Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca, pasi inspektoi procesin e numërimit në “Shkollën e Kuqe”, në zonën e “Vasil Shantos” në kryeqytet, u ndal për një prononcim për mediat.
Soreca theksoi se procesi duhet të vijojë pa ndërprerje, pasi qytetarët shqiptarë janë në pritje të rezultatit.
Ai shtoi s 50 ekipe të BE janë shpërndarë në të gjithë vendin për të monitoruar procesin.
“Mirëdita. Sot ishte dita e dytë e vëzhgimit në këtë moment kaq të rëndësishëm për Shqipërinë. Po shkoj në disa nga Qendrat e Numërimit në Tiranë. Në disa prej tyre ekipet po bëjnë pushim, në mënyrë që të rifillojnë punën. Më lejoni të them që procesi duhet të vijojë pa problem dhe vonesa sepse kemi shumë gjëra për të mësuar dhe qytetarët presin rezultatin. Zgjedhësit shqiptar e thanë fjalën e tyre, pavarësisht pandemisë, ka pasur një pjesëmarrje të lartë, kjo është një tregues i mirë i jetës demokratike në Shqipëri.
Më lejoni të them që e kam mirëpritur këtë proces pilot, votimit elektronik në Njësinë 10, e cila mund të implementohet më gjerë në të ardhmen. Prandaj ne po presim me qetësi, ashtu siç kanë bërë thirrje udhëheqësit politik në Shqipëri, përfshirë edhe Presidentin. Deri sat ë numërohet vota e fundit të presim me qetësi dhe të mos dalim në konkluzione pa u numëruar të gjitha votat në vend.
Ne si ekip i BE do të vijomë punën tonë, e kemi bërë këtë në të gjithë vendin, ka 50 skuadra në të gjithë Shqipërinë, do e ndjekim nga afër procesin Kemi bashkëpunuar nga afër me OSBE/ODIHR është ajo në krye të vëzhgimit.
Të gjithë po presim konferencën me gjetjet paraprake e cila do të mbahen në 15:00, është shumë e rëndësishme për BE e cila do të përpilojë mënyrën se si kanë ecur zgjedhjet në Shqipëri. Ndoshta sot vonë të ketë ndonjë deklaratë nga udhëheqësit e BE në lidhje me procesin zgjedhor në Shqipëri. Roli i medias në këtë moment është shumë i rëndësishëm, vazhdoni të bëni këtë punë të mirë”, u shpreh Soreca.