Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kremtojnë sot ngjalljen e Krishtit në meshën e pashkëve, dita më e rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë. Të krishterët në festën e pashkës kremtojnë ringjalljen e Krishtit, moment ky që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit tek zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.
Ndërkohë, këto Pashkë, ndryshe nga viti i kaluar, janë rikthyer në Kisha një pjesë e konsiderueshme e besimtarëve duke ruajtur distancimin sociale, e ndërsa pjesa tjetër i kanë ndjekur ritet nga televizori duke i kryer ata në shtëpitë e tyre. Solidariteti, dhembshuria dhe dashuria për familjen dhe njëri-tjetrin është ajo që na mëson kjo ‘luftë’ me koronavirusin dhe mesazhi që na sjellin Pashkët.
Kur i referohemi traditave në lidhje me Pashkën në mendje na vjen veza e kuqe. Ajo është një veçori karakteristike e kësaj feste. Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Ngjyra e kuqe paraqet forcën dhe fuqinë e perëndisë dhe njëkohësisht simbolizon edhe gjakun e Krishtit, i cili u derdh në kryq për shpëtimin e të gjithë njerëzve në botë. Kështu ngjyra e kuqe rikujton gjakun e Krishtit dhe shpëtimin.Veza e Pashkëve është e vjetër, aq sa edhe vetë Krishtërimi dhe kisha e ka pranuar në traditën dhe në praktikën e saj si simbol i Ringjalljes së Krishtit.Krishterët e parë dhe bashkëkohës së apostujve filluan të ngjyrosin vezë dhe t’i dhurojnë për Pashkë, duke përshëndetur gëzueshëm ‘Krishti u Ngjall’!
Përgjigja është: ‘Vërtet u Ngjall’!Pjesë tjetër e traditës së Pashkëve është buka e pashkës, ku vendoset veza e kuqe në mes, e cila duke qenë e ëmbël shpreh kuptimin e ëmbëlsisë dhe lumturisë, të cilat i përmbajnë fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve. Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën që del nga varri i Krishtit. Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambadave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë. Marrja e flakës nga Tryeza e Shenjtë që ju jepet besimtarëve simbolizon flakën që del çdo vit nga varri i Krishtit në Jeruzalem ditën e Pashkëve Orthodhokse, flakë e cila merret dhe shpërndahet nëpër kisha të vendeve të ndryshme.
Padyshim që pjesë e tryezës së festimit të Pashkës është mishi i qingjit, duke simbolizuar Krishtin, i cili si qingj erdhi në therrore, duke u sakrifikuar për mëkatet e njerëzve (Ungjilli sipas Joanit 1:29, Letra I-rë e Petrit, Zbulesa 5:6). Atmosferën e Pashkës besimtarët e shprehin duke uruar “Gëzuar për shumë vjet Pashkët”, por ajo që shpreh më shumë frymën e periudhës së Pashkës është përshëndejta “Krishti u ngjall” dhe si përgjigje ka “Vërtet u ngjall”.