MENU
klinika

NBA

Lakers humbin edhe me Davis në fushë, thyhen edhe Jazz

25.04.2021 - 12:13

Kampionët në fuqi të Los Angeles Lakers janë futur në një krizë rezultatesh. As rikthimi i Anthony Davis nuk u shërbeu kalifornianëve për të shmangur humbjen e tretë radhazi.

Këtë herë Lakers u dorëzuan në transfertën ndaj Dallas Mavericks, ku u mposhtën me rezultatin 108-93. Gjysma e parë e ndeshjes shkoi mjaft mirë për kalifornianët, që morën një avantazh prej 12 pikësh, por më pas gjysma e dytë u dominua totalisht nga vendasit e Dallasit.

Skuadra e Dallasit regjistron kështu suksesin e tretë radhazi dhe është gjithmonë e më pranë blindimit të pozitave në zonën Play Off të renditjes në Konferencën e Perëndimit, ndërsa Los Angeles Lakers vijon të jetë në rënie të lirë.

Një nga sfidat më interesante ishte edhe ajo mes New Orleans Pelicans dhe San Antonio Spurs, që përfundoi me suksesin e këtyre të fundit me shifrat 108-110. Të udhëhequr nga Demar DeRozan, miqtë e Spurs patën një dominim të lehtë gjatë gjithë kohës, me përjashtim të fraksionit të tretë, që foli plotësisht për vendasit.

Befason Minnesotta Timberwolves, që ia doli të triumfojë me rezultatin 96-101 në transfertën e Salt Lake City ndaj kryesuesve të Konferencës së Perëndimit, Utah Jazz.

Në sfidat e tjera, Indiana Pacers triumfoi me rezultatin 115-109 ndaj Detroit Pistons, ndërsa Miami Heat fitoi me rezultatin e ngushtë 106-101 ndaj Chicagoi Bulls.