MENU
klinika

"Kjo ditë shpresë kundër padrejtësisë dhe për të varfrit"

Kryeparlamentari Ruçi uron Ditën e Pashkëve

02.05.2021 - 07:50

Me rastin e Ditës së Pashkëve, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, uron besimtarët ortodoksë dhe gjithë shqiptarët.

Kryeparlamentari thekson se triumfi i ringjalljes së Krishtit ka ndihmuar besimtarët në dy mijë vjet të triumfojnë mbi padrejtësinë.

Ai shton se kjo ditë është një shpresë se ata që bien në varfëri mund dhe do të dalin prej saj.

“Me rastin e Festës së Pashkëve, uroj të gjithë besimtarët ortodoksë dhe të gjithë shqiptarët, kudo që janë: Gëzuar! Shëndet dhe lumturi në vatrat familjare!

Triumfi i Ngjalljes së Krishtit ka frymëzuar miliarda njerëz gjatë dy mijëvjeçarëve. I ka ndihmuar ata të luftojnë e fitojnë mbi vdekjen e mëkatin, mbi dhunën e padrejtësinë, mbi frikën dhe pasigurinë, mbi të keqen dhe mëritë midis njerëzve, komuniteteve, racave e kombeve.

Gëzimi i festës së Pashkëve rrezaton e lumturon të gjithë besimtarët e qytetarët. Është një shpresë se ata që bien në varfëri mund dhe do të dalin prej saj; ata që pushtohen nga urrejtja e mëritë duhet dhe do të çlirohen prej tyre; ata që humbasin fuqinë dhe besimin, një ditë do t’i rifitojnë ato.

Gëzimi i Pashkëve shpërndahet si drita e diellit. Rrezet e dritës largojnë natën dhe sjellin ditën; rrezet e gëzimit ta largojnë dëshpërimin dhe ringjallin shpresën e besimin.

Por asnjëherë më tepër sesa Pashkët e këtij viti, Ringjallja nuk ka pasur këtë domethënie, shkëlqim e frymëzim për të gjithë besimtarët, për të gjithë qytetarët.

Sakrificat e kohës së pandemisë na treguan se sa shumë dashuria dhe lumturia njerëzore është e kushtëzuar nga shëndeti i të gjithëve. Na treguan se shëndeti, mirëqenia dhe siguria e çdo njeriu dhe e çdo kombi janë të varura nga ato të kombeve të tjera.

Tashmë që dalja nga kjo stinë e vështirë duket më afër, të gjithë kemi mundësi të reflektojmë se fuqia e besimit, solidaritetit, dashurisë, humanizmit është më e madhe se kërcënimi i sëmundjes dhe rreziqeve të saj.

Jeta, e mira, paqja dhe toleranca kanë mundur gjithmonë rrezikun, të keqen, konfliktet dhe urrejtjen. Por këto beteja nuk fitohen vetvetiu. Ato kërkojnë përkushtimin njerëzor, të individëve, komuniteteve, por edhe institucioneve.

Jeta njerëzore është mrekullia e universit dhe pandemia na rikujtoi se asaj duhet t’i përkushtohemi të gjithë. Me antitrupat e dashurisë, humanizmit e solidaritetit të luftojmë sëmundjet e shoqërisë, varfërinë, pabarazinë, ndarjet e konfliktet, në çdo formë që ato shfaqen.

Globalizimit të mallrave, shërbimeve, teknologjive dhe ideve, tu përgjigjemi me globalizimin e solidaritetit, humanizmit dhe përkushtimit njerëzor.  Globalizmi i të mirës t’i paraprijë globalizimit të së keqes.

Besimin dhe mirëkuptimin fetar ta kthejmë në një vlerë shoqërore, në ndihmë e shërbim të të gjithëve, pavarësisht besimit, pikëpamjeve dhe pasurisë. Ky është  një tjetër mësim që buron nga gëzimi i Pashkëve,”, shkruan në urimin e tij Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN