MENU
klinika

Nga Sokol Balla

Zgjidh pushime në Miami ose në Uganda!

18.04.2021 - 15:08

Mua më pëlqen të udhëtoj. Në këtë drejtim nuk kam kufizime. Mund të kem qenë në mbi 110 shtete dhe territore të Botës, dhe dua shumë të kem mundësitë fizike dhe ekonomike që të shoh sa më shumë nga kjo botë, para se të iki prej saj.

Deri tani i vetmi kontinent ku nuk kam shkelur është Antarktida dhe do doja shumë ta shihja, sa kohë mosha dhe shëndeti më lejon një aventurë që në Antarktidë, paraqet rrezik për to. Por ka edhe një kontinent që e kam prekur më pak se të tjerët.

Dhe kjo është Afrika, apo më saktë Afrika e zezë, ajo subsahariane, ndoshta zona më e bukur, më e pasur, por më e rrezikshme e globit. Jo për shkak të luanëve, gorrillave apo fiseve indigjene, por për shkak të rrezikshmërisë së qeverive të korruptuara, që sjellin destabilitet të vazhdueshëm, rrezik për jetën e qytetarëve dhe të turistëve.

Një prej këtyre vendeve është Uganda dhe unë dua ta vizitoj, pasi akoma ruaj një pullë trekëndëshe të Kenia Uganda Tanganikas, që daton vitet 60. Më pas Kenia dhe Uganda u bënë shtet më vete, ndërsa Tanganika dhe ishulli i Zanzibarit krijuar Tanzaninë e sotme. Gjithsesi të treja këto vende janë problematike sot.

Kenia ka probleme me terrorizmin, Tanzania ka një president dhe një qeveri diktatoriale, aq sa nuk pranojnë ekzistencën e Covid 19, ndërsa Uganda ka probleme me… Shtetet e Bashkuara. Zgjedhjet që u mbajtën aty këtë vit, u denoncuan nga Departamenti i Shtetit dhe Sekretari Blinken paralajmëroi fillimin e ndëshkimeve, duke nisur nga bllokimi i vizave për ata “që pengojnë procesin zgjedhor”.

Shumë kush tani mund të buzëqeshë me ironi. Shtetet e Bashkuara treguan këto muaj që edhe tempulli i demokracisë nuk është imun nga defektet e demokracisë. Eshtë e vërtetë. Po aq sa është e vërtetë se sistemi në SHBA vërtet kaloi një test stresi të fortë, por ama i mbijetoi atij.

Tani, përtej kësaj, Amerika është vendi im i preferuar për udhëtime dhe megjithë pandeminë, për shkak të masave më të lehta shtrënguese, e kam vizituar disa herë 6 muajt e fundit. Destinacioni im I preferuar, por besoj që këtë e mendojnë shumë veta, është Miami. Klima, ushqimi, e bëjnë atë një qytet me të gjitha asetet e Karaibeve, plus sigurinë që të jep një vend si SHBA.

Ndaj megjithëse mezi pres të shkoj në Uganda, e di që po ashtu mezi do pres ditën e fundit kur të largohem prej saj, me kënaqësinë që pashë një vend të ri dhe të rrallë dhe me lehtësimin që – me kismet – nuk më ndodhi asgjë ndaj qëndrimit atje. Kurse kur largohem nga SHBA – qoftë Nju Jork apo Miami – i bëj pyetjen vetes: a do rikthehesha sërish? Përgjigja është e njëjtë: që të nesërmen.

Tani sigurisht që njeriu jeton edhe pa ardhur në Amerikë. Në Amerikë mund të mos vish kurrë gjatë gjithë jetës tënde, për zgjedhje, apo për mungesë mundësish ekonomike. Por mendoni rastin e kundërt: t’i kesh paratë për të ardhur në Amerikë, të kesh dëshirën për Coachela, Miami Beach apo Brooklyn dhe të përfundosh… si Presidenti i Ugandës?

Sekretari i Shtetit Anthony Blinken e paralajmëroi këtë dy ditë më parë për zgjedhjet në Ugandë dhe për ata që sipas tij penguan procesin zgjedhor me mënyra nga më të ndryshmet. Këtyre personave do t’u ndalohet të shkelin në Shtetet e Bashkuara. Blinken e bëri të qartë që kjo nuk i referohet vetëm Ugandës, por fillon prej saj. Cka do të thotë që mund të vazhdojë edhe me Shqipërinë. Por përse ky mesazh është i rëndësishëm edhe për ne?

Shumëkush me të drejtë mund të thotë që kjo është ndoshta fushata më normale dhe me e qetë që kemi pasur prej dekadash. Numri i incidenteve është afër zeros (një përleshje vetëm në zyrën e LSI në Sauk) dhe përpjekjet e hetuara për shitblerje vote po ashtu (vetëm një rast i LSI në Pukë).

Duket se gjithçka i dedikohet marrëveshjes së 5 qershorit, e cila i riktheu opozitës disa garanci sa i përket sigurisë së procesit zgjedhor për mosndryshim të vullnetit të zgjedhësve (a.k.a. – shitblerja e votës, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor).

Shtetet e Bashkuara janë garant të kësaj marrëshjeje, të cilës i kanë bashkëngjitur edhe një fushatë për ndershmërinë dhe moralin e votës, që vë në presion të gjitha partitë, por që gabimisht ndonjë bixhozçi i lodhur dhe karikaturist pensionist, e përkthyen orët e para, si vullnet amerikan për rotacion (tani edhe këta “lexusit e fallit”, u detyruan të dalin dhe të kërkojnë ndjesë se e kishin kuptuar gabim ambasadoren Yuri Kim).

Në biseda informale, por edhe në mesazhe publike, edhe liderët kryesorë politikë duket se kanë rënë dakort, që për këto arsye, njohja e rezultatit të zgjedhjeve është një gjë realiste me 26 prill. Edi Rama nuk ka folur për këtë çështje pasi nuk ka asnjë kuptim. Imagjinoni dot një qeveri që thotë të thotë se nuk njeh zgjedhjet, nëse ajo i humbet? Një ish ministër e bëri këtë në 2005 dhe kujtohet si anekdotë edhe sot pas 16 vjetësh.

Monika Kryemadhi në ‘Real Story’ të enjten e tha këtë hapur. Se një parti që ka komisionerë votimi, numërimi dhe vëzhgues, ose duhet të pranojë dështimin si parti, që nuk ruan dot njerëzit e vet, ose duhet të pranojë pa hezitim rezultatin. Edhe Lulzim Basha dy javë më parë në Real Story, megjithëse ju shmang një përgjigjeje direkte, la të kuptohej se nuk do bëhej “çun problematik” me 26 prill, nëse rezultati nuk do ishte I pëlqyeshëm për PD.

Por ka një institucion që ka filluar të japë sinjalet e para që mund të mos pranojë këtë rezultat: Presidenti i Republikës. Rasti më flagrant ishte ai që lidhej me vendimin e KQZ për zonën 10 në Tiranë. Kjo zonë, do të eksperimentojë jo vetëm njohjen biometrike, jo vetëm votimin elektronik, por edhe numërimin elektronik të votës. Kryemadhi tha të enjten se edhe me mundësinë e verifikimit të votës elektronike nga vete votuesi, nuk ka asnjë shans që procesi të paragjykohet dhe që rezultati që sipas vendimit të KQZ do të publikohet në ora 8 të mëngjesit të 26 prillit, të mos pranohet. Besoj do ja ketë thënë dhe të shoqit, nëse këto ditë janë takuar ndonjëherë në shtëpi.

Kështu tha fjalë për fjalë edhe kreu i KQZ Ilirjan Celibashi, kur u pyet të premten për deklaratën e Presidentit një ditë më herët, se procesi elektronik në Njësinë 10 ishte i manipuluar. Se ishin futur duart dhe se ishin regjistruar ID false. Celibashi e përjashtoi ftohtë dhe në mënyrë klinike këtë mundësi. Edhe Kryemadhi. Po për më tepër se mbështetja e Kryemadhit, Celibashit i vlen ajo e Shteteve të Bashkuara. Kryekomisioneri shtetëror i Zgjedhjeve e ndjen këtë përditë, kur çdo mesazh i tiji, merr “like” apo “share” nga ambasadorja Yuri Kim. Për Shtetet e Bashkuara ka rëndësi procesi, garancitë për mbrojtjen e tij dhe për të siguruar një njohje të shpejtë të rezultatit. Kush do ketë ankesa, duhet t’I drejtohet KAS-it, Kolegjit apo Gjykatave. Në rrugët e Tiranës dhe gjithe Shqipërisë në 26 prill, ka vend vetëm për jetë normale. Ah, edhe për ushtarët e NATO-s. Të cilët atë mëngjes nisin stërvitjen e madhe ushtarake në Shqipëri.

I vetmi zë kundër kësaj klime, është paradoksalisht Presidenti i Republikës. I pyetur drejtpërdrejt nga gazetarët nëse do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve nëse fiton Edi Rama, ai u pergjegj: “ka akoma ditë, do të bëhen shumë padi…” Por edhe më herët ai kishte dhënë shenja që nuk do të njihte rezultatin, nëse partia e tij del jo mirë në zgjedhje apo për më “keq”, nëse fiton Edi Rama. Cuditërisht duket më i shqetësuar se bashkëshortja e tij, bile më shumë se Basha. Por nuk është ky objekti i këtij shkrimi. Objekti është: sa shanse ka që rezultati i zgjedhjeve të mos njihet dhe me çfarë kostoje?

Presidenti i Republikës ka vetëm një mënyrë që të mos njohë zgjedhjet. Jo me armë, pasi nuk i ka. Jo me ushtri, pasi nuk e urdhëron dot, pa lejen e kryeministrit, qoftë edhe në kohë lufte. As të presë duar. E tha këtë në 2001, kur si kryeministër pat kërcenuar se do priste “dy gishtat gjithkujt”, që kërcënonte prishjen e zgjedhjeve. Sot që gjendet në anën e kundërt të historisë, ai mund të futet vetëm në kuzhinë e të presë dy gishtat e dorës së tij. Por në mungesë të këtij guximi, vërtet të çmendur, Presidenti në 26 prill ka në dorë të bëjë dy gjëra;

E para të vendosë në kokë të tij se kujt t’ja japë dekretin e formimit të qeverisë, pas zgjedhjeve. Ai mund të “çmendet” kushtetueshmërisht dhe të japë një dekret për Bashën, apo Vasilin për formimin e qeverisë. Por dy elementë ja vështirësojnë këtë devijancë: e para që nga 26 prilli deri 9 shtator kur mblidhet parlamenti I ri, jane pesë muaj në mes. Vendi ka Gjykatë Kushtetuese funksionale. Një gjykatë që Presidenti mund ta ndikojë në një rast shkarkimi të tij të mundshëm, por që në çdo rast tjetër sa herë merr vendim, kjo gjykatë vështron një herë nga Rruga e Elbasanit.

Mundësia e dytë që ka Presidenti është të japë dorëheqjen, siç edhe ka premtuar, në rast se fiton PS. Kjo lëvizje, do të lehtësonte shumë fundin e shpejtë të krizës politike në vend, dhe do të mundësonte gjithashtu mundësinë e një Pakti Politik të mirëfilltë mes palëve. Në fakt këtë Presidenti duhet ta bëjë edhe nëse opozita fiton, pasi për fatin e tij personal politik, edhe fitorja e Opozitës shumë pak mund të ndikojë.

Rizgjedhja e tij president për një mandat të dytë, në rast fitoreje të opozitës, është thuajse e pamundur në korrik 2022. Stabiliteti institucional i vendit është tashmë prioritet absolut I SHBA. Fatkeqësisht zoti Meta e ka humbur këtë mundësi të artë që ju dha në 2017 dhe qe e shkeli me të dyja këmbët ne 2019. Nuk do t’I jepet më në 2022, pavarësisht kush do jetë në zyrën e Kryeministrit. Pra mundësitë e pengimit të proceseve demokratike, përfshirë edhe paszgjedhjet e 25 prillit janë zero.

Por mundësitë e ndëshkimit të atyre që do tentojnë të pengojnë ato, janë shtuar. Nga një komisioner i blerë, nga një politikan i shitur, e deri tek presidenti i republikës (në eskalacion simbolik, jo në emër të përveçëm). Sa për emrin e përveçëm: Dikujt që sipas Ramës, në 2016 ishte gati të përballej ushtrinë amerikane, për të mos kaluar reformën në drejtësi, mund të mos i bëjë përshtypje që nuk do kalojë dot pushimet në Miami.

Por për kujtesë: në shtator 2016, dy muaj pas votimit të reformës në Kuvend, kryetari i Kuvendit, zoti Meta, i thoshte këtij gazetari në Top Story: “Nuk do ketë dy Vettingje, do ketë vetëm një dhe atë do e bëjnë shqiptarët”. Në fund fare vettingun, e bënin dhe e bëjnë të huajt, dhe amerikanët. Shqiptarët nuk kanë mundësi replike.

Kush kundërshtoi dhe bëri replikë, mori ndëshkim. Fillimisht mbi 70 prokurorëve e gjykatësve ju hoqën apo revokuan vizat amerikane. Bashkë me familjet.

Pastaj të gjithë këta u rrëzuan në vetting. Pastaj disa prej tyre u çuan në ndjekje penale. Ndonjë tani shumë shpejt përballet me burgun. Ndonjë tjetër bën mirë të bëhet gati, se do të bëhet numri 4, në Listën e Zezë të Departamentit te Shtetit. Tax Free!

Sigurisht, dikujt nuk i bëhet vonë nëse do i kalojë pushimet në Miami, apo Bjeshkët e Namuna, por modestisht do t’i jepja dy këshilla: e para të flasë edhe me familjen, se ajo e para mund të mos jetë dakort me të. E dyta: të zgjedhësh mes pushimeve në Miami, apo Uganda shpesh herë nuk është një çështje shijesh. Por edhe shëndeti, do thoshte ushtari Shvejk.

Për fat në natën mes 25 dhe 26 prillit, ka edhe një garë tjetër: ndahen Çmimet Oscar. Është e vetmja garë ku nuk ndëshkohesh, edhe nëse pëlqen të fitojë një film rus.

Ose afrikan. Nga Uganda, fjala që bie.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Po të isha politikan, do varja gjithë klasën politike!"

“S’ka bir nëne…”! Nazarko ‘shpërthen’ ndaj Telitit


Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin