Kur kanë mbetur kutitë e fundit për t’u numëruar në Tiranë dhe në Durrës dhe Partia Socialiste po shkon drejt 74 mandateve, PD 59, LSI 4 dhe PSD 3 mandate, Ben Andoni i bën një analizë situatës.
Ai u shpreh se nuk e priste këtë diferencë mes palëve, por thotë se një efekt të madh kanë dhënë edhe strukturat e Partisë Socialiste, nga të cilat, sipas tij, PD duhet të kishte mësuar.
“Prisja që diferenca të ishte më e vogël. Një ndjesi ma kishin dhënë sondazhet. Kam kuptuar që strukturat e PS janë shumë më të përgatitura për një parti moderne për sa i përket organizimit. Po jep fryte ajo që ata kanë bërë me librin elektronik ku kanë zgjedhësit e tyre dhe mesa duket kanë kontakt shumë të mirë. Nuk e quaj të pranueshme, madje e quaj të turpshme këtë skandalin.
Përdorimi i të dhënave është shumë i dëmshëm dhe dënoj me forcë, jam shumë i fyer. Organizimi i brendshëm, i militantëve të tyre, është organizim perferkt. Nga kjo duhet të mësonte Partia Demokratike”, u shpreh Ben Andoni.