Partia Socialiste është shpallur sërish fituese në garën elektorale të Njësie nr.10 në Tiranë, ku u implementua për herë të parë votimi dhe numërimi elektronik.
Por në një krahasim që Panorama.al realizoi me rezultatin e zgjedhjeve të 2017-tës, ajo që bie në sy është rritja e Partisë Demokratike në këtë njësi bashkiake, që në votimet e kaluara kishte një rezultat të thellë në favor të socialistëve. Në zgjedhjet e 2017, PS kishte në raport me PD një avantazh prej rreth 2996 vota. Ndërkohë që sipas rezultatit të vitit 2021, diferenca mes PS dhe PD është 1457.
RRITJA E PD DHE TKURRJA E LSI
Nga krahasimi i të dhënave bie në sy se Partia Demokratike është rritur me 1283 vota në raport me votime e 2017.
Në njësinë nr.10 PD fitoi 4550 vota, ndërkohë që 4 vite më parë selia blu ka arritur të sigurojë vetëm 3267.
Nga krahasimi bie në sy fakti se LSI ka pësuar rënie të ndjeshme në njësinë nr.10, ajo që bie në sy është se Lëvizjes Socialiste për Integrim i mungojnë 716 vota në raport me elektoralet e 2017.
VOTAT E PS
Në rezultatin final, ajo që bie në sy është tkurrja e lehtë e votave të Partisë Socialiste, ku në Njësinë nr.10 ka rënë me 256 vota.
Në 25 prill 2021, PS mori 6007 vota, ndërsa katër vite më parë po në këtë zonë kishte arritur një rezultat më të lartë me një total prej 6263 vota.
TOM DOSHI ME 1 VOTË
Në këto zgjedhje bie në sy edhe një ngritje e Partisë Socialdemokrate, me kryetarin e dorëhequr tashme Tom Doshi.
PSD ka fituar në këtë njësi 208 vota, ndërkohë që si vota preferenciale bie në sy fakti se Tom Doshi ka marrë 45 vota ketë zonë.
“ÇAMËT”
Në zgjedhjet e 2017, Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet e cila garoi me vete, kishte marrë në njësinë nr10, 434 vota.
Ndërkohë që tashmë pjesë e listës së PD-së dhe Aleancës për Ndryshim, dy pjesëtaret e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda kanë arritur të sigurojnë sëbashku në njësinë 10 vetëm 339 vota.
Krahasuar më 4 vite më parë Idrizit dhe Doës u mungojnë 95 vota. Vetëm Idrizi ka marrë si vota preferenciale 277 vota, ndërsa Mesila Doda rezulton me 62 vota.
Ndërkohë që Tahir Muhedini “çami” i ‘importuar’ në listën e PS-së ka marrë 29 vota preferenciale në votimet e 25 prillit.
Në zgjedhjet e 2017 në garë ishte dhe Partia LIBRA e Ben Blushit që në këtë njësi fitoi 448 vota, ndërkohë që në këto zgjedhje ajo nuk mori pjesë./ PANORAMA.al
Rezultati i Njësisë nr.10 në vitin 2021
PS- 6007 vota
PD- 4550 vota
LSI- 628 vota
PSD- 208 vota
Rezultati i Njësisë Nr.10 në vitin 2017
PS 6263 vota
PD 3267 vota
LSI 1344 vota
PDIU 434 vota
LIBRA 468 vota