Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili sot nga Kuvendi i bëri thirrje Lulzim Bashës t’i bashkohet nismës për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta.
Ishte Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili përmes një postimi në Twitter, theksoi se gjëja e vetme me të cilën “duhet të merremi dhe sigurisht Taulant Balla nuk pranon të bëjë, është vjedhja më e madhe e votave në historinë e Shqipërisë”.
“Çdo çështje tjetër, synon që të shmang vëmendjen nga masakra elektorale Rama-Doshi-Rakipi, që është turpi i vetëm i Shqipërisë”, shkruan Bardhi.
Reagim i Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi
Gjëja e vetme me të cilën duhet të merremi dhe sigurisht Taulant Balla nuk pranon të bëjë, është vjedhja më e madhe e votave në historinë e Shqipërisë. Rama-Doshi-Rakipi e çoi vendin tonë në një masakër masive elektorale dhe viktimë janë qytetarët shqiptarë.
Detyra jonë është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend. Çdo çështje tjetër, synon që të shmang vëmendjen nga masakra elektorale Rama-Doshi-Rakipi, që është turpi i vetëm i Shqipërisë.
Deklarata e Ballës
“Thirrja jonë shkon edhe për Lulzim Bashën. Tashmë PD ka në këtë sallë deputetët që garuan në listat e saj më 25 prill. Do ishte në nderin e tyre të na bashkoheshin në këtë nismë. Meta para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore ka shkelur rëndë Kushtetutën. Ai nuk ka përfaqësuar unitetin e kombit por përkundrazi ka bërë thirrje për përplasje, thirrje që çuan deri në konflikte me armë”, do të deklaronte Balla në fjalën e tij në Kuvend, i cili miraton sot ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit.