Kryeredaktori i gazetës sllovene, Necenzurirano, Primozh Cirman, i cili botoi një dokument mbi ndryshimin e kufijve në Ballkan, tha se Brukseli kishte konfirmuar se kishte marrë një dokument me përmbajtje të tillë nga kryeministri slloven, Janez Jansha.
Sipas Express, Cirman tha se Brukseli nuk mund ta mohojë marrjen e kësaj letre.
“Kur lajmi doli të hënën, kolegu ynë nga gazeta e Brukselit, Dela tha se zyra së pari konfirmoi se kishte marrë një dokument që fliste për ndryshimin e kufijve të Bosnje e Hercegovinës, por gjysmë ore më vonë e njëjta zyrë thirri një gazetar dhe tha se nuk mund ta mohonte, por as ta konfirmonte që ata e morën letrën”,– tha Cirman.
Ai thotë se është i pakënaqur që qeveria sllovene është bërë pjesë e këtij plani.
“Personalisht, unë mendoj se Sllovenia nuk duhet të përfshihet, por kam frikë se ajo është përfshirë tashmë dhe se ne do të jemi në gjendje të shohim pasojat në të ardhmen”,- tha ai.
Së fundmi, janë publikuar disa dokumente jozyrtare që flasin për ridefinim të kufijve në Ballkan, konkretisht shpërbërjen e Bosnje e Hercegovinës, aneksimin e Republikës Serbe nga Serbia dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Pyetjes së mediumit slloven, 24UR rreth këtij dokumenti dhe përmbajtjes së tij iu përgjigj Ambasada e SHBA-së atje. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë partneritetin afatgjatë me Bosnje e Hercegovinën dhe se e mbështesin sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, i cili është i pranuar në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.