Niçe, një nga filozofët më të rëndësishëm të shekullit të 19-të, së bashku me Sigmund Frojdin dhe Karl Marksin, janë quajtur edhe “filozofët e dyshimit”, nisur nga dëshira që kishin për të demaskuar gënjeshtrën e fshehur nën vlerat e sajuara të racionalitetit dhe të vërtetës. Niçe, kryesisht, foli për vullnetin për pushtet. Sipas Niçes, kultura perëndimore jeton, duke u përpjekur të vendosë racionalitetin në të gjitha aspektet e jetës. Qysh në zanafillën e kulturës perëndimore në Greqi, racionaliteti ka qenë simptomë e dekadencës. Kështu, gjithçka që kundërshton vlerat e ekzistencës instiktive dhe biologjike të njeriut është dekadente./Konica.al
Ç’njeri ishte ky filozof i famshëm?
Kur mendojmë për filozofinë na vijnë vetiu në mendje klasikët Aristoteli, Platoni ose Epikuri, etj. Gjithsesi, nëse mendojmë për autorë më të fundit është Fridrih Niçe, i cili qe thellësisht i interesuar për tri tema: ideja e mbinjeriut, sosja e besimit si model vlerash në shoqërinë moderne dhe reflektimet mbi të mirën dhe të keqen. Ndikimi i tij u shtri edhe te të tjerë filozofë, shkrimtarë dhe figura me ndikim të shekullit të 20-të. Riinterpretimi i lirë i pjesëve të shkrimeve të tij, u përdor për të justifikuar veprime të shumta të partisë naziste në vitet 1930. Idetë e Niçes ishin revolucionare dhe asokohe shërbyen si burim i rëndësishëm për nazizmin, duke e përshtatur me ideologjinë e tij. Niçe botoi punime të shumta, duke dhënë një kontribut të konsiderueshëm në filozofi. Tekstet e tij, megjithëse trajtojnë çështje filozofike, përbëjnë një lexim të jashtëzakonshëm dhe mjegullojnë disi vijën e hollë që ekziston hera-herës, mes letërsisë dhe asaj, thjesht filozofike. Një nga autorët më revolucionarë në historinë e filozofisë, idetë që shënuan një para dhe pas, rrënjësisht të ndryshme nga tradita e mëparshme.
Fridrih Niçe lindi në Rocken bei Lutzen, Prusi, më 15 tetor 1844. I ati ishte predikues luterjan, që i ushqeu të birit një dashuri të pakushtëzuar për Zotin dhe për jetën fetare. Mirëpo, ai vdiq mes dhimbjeve, kur Fridrih ishte vetëm katër vjeç, çka duket se la gjurmë të thella te fëmija dhe që nuk arriti ta rikuperojë kurrë. Dashuria e pamasë që ndjeu për të atin, të cilin e konsideronte njeri të mirë dhe vuajtjet e shkaktuara nga Zoti me vdekjen e parakohshme, tronditën themelet e jetës së Niçes. Kështu, ai mbeti i zhytur në një disonancë të thellë njohëse që në foshnjëri. Niçe nuk arrinte ta kuptonte, sesi një Zot dashamirës mund të shkaktojë një mundim të atillë mbi dikë që i kishte shërbyer atij, siç bëri i ati. Ai studioi një përzierje të letërsisë, gjuhësisë dhe historisë në Universitetin e Lajpcigut. U takua me Riçard Vagnerin dhe krijoi miqësi, gati në të njëjtën kohë që e tërhoqën edhe shkrimet e Artur Shopenhauerit. Vagner dhe Niçe. ndanin pasionin për Shpenhauerin edhe pse, ishte po kjo, që çoi në zbehjen e miqësisë mes tyre. Niçe dha mësim si profesor i filologjisë në Bazel, kur mbaroi studimet. Ishte çasti kur filloi të distancohej nga mendimi i Shpenhauerit dhe filloi të shkruante veprat e para, duke u përqëndruar në vlerat e reja të shoqërisë moderne. Miqësia me Vagnerin u përkeqësua, ndërsa idetë e kompozitorit përqendroheshin në procesin moral që shpengon qenien njerëzore nga jeta. Vagner ishte haptas antisemit dhe jashtëzakonisht egocentrik. Me gjasë, Niçe i konsideroi idetë e mikut, tradhti ndaj parimit të estetikës që lavdëron jetën mbi të gjitha./Konica.al
Gjatë viteve 1880, Niçe vuajti nga një çrregullim nervor. Më pas, iu desh të izolohej plotësisht për një sezon të gjatë, izolim i pasur me një periudhë shumë të frytshme, pasi zhvilloi pikat kyçe mbi të cilat do të mbështeteshin bazat e mendimit të tij filozofik. Një nga deklaratat e tij të famshme, filloi të merrte formë në atë fazë: “Zoti ka vdekur, Zoti prehet i vdekur dhe atë e vramë ne”. Nihilizmi, me të cilin do të njihej, filloi të forcohej në mendimin e tij. Refuzimi ndaj krishtërimit dhe vlerave si një forcë e rëndësishme në shoqëri, u bë gjithnjë i më e fortë./Konica.al
Pse nihilizëm? Pse ka vdekur Zoti?
Nuk është se Zoti vdiq në kuptimin e ngushtë të fjalës, porse, për Niçen, nuk kishte asgjë se ku të besonte, nuk ekzistonte më universaliteti i vlerave morale. Niçe shkatërron vlerat e vjetra, hedh poshtë autoritetin dhe nënshtrimin e tufës, ai ndërton idenë e mbinjeriut, vullnetin për pushtet, krijimin dhe shkatërrimin e vlerave. Ai u largua nga filozofia tradicionale, duke na treguar idenë e kthimit të përjetsisë dhe vendos vullnetin për pushtet përtej së mirës dhe së keqes. Kështu, u formua mendimi i një prej kontribuuesve më të rëndësishëm të filozofisë bashkëkohore. Shkroi disa nga veprat më të njohura të epokës: “Kështu foli Zarathustra”, “Përtej të mirës dhe së keqes”, “Gjenealogjia e moralit” dhe “Perëndimi i idhujve”. Ideja e mbinjeriut, individit që përpiqet të ekzistojë përtej asaj që konsiderohet e mirë dhe e keqe, paraqitet në “Kështu foli Zarathustra”, duke e përfundur përshkrimin e tyre në “Antikrishti”, ku refuzimi absolut i tufës, i nënshtrimit, do të bëhet edhe më i dukshëm. Sëmundja i shkaktoi demencën, nga e cila nuk do të shërohej kurrë. Sëmundja nuk u diagnostikua në kohë, paçka se autorë të shumtë ia atribuojnë trashëgimisë, tumorit të trurit, sifilizit, madje edhe përdorimit të sedativëve. Në atë periudhë, qëndroi i izoluar në shtëpinë e familjes, me të motrën, në Weimar, Gjermani. Ishte koha kur Partia Naziste kishte filluar të kishte mbështetës në Gjermani – motra e Niçes, ishte një nga mbështetësit më të zjarrtë të ideve të reja të nazizmit. Duket se ishte ajo, që, duke përfituar nga përkeqësimi i aftësive mendore të të vëllait, u dha pjesën më të madhe të punës, miqve të saj në Partinë Naziste. Madje, besohet se ajo organizoi vizita në shtëpi, për të treguar gjendjen e të vëllait, sikur ky të ishte një lloj spektakli i tmerrshëm. Fridrih Niçe, vdiq më 25 gusht 1900.
Koncepti për kuptimin e ekzistencës, moralit dhe individualitetit të njerëzve ndikoi shumë në punën e filozofëve të mëdhenj të shekullit XX, si Sigmund Frojd, Carl Jung, apo Mishel Foko. Pas vdekjes, Partia Naziste përdori disa nga punimet e tij, megjithëse ky ishte një përdorim mashtrues, selektiv dhe jashtë kontekstit të disa prej ideve më të rëndësishme. Veçanërisht ideja kontroverse e mbinjeriut, mund të jetë përdorur vërtet negativisht. Njerëzit dashakeqë mund ta interpretojnë si epërsi të disa personave mbi të tjerët, mirëpo Niçe ishte kritik ndaj tufës, idetë e tij ishin shumë larg mendimit nazist. Për më tepër, Niçe kontribuoi jashtëzakonisht në interpretimin apolonian dhe dionisian, duke e zbatuar atë në artet e ndryshme. (Në Greqi, humbi Dionisi (jeta) dhe fitoi Apoloni (arsyeja). Ndëshkimi ynë është njëherazi fati ynë: të kapërcejmë formën simbolike dhe të kalojmë në formën materiale. Mënyra e vetme, për ta zmbrapsur këtë dënim: vdekjen.
I çmendur, apo i logjikshëm? Arsye, apo jo? Niçe ishte përtej kësaj. Ai është nga ata autorë që ndërthur logjiken me alogjiken, çfarë mjegullojnë nocionet e së mirës dhe të keqes.
Për Niçen dhe kontributin e tij në filozofi, mund të shkruhen faqe të pafundme. Megjithëse, nuk ka mënyrë më të mirë për ta njohur Niçen, sesa përmes vetë Niçes. Pra, duke u kredhur në rreshtat e tij, në punën e tij, trashëgiminë e tij themelore./Konica.al