MENU
klinika

“Hapni kutitë”!

Presidenca i përgjigjet Ballës: Zero vëmendje ndaj Kuvendit

04.05.2021 - 13:09

Presidenca i përgjigjet kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili sulmoi sot nga foltorja e Kuvendit Presidentin Ilir Meta, teksa tha se nisma për shkarkimin e këtij të fundit nuk është tentativë për të kapur institucionin e Kreut të Shtetit, por për të zgjedhur një President mbi palët për rrugën europiane të Shqipërisë.

Zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi, shkruan në “Facebook” se vëmendja ndaj Parlamentit me zero opozitë është zero, ndërsa bën thirrje që të hapen kutitë e zgjedhjeve të 25 prillit.

“Zero vëmendje ndaj Parlamentit me Zero opozitë. Ndryshimi është brenda në kuti. Hapni kutitë! Numëroni dhe rinumëroni me transparencë çdo votë sipas Kodit Zgjedhor. Çdo shkelje dhe manipulim të evidentohet me qetësi deri në fund të procesit! Shqiptarëve nuk mund t’ju grabitet kurrsesi vota dhe vullneti i shprehur përmes saj. 🇦🇱”, shkruan Blushi.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvend, Taulant Balla, foli mbi shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta.

Ai tha se shkarkimi nuk është tentativë e mazhorancës për të kapur institucionin e presidentit, por vendosjen e një personi aty, që do të jetë mbi palët dhe do të kontribuojë në çuarjen përpara të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Nuk dua të flas për procedurën e shkarkimit të Presidentit. Por dua t’ju them që unë vlerësoj që është në dinjitetin institucional të këtij Parlamenti që e mbyll mandatin në 9 shtator, unë t’ju them që në respekt të këtij dinjiteti institucional ne respektojmë vullnetin masiv të qytetarëve, tek demokratët e thjeshtë të këtij vendi që janë ndier më të fyer sesa ne që në krye të atij vendi vetëm President s’ka qenë. Në kërkesën e firmosur nga 50 deputetë ndodhen të gjitha argumentet. Nëse shkarkimi është për të kapur institucionin e presidentit, e kanë gabim.Ne duam të gjithë së bashku, që Shqipëria të ketë një president mbi palët. Një president që të punojë me të gjitha forcat politike dhe në çuarjen përpara të Shqipërisë në BE. Nuk duam president që të jetë ditën president dhe natën kryetar shtabi elektoral të një partie. Shqipëria meriton një hetim të plotë të sjelljes së Presidentit para dhe gjatë fushatës zgjedhore dhe natyrshëm që Kuvendi i Shqipërisë që është i pari në ndërthurjen institucionale që do të shprehet me votë. Do të jetë Gjykata Kushtetuese që do të përcaktojë më pas. Në këtë këndvështrim biem të gjithë dakord, që presidenti duhet hetuar”, tha Balla.