MENU
klinika

Nga Nishani tek Imami, krijohet lëvizja “Për PD”

Kush kërkon dorëheqjen e Lulzim Bashës?

07.05.2021 - 08:53

 Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani, dhe 6 ish-funksionarë të PD-së prezantuan dje lëvizjen “Për PD”.

Lëvizja me kritikë të kryetarit të PD-së kërkon dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të PD-së dhe inicimi i një procedure demokratike brenda partisë për zgjedhjet.

Në një konferencë për mediat, Edit Harxhi, pjesë e këtij grupi, tha se çështja nuk është vetëm te zgjedhja e kryetarit të ri, por te reformimi që duhet t’i bëhet partisë.

“Ne e kemi theksuar se këtu nuk është çështja e një kandidati që do të garojë në zgjedhjet e ardhshme. PD e ka një kandidat që është Fatbardh Kadilli, do ketë edhe shumë të tjerë, por këtu është çështja e reformimit. Dorëheqja e kryetarit të PDsë duhet të jetë e menjëhershme dhe e parevokueshme dhe më pas të diskutojmë modalitet. Nuk është gara për kryetarin e partisë, por është vizioni. Ne po themi që na duhet një reformim”, tha Harxhi, ndërkohë që prezantoi edhe propozimet e “Grupit të PD-së”, që sipas saj, kanë në thelb pikërisht reformimin në mënyrë që PD-së t’i kthehet dinjiteti.

“Ne si ‘Grupi për PD’, një grup brenda PD-së, propozojmë: një reformim të thellë të PD-së; modelin e hapjes dhe bashkimit të forcave brenda dhe jashtë vendit të atyre që janë larguar nga PD-ja apo që duan të vijnë në PD; kthimin në program të qartë të së djathtës konservatore moderne; ndryshimet statutore, duke përfshirë zgjedhjen e strukturave dhe kryetarit. Debatin e lirë dhe sistemin e primareve me programe të qarta politike për çdo kandidat, çdo demokrat brenda dhe jashtë vendit. Kjo PD mund ta nxjerrë vendin nga kriza politike, vetëm kjo parti mund të përfaqësojë vendin dhe vetëm kjo PD mund të fitojë. Në si grup “Për PD” jemi një grup i hapur, bëjmë thirrje për reflektim dhe ftojmë të mblidhen rreth vlerave e idealeve të PD-së”, vijoi Harxhi.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit Kombëtar, Bujar Nishani, u shpreh se do të shfrytëzojnë çdo hapësirë që përcakton statuti i PDsë për të bërë një proces demokratik, ndonëse sipas  Nishanit, Statuti i PD-së është bërë në mënyrë të tillë që të mos lejohen proceset demokratike.

“Kërkojmë ringritjen dhe riformatimin e PD-së. Synojmë institucionalizimin. Ne kërkojmë që të garantojmë figurën e PD-së mbi bazën e institucioneve të hapura dhe demokratike. Statuti aktual i PD-së është ndërtuar që të mos u shërbejë aksioneve demokratizuese. Është një statut që nuk të lë mundësi institucionale për angazhim. Kryetari i Këshillit kombëtar thërret Këshillin Kombëtar vetëm me lejen e PD-së”, tha Nishani.

BASHKËQEVERISJA PS-PD

Anëtarët e Lëvizjes “Për PD” u pyetën edhe për një mundësi të bashkëqeverisjes PS-PD. Një prej themeluesve të PD-së, Arben Imami, foli me tone të ashpra ndaj kryedemokratit Basha nëse do të kishte vërtet një bashkëqeverisje dhe do të shmangte garën brenda PD-së.

“Po i them këtu Lulzim Bashës, do të jetë vrima e miut 500 grosh në qoftë se mendon që me koalicion me PS-në, me zgjatje jo u vodhën votat, jo do hyjmë në Parlament, jo nuk do hyjmë në Parlament, do t’i futet një fushate. E vetmja rrugë e drejtë, e ndershme, e moralshme  është dorëheqja që i shërben partisë, përndryshe do të ketë ndeshje dhe do të ketë ndeshje serioze deri në fund. Politike. Nuk është ndeshje demash. Ne jemi në momentin që po i kërkojmë thirrje arsyes. Po thërrasim arsyen. Arsyeja thotë ke humbur dy palë zgjedhje dhe të tjerat po ashtu lokalet, është e arsyeshme, është e mirë për partinë, për vendin. Janë qëndrime morale që mbahen nga çdo njeri që ka lindur në Europë 200 vitet e fundit. E vetmja rrugë pas dy palë zgjedhjesh të humbura është largimi dhe respekti për atë që bën një akt të fundit të tillë. E mbani mend sa u rrit respekti për Fatos Nanon në momentin që dha në mënyrë civile dorëheqjen. E mbani mend që bëri të njëjtën gjë me shumë përgjegjshmëri politike Sali Berisha. Pas ezaurimit të kësaj faze, do të bëhet deri në fund lufta”, tha Imami.

Ndërsa sipas kreut të Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani, nëse kjo do të ndodhte, do të ishte sipas tij asgjësimi i alternativës qeverisëse në Shqipëri dhe një ‘tradhti e madhe dhe tentativë për të asgjësuar PD-në’. “S’kam informacion, por me sa duket, sot kanë qarkulluar disa lajme e normale kur ka kulisa, është e pamundur të marrësh informacion. Nëse ka një tentativë të tillë, është një tentativë që do të realizonte mesa duket atë që është droja më e madhe e opinionit publik, që ka ekzistuar dhe brenda PD-së: synimi për ta kthyer PD-në në një aneks të projektit të Ramës, të atyre që kanë kryer masakra elektorale, e ky do të ishte asgjësimi përfundimtar i PD-së”, tha Nishani./panorama