MENU
klinika

Krahasuar me vitin 2019

Indeksi i shëndetit të bankave, i qëndrueshëm gjatë vitit 2020

08.05.2021 - 09:51
Indeksi i llogaritur nga Banka e Shqipërisë në fund të vitit të kaluar ishte në nivel të njëjtë në krahasim me fundin e vitit 2019.

Indeksi i shëndetit bankar u përmirësua në gjysmën e dytë të vitit 2020, duke konfirmuar ecurinë pozitive të sektorit përballë efekteve të krizës.

Indeksi i llogaritur nga Banka e Shqipërisë në fund të vitit të kaluar ishte në nivel të njëjtë në krahasim me fundin e vitit 2019. Gjatë vitit 2020, ky indeks ka regjistruar ecuri më të dobët në tremujorin e parë, ndërkohë që gjatë tremujorit të fundit të vitit ecuria e indeksit është përmirësuar ndjeshëm. Kjo ecuri është ndikuar nga përmirësimi në treguesit e përfitueshmërisë, eficiencës dhe likuiditetit, ndërkohë që cilësia e aktiveve dhe treguesi i kapitalizimit nuk kanë shënuar ndryshime të dukshme.

Në terma vjetorë dhe më të shtrirë në kohë, përfitueshmëria e sektorit bankar ka qenë disi më e dobët në kushtet e rënies së normës së fitimit dhe rënies graduale të marzhit neto nga interesat që prej vitit 2015. Si rezultat, nënindeksi i përfitueshmërisë është rritur nga 0.46 në 0.54 gjatë vitit 2020, duke regjistruar vlerat më të larta që nga viti 2013. Sipas metodologjisë që përdor Banka e Shqipërisë, një rritje e indeksit nënkupton përkeqësim të parametrit përkatës, ndërsa një ulje e tij tregon përmirësim të shëndetit dhe parametrave që e përbëjnë.

Rreziku i lidhur me likuiditetin ka shënuar një rritje të lehtë gjatë vitit të fundit, për shkak të një rënieje të vogël në raportin e aktiveve likuide ndaj aktiveve të përgjithshme, por kontributi i këtij përbërësi në nivelin e agreguar të rrezikut në kohë ka qenë përgjithësisht i qëndrueshëm.

Cilësia e aktiveve (kredia me probleme) paraqitet e qëndrueshme dhe kontributi i këtij dimensioni në rrezikun e përgjithshëm ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit. Që prej fillimit të vitit 2015, kontributi i cilësisë së aktiveve në nivelin e rrezikut ka rënë ndjeshëm dhe në mënyrë të vazhdueshme. Vlera e këtij treguesi ra nga 0.71 në mars 2015 në 0.44 në dhjetor 2020; rolin kryesor në këtë ecuri e ka dhënë ulja e konsiderueshme në raportin e kredive me probleme. Treguesi i lidhur me kapitalizimin nuk ka shënuar ndryshime në krahasim me një vit, ndërkohë që brenda këtij treguesi janë vërejtur lëvizje të vogla në vlerat e nëntreguesit të levës financiare dhe raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit. Dimensioni i eficiencës është përmirësuar gjatë vitit 2020, si pasojë e rritjes së lehtë të të ardhurave nga interesi.

Me një ndarje të përgjithshme, indeksi i shëndetit për bankat me rëndësi sistemike sinjalizon një situatë disi më të dobët në krahasim me një vit më parë. Për këtë grup bankash vërehet përkeqësim në treguesin e përfitueshmërisë dhe përmirësim në treguesit e eficiencës dhe likuiditetit. Banka e Shqipërisë ka klasifikuar si banka me rëndësi sistemike pesë bankat më të mëdha në vend.

Bankat e tjera, ato josistemike paraqesin përmirësim të indeksit në krahasim me një vit më parë. Përmirësimi reflekton përmirësimin e eficiencës dhe cilësisë së aktiveve. Ndërkohë, treguesi i likuiditetit paraqet shëndet më të dobët për këtë grup bankash në krahasim me një vit më parë. Në tërësi, gjatë viteve 2013-2020, indeksi i agreguar i shëndetit bankar ka ardhur në rënie, duke treguar përmirësim të shëndetit dhe rritje të qëndrueshmërisë së sektorit bankar.

MONITOR

"Duhen ndaluar ndërtimet e shfrenuara për të mbrojtur natyrën"

Turizmi po dëmton Greqinë!

Si përfitohet? Zerohen tri taksa vendore dhe…

Skema e qeverisë për pensionistët kryefamiljarë

Shkak, sulmet ruse në sektorin e energjisë!

Ukraina planifikon importe rekord të energjisë elektrike