Dyqind vjet pas vdekjes, perandori vazhdon të provokojë debate të nxehta. Ndërsa “Élysée” përkujton këtë të mërkurë, vendin e tij brenda një historie republikane, disa kundërshtojnë homazhet që i bëhen njeriut i cili, rivendosi skllavërinë dhe shtypi liritë./Konica.al
Napolon Bonaparti vdiq më 5 maj 1821, në moshën 51-vjeçare, në Shën Helena, një ishull i shkretë në mes të Atlantikut jugor, ku jetonte në mërgim.
“Napoloni rivendosi skllavërinë në vitin 1802, kurse më 2001 parlamenti francez deklaroi me ligj, se skllavëria koloniale ishte krim kundër njerëzimit”, – deklaron Georges Michel, historiani haitian në Port-au-Prince. Po ashtu, historiani sheh një lloj ironie në mënyrën sesi vdiq francezi më i famshëm. “Në të njëjtën mënyrë që Napoloni rrëmbeu Toussaint Louverture dhe e vendosi në robëri, po ashtu e përfundoi jetën e tij në robëri. Ai do të ketë të njëjtin fat si Toussaint Louverture”. I vdekur, ashtu si në jetë, Bonaparti po përçan opinionin dhe po zgjon ndjenja të fuqishme për ngjitjen dhe rënien e tij nga pushteti, kontributet në Francë dhe trashëgiminë e shpërndarë përtej Karaibeve, veçanërisht në Haiti, ku shenja e tij është skalitur në një histori të përgjakshme.
Udhëheqës largpamës apo luftënxitës?
Për admiruesit, Bonaparti konsiderohet si autokrat i ndriçuar dhe arkitekt i Francës moderne. Krijimi i shkollave të mesme shtetërore të njohura si “Lycées”, ndjekur nga elita e vendit si pjesë e reformës së tij në sistemin arsimor, mbetet një gur themeli i sotëm. Kontributi ligjor në Kodin Civil shfuqizoi privilegjet feudale, ligjet e unifikuara dhe formoi bazën e ligjit të sotëm civil francez. Po ashtu, ai organizoi Francën me qeverinë e strukturuar e të centralizuar.
Për pragmatistin, ai promovoi shkencën dhe rivendosi fenë, duke i vendosur judaizmin, protestantizmin dhe katolicizmin në të njëjtën bazë – jo sepse ishte besimtar, por sepse e shihte si domosodshmëri politike. Në epokën e lulëzimit të tij, ai i solli Francës lavdi dhe shpëtim financiar pas mishmashit të Revolucionit Francez, vlerat universale të të cilit: “Liri, barazi, vëllazëri” – ndahen nga shumë kombe, përfshi Haitin, që e miratoi si moto zyrtare të republikës. “Sigurisht, Napoloni është i lavdishëm për shkak të fitoreve ushtarake”, – shprehet Peter Hicks, historiani britanik në Fondacionin Napoleon në Paris. “Mbase, nuk është mënyra se si mendojmë këto ditë. Por në atë kohë, ai ishte jashtëzakonisht i popullarizuar për shkak të suksesit të jashtëzakonshëm të ushtrisë franceze dhe natyrës në rritje të ushtrisë franceze”. Mirëpo, paralelisht me suksesin erdhën dështimet dhe vuajtjet njerëzore. Për kritikuesit, ai është një luftënxitës dhe despot që negocioi, manipuloi dhe politizoi rrugën e tij drejt fuqisë së gjithëpushtetshme përmes grushtit të shtetit në 1799. Pas 3-vjetësh, udhëheqësi i Francës ndryshoi kushtetutën për ta caktuar veten Konsulli i Parë për Jetën. Numri i përgjithshëm i viktimave civile dhe ushtarake që i atribuohen Bonapartit ndryshon: historiani francez Hippolyte Taine vlerëson 1.7 milionë vdekje, kurse të tjerët vendosin shifrën deri në 600 000. Madje, vësimet variojnë midis tre milionë dhe gjashtë milionë. Kjo është një nga arsyet që Bonaparti shihet si një zgjedhje e çuditshme për t’u përshëndetur si hero. Debati mbi trashëgiminë e Bonapartit vjen mes hulumtimit të thellë të shpirtit, i cili shtrihet përtej Shteteve të Bashkuara, rreth racizmit, diskriminimit, kolonializmit dhe skllavërimit të njerëzve me ngjyrë.
“Francezët e pranojnë që Bonaparti ishte problematik, – thotë Daut, – por nuk janë domosdoshmërisht duke përqafuar një vlerësim të gjithanshëm. Të pranojnë se Napoloni është racist, për ta nënkupton diçka për francezët dhe këtë gjë ata nuk mund ta përballojnë. Edhe kur ata janë të gatshëm të pranojnë faktet e asaj që ai bëri, dhe në fakt nuk po i mohojnë faktet, kjo i bën thellësisht shumë të pakëndshëm, sepse çfarë do të thotë kjo për gjithë pasurinë e vendit të tyre. Çfarë do të thotë kjo, për gjithë prosperitetin? Çfarë do të thotë kjo, për identitetin francez? Se është e ndërtuar mbi vrasjen e njerëzve, pra jo vetëm të vrasjeve në Haiti”./Konica.al
Jeta në mërgim e Bonapartit, mori një kthesë drastike. Si udhëheqës ushtarak, ai kreu disa fushata të suksesshme gjatë revolucionit francez dhe luftrave napoleonike, e kurorëzoi veten perandor dhe u mbijetoi dhjetëra atentateve. Veç, së fundmi dështoi dhe përfundoi i syrgjynosur, dy herë, së pari në Elba, më pas në Shën Helena. Dëbimi i parë ndodhi në 1814, pas një pushtimi të dështuar rus. Aleatët evropianë e detyruan të abdikojë dhe e dërguan Bonapartin në Elba, ku sundoi mbi 12 000 banorët e ishullit të vogël në brigjet e Toskanës. Iu premtuan para që nuk i erdhën kurrë nga një Francë e falimentuar dhe 300 ditët atje, i kaloi duke reformuar qeverinë dhe ekonominë e Elbës, duke mbikëqyrur ndërtimin e rrugëve dhe projekte të tjera. Bonaparti, i cili pretendonte se donte të jetonte “si drejtësi e paqes”, është i lirë të lëvizë: askush nuk e ruan dhe asnjë anije nuk mbikëqyr ishullin për ta ndaluar. Mirëpo, njeriu që ishte mësuar të udhëhiqte ushtritë dhe shërbeu si perandor i Francës për një dekadë, jetonte i shqetësuar.
Kur Bonaparti u arratis nga Elba, në shkurt 1815, udhëheqësit e Evropës u takuan në të famshmen Konferenca e Vjenës, për të riorganizuar rajonin pas pushtimeve të tij. Ishin informuar për arratisjen dhe, më 13 mars, një javë para mbërritjes së tij në Paris, Bonaparti u shpall i jashtëligjshëm. Duke e parë si pengesë për paqen, ushtritë ruse austriake dhe britanike u bashkuan për herë të fundit kundër Bonapartit, në qershor dhe rrethuan Francën. Rezistoi tri ditë në betejën e Vaterlosë, së fundmi Bonaparti u përball me disfatën. Në pamundësi për të ikur në Amerikë, ai iu dorëzua britanikëve. U internua në Shën Helena, një koloni ndëshkimore në mes të Atlantikut të Jugut, ku kufiri tokësor më i afërt është 1 200 milje larg. Bonaparti i kalon ditët duke u kujdesur për kopshtin dhe duke rishkruar historinë në kujtimet e tij. Gjashtë vjet më vonë, kur i trokiti vdekja, thuhet nga kanceri i stomakut, trupi i Bonapartit u mbyll jo në një, por në një arkivol me katër shtresa: njëra prej kallaji, që mbante trupin e tij, dy të punuara me dru mogani dhe një tjetër, prej plumbi. U varros nën një shelg, në një varr 10 metra të thellë. Frika nga ndonjë shpërthim i besnikëve të Bonapartit dhe trazirat e mundshme në një Francë të brishtë politikisht, do ta mbante udhëheqësin e lindur në Korsikë, në mërgim edhe të vdekur. Do të kalonin 19-vjet para se eshtrat të ktheheshin në Francë. Kur trupi i tij u zhvendos në Francë, turma kureshtare mbushën rrugët për të parë kortezhin me arkivolin e tërhequr me kuaj.
Sot eshtrat e Bonapartit prehen në kompleksin “Les Invalides” në Paris. 200 vjet pas vdekjes së Napolonit, i urryer nga e majta, i admiruar nga e djathta, Emanuel Makroni do të mbajë një fjalim në Institutin e Francës, do të vendosë një kurorë me lule para varrit të Perandorit në “Les Invalides”./Konica.al