MENU
klinika

"Prokuroria e policia duket se janë në një apati"

Meta në konferencë të jashtëzakonshme para zgjedhjeve: Të zbardhet urgjentisht ngjarja e Elbasanit

24.04.2021 - 10:50

Në një konferencë të jashtëzakonshme një ditë para zgjedhjeve Presidenti Ilir Meta u ndal edhe një herë në ngjarjen e Elbasanit, të pak ditëve më parë, ku u regjistrua një i vrarë e 4 të plagosur. Ndërsa përsëriti edhe një herë pyetjet drejtuar prokurorisë dhe policisë, Meta kërkoi zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje urgjentisht, ndërsa theksoi se konstaton se ka një vullnet të padukshëm për ta shtyrë pas datës së zgjedhjeve.

“ 48 orë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë për 100 vitet që vijnë. Kam besim te qytetarët

Arsyeja pse jam sot këtu është për të dekurajuar cdo lloj krimi zgjedhor. Jam këtu për t’ju drejtuar gjithë prokurorrëve gjyqatërve si kryetar i shtetit, që do të jetë në detyrë edhe të hënën e të martën e në vijim për të garantuar vazhdimësinë e shtetit dhe të ndërrimit të pushtetit. Ky është i vetmi angazhim i imi.
A ka patur shqetësime presidenti patjetër. A e ka ngritur zërin patjetër? për të shkuar në vesh të atyre që e duan Shqipërinë, jo hipokritëve që pas datës së nesërme duan t’i vënë kushte të reja vendit. Por ka dështuar ky skenar.

Dje kam bërë publike qëndrimin tim lidhur me ngjarjen në Elbasan, edhe pse po mbushen 72 orë ende prokuroria dhe polciia nuk kanë një version shterues. Kam ndjekur me vëmendje veprimet  për këtë ngjarje që meriton të zbardhet urgjentisht.  Dhe të mos kemi asnjë ngjarje tjetër, me fyerje, jo më me vrasje e plagosje. Edhe pse dje kam ngritur disa pyetje që kërkojnë përgjigje të shpejtë e të plota, prokuroria e policia duket se janë në një apati e nuk po veprojnë. Konstatoj se ka një vullnet të padukshëm për ta shtyrë pas datës së zgjedhjeve. Kjo ngjarje duhet të zbardhet urgjentisht sepse provat kanë qenë atje. Për ti thënë jo cdo lloj veprimi që përben krim zgjedhor, përsëris pyetjet e mia për organet e zbatimit të ligjit.” tha Meta ndërsa përsëriti pyetjet për institucionet ligjzbatuese.

Pyetjet për institucionet ligjzbatuese:

– A janë të përfshirë në këtë ngjarje, persona me precedentë penalë? Nëse po, cilët janë emrat e tyre si autorë të dyshuar për shkaktimin e saj? Përse Policia e Shtetit, nuk ka kryer ndalimin dhe shoqërimin e tyre?

– A janë këta persona të përfshirë në këtë ngjarje, të njëjtët që shoqëronin Kryeministrin më 14 mars, “Ditën e Verës”, dhe që ushtruan dhunë ndaj mbështetësve të opozitës?

– A ka marrë organi i Prokurorisë dhe Policia e Shtetit, dëshminë e oficerëve të lartë dhe punonjësve të Policisë, që kanë qenë të pranishëm në ngjarje?

– Përse punonjësit e Policisë të pranishëm në ngjarje nuk kanë reaguar, për të neutralizuar përplasjen me armë dhe ndaluar të gjithë personat e përfshirë?

– Pse u lejua largimi i personave të përfshirë nga vendi i krimit kur Policia ishte njoftuar dhe ishte aty?

– A ka qenë i mbuluar ambjenti publik apo ambjentet private me kamera të sigurisë? Nëse po, a është bërë kqyrja dhe sekuestrimi i menjëhershëm i materialit filmik në cilësinë e provës?

– Sa kohë u është dashur organeve të zbatimit të ligjit të mbledhin këto materiale filmike?

– Nëse ka patur zvarritje, cilët janë përgjegjësit? Mos u është lënë kohë për të fshirë pamjet?

– Vonesa të tilla, a janë tregues i mosveprimit me dashje nga ana e strukturave të veçanta brenda Policisë së Shtetit, për t`i lënë kohë personave përgjegjës të zhdukin çdo provë që bën të mundur zbardhjen e dinamikës së vërtetë të ngjarjes dhe përgjegjësinë e çdo individi të përfshirë në këtë konflikt tragjik?

– A është Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në konflikt interesi, për kryerjen e këtyre hetimeve?

– A duhet Prokuroria e Posaçme (SPAK), të fillojë hetimet, pasi në këtë ngjarje mund të jenë të përfshirë edhe funksionarë të lartë të shtetit dhe deputetë?