Në epokën mesjetare, femrës nuk i duhej shumë për t’u etiketuar si mëkatare: vetë qenia femër ishte tashmë një faj. Të akuzuara si shkaktare e gabimit të Evës, që e çoi Adamin në mëkatin fillestar, gratë e mesjetës e shkuan jetën në inferioritet jo vetëm shoqëror, por edhe intelektual. E konsideruar e brishtë nga natyra dhe e prirur për të rënë pre e tundimeve të djallit, shumë prej mëkateve për të cilat u akuzuan buronin nga fantazia dhe frika misogjene e burrit mesjetar. Sigurisht, për gjenerimin mosbesimit, frikës dhe urrejtjes, kontribut thelbësor dha kisha dhe predikuesit e saj, të cilët i paraqisnin fjalimet publike me shembuj dhe rrëfime me mëkate grash që të kujdeseshin për të shpëtuar shpirtin./Konica.al
Devijimi i rrjedhës së ngjarjeve dhe natyrës: magjia
Edhe pse kisha e dënonte frikën për praktikat e shtrigave, shumë nga mbështetësit e saj ishin të parët që besuan dhe kishin frikë se mos prekeshin nga e keqja. Një botë e ndarë nga një hendek i thellë, ku dy gjinitë shihen si dy anët e kundërta të një lufte. Burrat që përfaqësojnë pjesën racionale të natyrës, duhet të përpiqen të mbrohen nga gratë, irracionale dhe skllave të ndjenjave, të cilat gjithmonë sulmojnë të parët dhe me çdo mënyrë të mundshme për shkak të dobësisë së tyre të pretenduar. Ndër armët përfituese ishte edhe magjia. Talismanë, që i bënin njerëzit të devijonin nga rruga e Zotit, kalërimet natën me demonë, magjitë për të shtrirë fuqinë e tyre mbi kafshët e fermave, të ndikonin në natyrë dhe ngjarje atmosferike, ishin vetëm disa nga akuzat në pyetësorët e kohës. Magjia femërore mendohej, se kishte si qëllim devijimin e rrjedhës natyrore dhe, si pasojë, kundërshtonte hyjnoren. Ato dyshoheshin, se shtronin tryezën për të mikpritur Fatet e lashta dhe për të përvetësuar favore, duke u ofruar pije, ato mund të ndryshonin ngjarjet. Akuzat për devocion ndaj hyjnive të lashta pagane femërore, të tilla si Fate ose Diana, në vend të Marisë së virgjër ishin të shpeshta. Për meshkujt, magjia femërore fshihej kudo, madje edhe në praktika të padëmshme; kryesisht kozmetikë. Kisha dënonte gjithçka që lidhej me bukurinë dhe mendjemadhësinë, duke e konsideruar si mjet djallëzor për ta shpënë drejt mëkatit. Imazhi ideal për t’u parë ishte ai i Marisë: bukuri e ngurtë dhe modeste, por mbi të gjitha natyrale. Kozmetika konsiderohej magji për të përmirësuar pamjen, ose për të fshehur defektet: një mjet djallëzor për të mashtruar burrat, duke i nxitur ata drejt dëshirës.
Po ashtu, gatimi besohej se lidhej me magjinë. Nga ushqimet djallëzore dhe afrodiziake, te përgatitja e bukës me vithe të zhveshura, ishin disa nga mënyrat për të zgjuar afshet e meshkujve në favor të tyre. Recetat ishin material i fshehtë, që gratë ia përcillnin vetëm njëra-tjetrës, aty fshihej sekreti për të nënshtruar shpirtin e burrit dhe për ta skllavëruar atë tek orekset seksuale të grave ose të dashnorëve.[…]
Seksualiteti: dëshirat e femrave
Që nga antikiteti, magjia dhe seksualiteti ishin dy aspekte që përfaqësonin një marrëdhënie shumë të ngushtë me feminitetin, sepse lidheshin me irracionalitetin. Nga natyra, gruaja konsiderohej e dëshiruar dhe e paqëndrueshme, gjithmonë duke bredhërirë me sy dhe duke fantazuar për mundësitë e kënaqjes së orekseve të dikujt. Ashtu si Eva mjaftoi t’i ofronte mollën Adamit për ta shtyrë atë drejt mëkatit, në të njëjtën mënyrë edhe pjesa tjetër e gjinisë femërore nuk kishte nevojë të fliste për t’i magjepsur burrat.[…]. Mënyra e vetme për të kufizuar këto rreziqe ishte martesa, ku burri duhej të ushtronte posedimin mbi gruan e vet. Brenda martesës, akti seksual duhej të bëhej pa ndjenjë, pasi qëllimi nuk ishte kënaqësia e bashkëshortëve, por shumimi. Padyshim, edhe në martesë ekzistonin dënimet: gruaja duhej të ishte gjithnjë pasive, ajo nuk duhej të përpiqej të mbizotëronte burrin, por t’i nënshtrohej atij./Konica.al
[…]
Të kontrollonin të pakontrollueshmen: vdekjen
Që nga kohërat antike, marrëdhënia midis grave, mëkatit dhe vdekjes konsiderohej shumë e ngushtë dhe besohej se i shtrinin fuqitë edhe në këtë aspekt. Përgjithësisht, burrat konsideroheshin si shënjestra e favorizuar e magjive, me të cilat gratë përpiqeshin të shpëtonin nga kontrolli i tyre. Imagjinata në lidhje me këto krime të tmerrshme ishte vërtet e zjarrtë. Sipas rrëfyesve, disa gra ishin në gjendje të kontrollonin mendjet e burrave përmes magjive dhe kukullave argjile të ngjashme me viktimat, të cilat indirekt shkatërroheshin mes barërave të këqija. Po edhe përmes evokimit të fantazmave: një aftësi që u atribuohej grave ishte pikërisht ajo e braktisjes së trupit gjatë gjumit dhe vrasja në mënyrë të padukshme e burrave “kristianë të mirë”, për t’u ushqyer me mishin e tyre dhe për t’i zëvendësuar zemrat e tyre me kashtë. Shënjestra e dytë e vrasjeve të femrave ishin fëmijët, pavarësisht nëse ishte i palindur, duke shkaktuar kështu një abort me ilaçe, apo foshnje, nga neglizhenca ose vullneti. Në fakt, deri në moshën shtatë vjeç, fëmija ishte çështje e nënës dhe ishte përgjegjësia e saj të shihte se asgjë e keqe nuk i kishte ndodhur. Mendimi për të dëmtuar të tjerët ishte një mëkat i rëndë dhe për këtë arsye gratë duhej të kontrolloheshin: ato mund të këshillonin një shoqe, se si të shkaktonte një abort me ilaçe, ose t’i shkaktonin virilitetin një burri tjetër, mbase një dashnori në prag martese. Po ashtu, dëmtimi i të tjerëve mund të bëhej një lloj profesioni, ndaj duhet të tregoheshin të kujdesshëm kur kalonin pranë femrave, sepse ato mund të pëshpërisnin fjalë magjike me efekte ogurzeza, ose gjatë një funerali, duke përfituar nga momenti fatal për të lëshuar mallkimin nën arkivolin e një të vdekuri.
Burra skllevër të tundimit dhe frikës
Këto janë vetëm disa nga shembujt, në lidhje me mëkatet e pretenduara që u atribuohen grave të kohës. Mirëpo, shumë prej tyre s’janë tjetër veçse pjellë e imagjinatës së shfrenuar të burrave mesjetarë, mbërthyer në paragjykimet dhe frikën e tyre, por sigurisht ato pasqyrojnë mjetet që ata përdorën për të imponuar disiplinën dhe për t’u qëndruar larg grave, duke ua pasur frikën. Në të vërtetë, këto dëshmi tregojnë fare pak për jetën femërore të periudhës, sepse ato janë një imazh i shtrembëruar dhe aspak i rëndësishëm për realitetin, megjithëse mund të na tregojnë për burrat dhe frikën e tyre, të cilën e fshihnin nën qesëndi dhe të ashtuquajturën epërsi intelektuale. Na flasin për burra të tërhequr nga irracionaliteti dhe gratë, por të gatshëm ta mbrohen me dhunë dhe ashpërsi morale, për të shpëtuar shpirtrat e tyre./Konica.al