Festa e socialistëve ka nisur në sheshin “Skëndërbej”, pas fitores historike në zgjedhjet e 25 prillit, Kryeministri Edi Rama iaka dedikuar këtë fitore nënës së tij, Aneta, e cila nuk jeton më, duke thënë se “shpreson që të jetë krenare për të”.
‘Kjo është fitorja ime e parë në mungesën e dikujt që më ka ndenjur gjithmonë pranë. Dikush që më mungon tmerrësisht sot mes jush dhe që shpresoj se tani po më sheh nga atje lart. Nëna ime Aneta. Uroj që ajo të jetë krenare për mua dhe mirënjohëse pafund për ju të gjithë që për kaq shumë vite më besuar pa u lëkundur. Unë do të jem për jua ty kurdo që të duhem në çdo ditë e natë për ju. ‘- tha Rama
PS ka marrë deri më tani 73 mandate, duke u bërë partia e parë në vend që do të qeverisë për tre mandate radhazi.
“Kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe dhe më e bukur e PS. Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme, të atyre që kanë zgjedhur 12, por kanë gabuar me shenjën e preferencës, ne e kemi thyer rekordin tonë. Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqinë e jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë dhe të një shpirti gare që nuk ka të dytë në këtë vend. Urime me gjithë shpirt dhe një përqafim të madh të gjithëve ju këtu dhe kudo. Unë jam sot krenar si asnjëherë për ju, për cdo vajzë e djalë, grua e burrë, që u angazhua si patronazhist, koordinator, drejtues, në këtë fushatë spektakolare dhe që dha më të mirën e vet për skuadrën tonë, kampione në fuqi. Por, më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që me urtësi e vendosmëri, vendosën me votën e tyre në një moment kaq sfidues për Shqipërinë. Shqipëria votoi, Shqipëria vendosi, Shqipëria fitoi”, tha Rama.