“Helikopterët mbi Abbottabad në një të natës. Është një ngjarje e rrallë”.
Kanë kaluar pikërisht dhjetë vjet që nga nata e 2 majit 2011, kur trupat speciale të “Navy Seal” dhe një helikopter i Ushtrisë Amerikane shpuan bunkerin ku strehohej Osama Bin Laden në Pakistan gjatë natës, për të vrarë më pas kreun e organizatës terroriste Al Kaeda dhe drejtuesin e sulmeve të 11 shtatorit në Amerikë.
Në 10-vjetorin e asaj ngjarjeje, një foto-portret i të cilës mbetet dhe një kronikë e treguar në filma të shumtë, lufta kundër terrorizmit ka hyrë në një fazë të re.
Me vendimin e presidentit Joe Biden për të përfunduar tërheqjen e trupave në Afganistan, deri në përvjetorin e 20 të masakrave, më 11 shtator 2021, përveç dyshimeve të disa prej udhëheqësve ushtarakë amerikanë, të cilët i konsiderojnë kohët “jo të pjekura”, Al Kaeda ka dërguar një mesazh sfidues.
Kërcënimi vijon ende?
Dy eksponentë të organizatës terroriste, në një intervistë për CNN, folën për “kontakte të vazhdueshme me Talibanët” dhe premtuan se, sapo amerikanët të largohen, ata do të kenë dritën jeshile në territor, duke i bërë të padobishëm njëzet vitet e qëndrimit atje.
“Amerikanët kanë humbur”, – shpjegojnë ata. “Por Afganistani, – shtojnë, – nuk do të përdoret si bazë për sulme të reja terroriste. Ne nuk kemi nevojë për të dhe nuk kemi asnjë qëllim”.
Por jo vetëm kaq. Dhjetë vjet pas vrasjes së atij që konsiderohet si “Mbreti i Terrorit”, grupet xhihadiste ende po veprojnë të vrasin, në hijen e kartelit të ashtuquajtur tashmë, ISIS.
Si nisi?
Por sot është edhe koha për të ripërshkruar hapat e atij që konsiderohet si kërkimi më i gjatë në histori. Pasi kishte identifikuar bunkerin e Bin Ladenit, CIA kishte marrë me qira një shtëpi disa kilometra larg. Për muaj me radhë, ata kishin shpresuar të përgjonin numrin një të terrorizmit botëror.
Agjentët 007 amerikanë, kurrë nuk ishin në gjendje ta fotografonin atë, por urdhri për të vepruar u mor atë ditë në fillim të majit, nga e cila fotografia ka mbetur në histori në Shtëpinë e Bardhë, në “Situation Room”, një imazh që ish-presidenti Donald Trump do ta kopjojë disi, pas operacionit të forcave speciale në Siri për të vrarë udhëheqësin e Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Bagdadi.
Kush ishte Osama Bin Laden
I lindur në Riad në mars 1957, i shtatëmbëdhjeti nga 54 fëmijë, Osama i ri thuhet se ishte frymëzuar nga takimi i tij me Allahun gjatë një pelegrinazhi në vendet e shenjta të Mekës dhe Medinës. Ajo që është e sigurt, është se vdekja e babait të tij të pasur, manjati Mohammed Bin Laden, në një aksident ajror në vitin 1968, e lejon djalin, vetëm 11 vjeç, të trashëgojë një pasuri të vërtetë, të vlerësuar në rreth 80 milionë dollarë.
1979-ta, është viti i pikës së kthesës: trupat sovjetike pushtojnë Afganistanin dhe Osama, i cili u diplomua në inxhinieri në Jeddah, u afrohet muxhahedinëve që luftojnë ushtarët e Ushtrisë së Kuqe.
Duke iu përgjigjur thirrjeve për luftë të shenjtë, në vitin 1984, i riu saudit arrin në Afganistan, ku financon dhe merr kontrollin e një rrjeti prej 20,000 luftëtarësh islamikë të rekrutuar nga e gjithë bota.
Një përvojë që do ta lejojë atë të kthehet në atdheun e tij të vlerësuar si një hero. Dollarët amerikanë, të cilët u futën në kontekstin e Luftës së Ftohtë, ndihmuan në krijimin e rrjetit të tij muxhahedin, me bekimin e njerëzve të “Langley”-t.
Kështu, gjatë pushtimit irakian të Kuvajtit në vitin 1990, Osama ofron “ushtarët” e tij në Riad, i cili megjithatë preferon të mbështetet në SHBA, duke mirëpritur 300,000 trupa amerikane (përfshirë shumë gra).
Që atëherë, njeriu me mjekër të gjatë, do të bëhet pak më shumë se një fantazmë, për të cilën thashethemet dhe historitë e të gjitha llojeve do të shumohen: mbase i sëmurë, mbase i vdekur, mbase duke vuajtur nga një sëmundje e veshkave, që e detyron atë të udhëtojë midis shpellës në të cilën strehohet dhe spitali.
Paralajmërimet dhe sulmet ndaj interesave euro-atlantike
Përveç shfrytëzimit të muxhahedinëve të tij, flitet për një seri mesazhesh, në të cilat “Sheiku i Terrorit” merr përgjegjësinë për aktet terroriste dhe godet kundër udhëheqësve të gjysmës së botës, përfshirë Benedict XVI dhe Barack Obaman.
Videoja më e fundit, është nga janari 2011, në të cilën Bin Laden lëshon një paralajmërim të ashpër për Francën, duke kërcënuar të vrasë disa pengje transalpine nëse Parisi nuk tërhiqet nga Afganistani.
Do të jetë vetë Bin Ladeni, i cili, në tetor 2001, në një intervistë për “Al Jazeera”-n, dha shpjegimin e origjinës së emrit, që në arabisht do të thotë “Baza”.
“Emri i Al Kaedës u krijua shumë kohë më parë rastësisht, – do të shpjegojë ish-sheiku. – I ndjeri Abu Ubayda al-Banshiri, krijoi kampe trajnimi për muxhahedinët tanë kundër terrorizmit sovjetik. Ne i quanim ata Al-Kaeda. Emri mbeti”.
I dëbuar nga Arabia Saudite në vitin 1994, Bin Laden gjen strehë në Sudan, ku fillon planifikimin e operacioneve në një mënyrë të zgjeruar. Më 23 shkurt 1998, së bashku me Emir Ayman al-Zawahiri, Osama nënshkruan fetvanë e tij të parë: shpallja fetare thotë se “vrasja e amerikanëve dhe aleatëve të tyre është një detyrë për çdo mysliman”.
Gjashtë muaj më vonë, dy bomba goditën ambasadat e SHBA-ve në Kenia dhe Tanzani. 224 njerëz vdesin dhe të paktën 5,000 janë plagosur. Bin Laden është i dyshuari numër 1 dhe emri i tij shfaqet në listën më të kërkuar të FBI-së.
Përveç bombave “afrikane”, besohet se përfshihet në një seri sulmesh të tjera, duke përfshirë atë të vitit 1993 në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork (6 të vdekur).
Dhe është pikërisht një sulm i ri, spektakolar në zemrën financiare të botës, më 11 shtator 2001, që e bën Bin Ladenin të hyjë në legjendën e terrorit. Presidenti amerikan i kohës, George W. Bush, i shpall luftë, duke vendosur një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për “kokën” e tij.
Si u diktua lajmësi i tij dhe sulmi në Abbottabad
Vendndodhja e tij e fundit, daton në 2001-in, kur inteligjenca amerikane dhe pakistaneze e raportuan në zonën Kandahar të Afganistanit. Për më tepër, CIA gjithmonë ka besuar se “Sheiku i Terrorit” ishte fshehur midis Afganistanit dhe Pakistanit, në malet e Tora Boras.
Shërbimet sekrete më të fuqishme në botë, ato amerikane, u deshën dhjetë vjet për ta gjetur atë, një gjueti në të cilën ata përdorën teknologjinë dhe mjetet më të sofistikuara, por në të cilin, faktori njerëzor ishte gjithashtu jetik.
Në fund, çelësi për gjetjen e tij, ishte lajmësi i tij: e dhëna që çoi në vendin e fshehjes së Bin Laden në Abbottabad (Pakistan) ishte një telefonatë e përgjuar nga SHBA, e bërë nga i dërguari i besuar i udhëheqësit të Al Kaidës, Abu Ahmed al Kuvajti.
Ky i fundit, shërbeu si një lidhje midis Bin Ladenit dhe militantëve të tij, sepse rezidenca trekatëshe e okupuar nga udhëheqësi i Al Kaidës, nuk kishte linja telefonike ose internet. Por sa herë që Al Kuvajti ose njerëz të tjerë në shoqërimin e Bin Ladenit, dëshironin të flisnin në telefon, ata udhëtonin për më shumë se një orë e gjysmë në makina, përpara se të fusnin baterinë në celularët e tyre.
Sidoqoftë, përmes tij, spiunët e SHBA-së arritën të lokalizonin rezidencën në Abbottabad: ata vunë re atëherë, se ishte një person, i cili çdo ditë zbriste për një shëtitje në një oborr të brendshëm të shtëpisë, por nuk dilte kurrë jashtë.
Falë imazheve satelitore, inteligjenca amerikane ishte në gjendje të mblidhte informacione të mjaftueshme për të identifikuar njeriun që ecte si Bin Ladeni (ata e bënë këtë falë fytyrës dhe gjatësisë së tij, sepse nuk ishte e mundur të sigurohej një imazh mjaft i qartë i fytyrës).
Operacioni dhe nata e 2 majit 2001
Pasi të ishte identifikuar shënjestra, kishte mbetur vetëm të prisnin kushtet optimale për të vendosur datën e operacionit ushtarak amerikan: 2 maj 2011. Atë natë në Abbottabad, kishte një hënë në rënie dhe një temperaturë prej 32 gradë. William H. McRaven, i cili mbikëqyri operacionin, tha në një intervistë të fundit me revistën prestigjioze “CTC Sentinel, West Point Military Academy”, se njerëzit e tij dëshironin që ai të ishte sa më diskret dhe temperatura jo shumë e lartë.
Sipas disa zyrtarëve, në të vërtetë, u deshën dhjetë vjet për gjetjen e tij, sepse po kërkohej në vendin e gabuar.
Ai mendohej se ishte fshehur në një vend të largët dhe jo në Abbottabad, vetëm 60 kilometra larg Islamabadit.
Bëhet fjalë për një nga operacionet më të rëndësishme në historinë e spiunazhit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pas saj, janë nxjerrë mësime që janë aplikuar vitet e fundit, për shembull në bastisjen për të vrarë liderin e Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, në vitin 2019 gjatë një operacioni amerikan në Sirinë veriore.
Çfarë ka ndryshuar për SHBA-të?
Ajo që duket e sigurt, është se dhjetë vjet pas vdekjes së Bin Ladenit dhe kreut të vetëshpallur të “Kalifatit” në 2019-ën, të dyja organizatat ende mbijetojnë, por janë shumë të dobëta në veprimtari.
Dhe ata që janë në krye të inteligjencës amerikane, tani kanë përparësi të tjera përveç terrorizmit, në një botë ku, për shembull, SHBA-të po konkurrojnë për hegjemoninë botërore me Kinën.
Kreu aktual i Al Kaidës, mjeku egjiptian Ayman al-Zaëahiri, më pak karizmatik, është reduktuar në një prani virtuale, e dëgjuar rrallë, por rrjeti ende funksionon dhe shpërndahet midis Jemenit, Sirisë, Somalisë dhe Afrikës së Veriut.
Bilanci i këtyre dhjetë viteve është gjithsesi i errët dhe pa veprime operative të terroristëve të mbetur.
Përshtati në shqip: Gazeta “Si”