Konfindustria vlerëson, se është me rëndësi thelbësore për ekonominë, biznesin dhe qytetarët shqiptarë, që procesi zgjedhor i 25 prillit të përmbyllet sa më shpejtë në kohë dhe në përputhje të plotë të standarteve demokratike.
Në këtë kuptim Konfindustria mbështet deklaratën e Komisionierit për Zgjerim Z. Oliver Varhelyi për zgjedhjet e 25 prillit si një shenjë e qartë, se BE dhe partnerët ndërkombëtarë po vëzhgojnë nga afër seriozitetin e Shqipërisë në plotësimin e detyrimeve integruese dhe euroatlantike, që kusht parësor për hapjen e negociatave kanë cilësinë e procesit zgjedhor.
“Konfindustria vlerëson, se Shqipëria e ka domosdoshmëri ringritjen ekonomike në vitin 2021 pas bilancit të dobët nga politikat e deritashme qeverisëse si dhe goditjet nga tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia Covid 19. Suksesi i sezonit turistik 2021 është i rëndësishëm si hap i parë për ringritjen. Përparësitë relative krahasimisht vendeve të rajonit në vaksinimin e popullatës, duhet të përkthehen në sukses të prekshëm ekonomik.
Konfindustria vlerëson, se Shqipëria ka nevojë për ndryshim thelbësor të politikave ekonomike qeverisëse të sotme. Sa më sipër mund të bëhet e mundur vetëm me qëndrueshmëri politike shoqërore, siguruar nga një marrëveshje afatgjatë ndërmjet gjithë palëve vendimarrëse, thellimit të Reformës në Drejtësi si dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë” shkruhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.