka një popullsi në plakje.
Plan për rritjen me 5% në vit për 10,000 pensionet më të ulëta
Plani Kombëtar i Moshimit është në veprim, pasi u miratua në fund të 2019-s nga Parlamenti dhe kaloi botimin në Fletoren Zyrtare, parashikon trajtim financiar shtesë nga pensioni për të moshuarit me pagesa më të ulëta. Kjo rritje parashikohet të jetë 5% dhe të jepet ndaj 10 mijë personave me pagesat më të ulëta në periudhën 2020-2025. Dokumenti i ri për pensionistët synon ngritjen dhe krijimin e një grupi të posaçëm ndërinstitucional që të rishikojë metodologjinë e pensionit minimal, i cili më pas do të miratohet me vendim qeverie.
Mirëpo rritja e pensioneve të ulëta me 5% nuk ka nisur të materializohet pasi duhet ndryshuar Ligji i Sigurimeve Shoqërore dhe gjithashtu, edhe rregulloret. Politika e qeverisë gjithsesi është e pamjaftueshme për të përmirësuar statusin ekonomik të pensionistëve.
Në fund të vitit 2019, pensioni mesatar në qytet ishte 143 euro dhe në fshat 79 euro. Këto nivele janë më të ulëtat në rajon dhe në Europë. Shqipëria realizoi reformën e pensioneve, e cila hyri në fuqi në vitin 2014, që përveç rritjes së moshës së pensionit, nuk solli rritje të përfitimeve për moshat e treta. Një pjesë tjetër pensionistësh, ata në kuintilin më të varfër, për shkak të mungesës së njohurive dhe kapaciteteve për të përfituar të drejtat e pensionit, mbetën të përjashtuar nga skema.
Plani Kombëtar i Moshimit detyron Institutin e Sigurimeve Shoqërore të ndërmarrë një fushatë informimi te së paku 5000 pensionistët më të varfër, se si të përfitojnë nga pensioni social.
Transport falas për të moshuarit e varfër
Plani i qeverisë për të moshuarit parashikon që pensionistët më të varfër të përdorin falas transportin publik nëpërmjet një skeme të posaçme subvencionimi publik ndaj kompanive të transportit. Përvojat e mëparshme kanë treguar se, përdorimi i transportit publik nga të moshuarit rrit në mënyrë domethënëse integrimin e tyre në shoqëri dhe aksesin në shërbime. Ky model ka nisur të aplikohet nga Bashkia e Korçës, por është në fazën e parë. Për bashkitë që kanë më shumë se 100 mijë banorë, autoritetet lokale duhet të aplikojnë modele subvencioni për të moshuarit me pension social.
Mungesë aksesi në jetën komunitare
Një anketë e Shoqatës se Geriatrisë e vitit 2017 ka gjetur se, rreth 8% e të moshuarve nuk kishin kontakte me anëtarët e familjes ose me miqtë, gjë që tregon një izolim të plotë social. Shkalla e izolimit social ishte disi më e lartë te femrat sesa te meshkujt (7.7%). Në anën tjetër, shkalla e izolimit social ishte thellësisht më e lartë ndër individët më të moshuar kundrejt atyre më pak të moshuar.
Rreziku i izolimit rritet me daljen në pension dhe mosangazhimi social ul produktivitetin e tyre. Plani Kombëtar i Moshimit ngarkon bashkitë me përgjegjësinë për të integruar moshat e pensionit. Edhe ligji për pushtetin vendor i ngarkon bashkitë të ndërtojnë politika lokale të mbështetjes për të moshuarit, brenda planeve lokale sociale dhe mekanizma të pjesëmarrjes së të moshuarve, sidomos grave, në procesin e vendimmarrjes.
Nga të dhënat zyrtare vetëm 50 bashki kanë politika për të moshuarit dhe aplikojnë pjesëmarrjen e tyre në vendimmarrje. Përfshirja sociale mund të nxitet nëpërmjet organizimit të udhëtimeve në grupe brenda vendit dhe përfshirje në aktivitetet kulturore, ashtu siç veprojnë vendet e zhvilluara në Europë.
Akses i kufizuar në tregun e punës
Për shkak të plakjes së popullsisë dhe nevojave në rritje të tregut të punës për fuqi punëtore, numri i pensionistëve që punojnë po rritet nga viti në vit. Edhe këtë vit, kur tregu i punës u ndesh në vështirësi për shkak të pandemisë, sidomos në tremujorin e dytë 2020, punësimi i pensionistëve nuk u ndikua. Në kulmin e karantinës (prill-qershor), kur mijëra persona në moshë pune mbetën të papunë, numri pensionistëve që punonin u rrit me 1.2% në krahasim me tremujorin e parë, sipas të dhënave të INSTAT. Në tremujorin e dytë të vitit 2020 ishin të punësuar 64,218 persona mbi 64 vjeç ose 769 më shumë se në tremujorin e parë.
Plakja e popullsisë, rritja e jetëgjatësisë dhe emigrimi i madh i të rinjve, po integron gjithnjë e më shumë persona në moshë pensioni në tregun e punës. Kjo tendencë u pa edhe në pjesëmarrjen e moshës mbi 64 vjeç në forcën e punës, e cila arriti në 15,6% në tremujorin e dytë me një rritje 1 pikë përqindje në raport me tremujorin e parë. Që nga viti 2015, pjesëmarrja në forcën e punës të personave mbi 64 vjeç është dyfishuar. Për të nxitur dëshirën për punë në moshat mbi 65 vjeç, qeveria miratoi një skemë shpërblimi në vitin 2018, e cila nuk është vënë ende në zbatim për shkak të mungesës së udhëzimeve. Në vendimin e qeverisë u vendos që për çdo vit pune, pensionisti që punon të marrë një shtesë mbi pensionin e caktuar prej 2.4% në vit.
Mosha e tretë do të përfshihet gjithnjë e më shumë në tregun e punës në Europë dhe Shqipëri, për shkak se, rritja e jetëgjatësie i bën eficientë personat edhe mbi moshën 65 vjeç. Zhvillimi i teknologjisë mund të stimulojë punën në distancë për personat e moshës së tretë, të cilët mund të ndajnë përvojat e tyre, sidomos në mësimdhënie, financë dhe profesione të tjera.
Plani Kombëtar i Moshimit, i vlefshëm për periudhën 2020-2025, merr në konsideratë që tranzicioni nga puna në pension të bëhet më elastik dhe individët të vijojnë të punojnë në varësi të nevojave dhe mundësive personale, ndërkohë që ekzistojnë mundësitë për arsimim gjatë gjithë jetës, duke ruajtur në këtë mënyrë aftësitë për punë në një kohë të gjatë. Për të zbatuar këtë plan do të hapen kurse trajnimi për 1000 të moshuar në të gjithë vendin.
Problemet madhore të pensionistëve, varfëria dhe shëndeti
Pavarësisht raportimeve, sipas të cilave ekonomia shqiptare po rritet, programet kombëtare, strategjitë dhe makropolitikat aktuale ende nuk adresojnë në mënyrë efikase sfidat social-ekonomike me të cilat ndeshen të moshuarit në vendin tonë.
Sipas anketës së Shoqatës së Geriatrisë më 2017, rreth 37% e të moshuarve thanë se ishin të varfër. Gjendja ekonomia dhe varfëria është problemi i parë madhor që konsiderojnë pensionistët për jetën e tyre. Problemi i dytë për nga rëndësia është gjendja shëndetësore. Të moshuarit vuajnë më shumë se një sëmundje kronike.
Ata shprehen se nuk e përballojnë dot blerjen e ilaçeve dhe shpesh detyrohen të marrin vetëm një pjesë të tyre dhe kryesisht ato që janë me rimbursim. Nga ana tjetër, sistemi publik i kujdesit shëndetësor është i papërgatitur për të përballuar nevojën në rritje të të moshuarve.
Nga anketa, rezulton se rreth 60% e të moshuarve në të gjithë vendin vuajnë nga sëmundje kronike, ndërkohë që rreth 30 deri në 40% e medikamenteve, përdoret nga mosha e tretë, duke ndikuar ndjeshëm në buxhetin e shtetit. Gjendja shëndetësore, sidomos e të moshuarve mbi 75 vjeç dhe të sëmurë, është faktor kritik përjashtimi. Anketa e vitit 2017 vëren se problemet e lidhura me vetminë dhe shikimin janë shtuar në raport me një anketë të ngjashme në vitin 2008.
Plani i ri Kombëtar i Moshimit rekomandon se, integrimi apo koordinimi mes shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe atyre social do të rriste mundësitë e rehabilitimit të një të moshuari në nevojë, që del nga spitali dhe do të ulte riskun e humbjes së autonomisë dhe gjithë pasojat e rënda që e shoqërojnë atë. Ndërkohë në nivel qendror, ka filluar integrimi i dy sistemeve, por ngelet ende shumë për të bërë në nivel lokal.
Objektivi është futja e mekanizmave koordinues mes shërbimit social dhe shëndetësor në nivel lokal dhe rritja e cilësisë së shërbimeve sociale për të moshuarit. Në këtë mënyrë do të arrihet integrimi i shërbimeve shëndetësore me ato sociale dhe kujdes i vazhduar për të moshuarit vulnerabël, për të mbështetur të moshuarit në komunitet.
Mungon asistenca në shtëpi për të moshuarit
Armata në rritje e të moshuarve kërkon gjithnjë e më shumë nevojën për shërbime shëndetësore në shtëpi. Në Shqipëri, trupa mjekësore nuk është arsimuar për shërbime ndaj moshës së tretë, “geriatri”, një degë e infermierisë dedikuar kësaj moshe. Plani Kombëtar i Moshimit synon përcaktim të personelit të dedikuar për vizita sistematike (të përmuajshme në shtëpitë e të moshuarve me humbje të autonomisë dhe të paktën dy vizita në vit në shtëpitë e të moshuarve mbi 80 vjeç me përfshirje të infermierëve të kujdesit shëndetësor parësor dhe punonjësve socialë.
Synohet përgatitja e 300 punonjësve, kryesisht infermierë dhe punonjës socialë të dedikuar për vizita në shtëpi. Ky grup punonjësish synon të kryejë 50,000 vizita në një vit. Gjithashtu Plani Kombëtar i Moshimit synon rishikim të kornizës ligjore për mbështetjen sociale të kujdestarëve familjarë dhe njohjen e tij p.sh. mundësimi i një leje të veçantë për të afërmit kujdestarë që punojnë, sipas modelit të lejes së lindjes, lehtësimi i kthimit në tregun e punës për kujdestarët informalë mbi 50 vjeç etj.
Plani Kombëtar përfshin riorganizimin e shërbimeve spitalore me shtretër dhe adoptim të normave që garantojnë shpërndarje të përshtatshme të shtretërve spitalorë për kujdesin afatgjatë për të moshuarit. Do të nisë pilotimi i njësive të dedikuara për kujdesin geriatrik në Qendrën Spitalore Universitare dhe dy spitale rajonale me standard orientues, fillimisht me 2 shtretër për 1000 banorë mbi 65 vjeç, përfshi shtretër psikiatrikë për të moshuar.
Të moshuarit në shumicë, do të diktojnë modelin ekonomik
Kombet Bashkuara njoftojnë se sfida më e madhe me të cilën do të përballet globi dhe ekonomia në dy dekadat në vijim do të jetë plakja e popullsisë. Personat në moshë pensioni do të përbëjnë pjesën më të madhe në shumë vende sidomos në ato të zhvilluara dhe për rrjedhojë, do të diktojnë trendet e konsumit dhe orientimin e ekonomisë.
Bashkë me tregtinë me pakicë, shumë shpejt bankat dhe institucionet financiare do të duhen të reformohen, duke marrë në konsideratë zhvillimet demografike. Personat në moshë pensioni nuk janë në targetin e bankave për hua, por kur ata të përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë në vitin 2030, bankat duhet të mendojnë për burime të tjera të fitimit nga huaja. Gjithashtu sektorët e tregtisë me pakicë do të riorientohen dhe shpenzimet publike gjithashtu.
Në të gjithë globin këtë vit numërohen 727 milionë persona të moshës 65 vjeç. Gjatë tri dekadave në vijim, numri i personave të moshuar në të gjithë botën parashikohet të rritet më shumë se dyfish, duke arritur mbi 1.5 miliardë në vitin 2050. Të gjitha rajonet e botës do të shohin një rritje të popullsisë së vjetër në raport me moshat më të reja. Globalisht, pesha e popullsisë së moshës 65 vjeç ose më shumë, pritet të rritet nga 9.3% në vitin 2020 në rreth 16.0% në 2050. Ndërsa në Shqipëri, plakja do të jetë më e fortë se trendet globale. Më 2020, gati 15% e popullsisë ishte mbi 65 vjeç dhe kjo sipas parashikimeve kombëtare, do të arrijë në 21% në vitin 2030.
Në projeksionet afatgjata të Kombeve të Bashkuara thuajse 40% e popullsisë, mbi 618 mijë persona, do të jenë të moshës mbi 65 vjeç në vitin 2010. Në moshën nga 24 deri në 65 vjeç parashikohen se do të jenë 682 mijë banorë. Ndërsa fëmijët nën 5 vjeç, sipas projeksioneve, do të jenë 68,907.
Profesor Kosta Bajraba tha se, plakja e popullsisë do të vërë në presion shpenzimet publike. Sipas tij, për të amortizuar goditjen nga këto ndryshime, qeveria duhet t’i rrisë vlerën e punës. Popullsia në moshë pune duhet të orientohet në sektorë produktivë, që të mund të paguajnë më shumë taksa në buxhet, për të përballuar kërkesën gjithnjë e në rritje nga skema e pensioneve dhe kujdesi shëndetësor.
Monitor