Meqë ambasadaorja amerikane Yuri Kim ka vendosur që të përshëndesë kërkesën e faljes nga Xhelal Mziu, pasi ky i fundit tha se i ka gati grupet e militantëve që do bëjnë edhe të tjerë “si ai i Elbasanit”, ky koncept diplomatik i trajtimit të situatës absurde që po kalon Shqipëria, mund të zgjerohej edhe për raste të tjera që kanë të bëjnë me fushatën.
Për shembull, vlen të pyetet, pas deklaratës së ambasadores Kim, nëse ka vend për një reagim të ngjashëm amerikan edhe fjala vjen, për rastin Doshi. Me fjalë të tjera, a do t’i faleshin Tom Doshit mëkatet që amerikanët thonë se ka bërë, nëse ky i fundit dilte në një konferencë shtypi dhe po ashtu si Xhelal Mziu, do të kërkonte ndjesë për zullumet e tij?!
Përtej ironisë miqësore me ambasadoren, deklarata si ajo e shefit politik të PD për qarkun Dibër, nuk mund të kalojnë thjesht me lëvdatat për tërheqjen. Duhet kritikuar gjesti, për tensionin që nxit dhe mbrapshtinë që mbart. Të tjerat janë dytësore, edhe tërheqja. Deklarata e parë e Mziut e ka bërë punën e keqe, qindra mijë njerëz e kanë lexuar e komentuar. Lajmi i mirë udhëton gjithnjë më ngadalë se i keqi. Sepse me përshëndetjen e kthesës së Mziut, pa ja thënë sy se çfarë përfaqëson ajo që ka bërë, ambasadorja Kim rrezikon të mbetet gjithë ditën duke cituar deklarata përshëndetje për të tjerë skifterë që mund të dalin gjatë ditës nëper hartën e trazuar elektorale të Shqipërisë.
Në mënyrë të qartë opozita po përpiqet të demotivojë zgjedhësit e palës tjetër që të dalin në zgjedhje ditën e dielë, duke terrorizuar procesin zgjedhor. Diçka të cilën diplomatët e huaj e kanë kritikuar qysh herët në këtë fushatë.