MENU
klinika

Shqipëria e 1918-ës në revistën prestigjioze

Shqipëria përmes fotove të “National Geographic”

17.08.2018 - 09:14

Nga Mal Berisha

Shqipëria është lis i rritur mbi një trung ilir. Ashtu si disa drurë të mëdhenj zënë me hijen e tyre një pjesë të madhe të lëndinës, mbretëria e shtriu hijen e saj mbi Epir, në veriperëndim të Maqedonisë dhe në më të shumtën e territoreve që sot quhen Jugosllavi. Ajo, gradualisht, u shkatërrua nën sulmin e furishëm të Filipit të Maqedonisë dhe të birit të tij të famshëm, Aleksandrit.

Më vonë, rreth kohës kur Roma kishte përfituar për vete nga parulla e luftës ‘Delenda est Carthago’, iu kthye pushtimit transadriatik dhe Ilirisë duke e vendosur atë në varësinë e tri perandorive.

Duke ndjekur ndarjen e Epirit, Iliria ra nën gotët dhe, më vonë, jugu i saj u përfshi nga pushtimet bullgare. Kështu, të shtyrë nga prapa, fiset ilire, epirote dhe maqedonase u shkrinë në një dhe, konkretisht, në atë që gjeografia e kohës së sotme e njeh si Shqipëria.

Asgjë nuk mbeti nga Lisi Ilir përveç lëndës shqiptare.

The National Geographic Magazine

Shtypi amerikan i ka kushtuar një vëmendje të posaçme Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë tërë kohës së ekzistencës së shtetit amerikan, por në mënyrë të veçantë gjatë shekullit XX. Janë të shumta entet botuese amerikane, të cilat janë marrë seriozisht me çështjen shqiptare.

Ndër to duhet veçuar Revista National Geographic e cila është, ndoshta, revista më e njohur, më prestigjioze, me tirazhin më të madh dhe një ndër më të vjetrat që ende botohet në tërë botën.

Qëkurse ajo filloi të botohej në vitin 1888, në të kanë gjetur pasqyrim, thuajse, tërë vendet, popujt, dukuritë dhe gjërat më interesante të botës. Që prej vitit 1908 e deri sot ajo, kohë pas kohe, i ka kushtuar një vend të veçantë edhe popullit shqiptar, atdheut të tij, Shqipërisë, ‘Vendit të Shqiponjave’ siç e kategorizon ajo, dhe trojeve etnike shqiptare në Ballkan.

Shqipëria në Revistën National Geographic  është shfaqur, për herë të parë, në vitin 1908 . Në atë kohë shteti shqiptar nuk kishte lindur ende. Shqipëria përmendet në shkrimet e bëra nga udhëtarë, të cilët kanë kaluar pranë ose nëpër Shqipëri. Në vijim ne e gjejmë Shqipërinë dhe shqiptarët në shkrime të viteve 1909, 1912, 1913 për të ardhur te shkrimi i parë i plotë, i ilustruar dhe plot informacion i shkruar nga Gjeneral Brigade i Ushtrisë Amerikane, George P. Scriven.

Shkrimi mban titullin, “Vëzhgime të kohëve të fundit në Shqipëri” dhe është botuar në gushtin e vitit 1918. Ky shkrim mund të themi se përbën edhe fillimin e një periudhe kur Shqipëria shfaqet në revistën National Geographic  më e plotë, me tiparet e saj të veçanta dhe në përshkrime sa romantike, aq edhe realiste. Në dhjetor të vitit 1918, në një shkrim të gjatë për Racat e Evropës , shkruar nga Prof. Edwin A. Grosvenor raca shqiptare zë një vend të rëndësishëm, përshkruhet plot me ngjyra interesante dhe në mënyrë mjaft shkencore.

Shkrimi i kushton vend të posaçëm racës shqiptare dhe e bën këtë me mjaft saktësi shkencore.

Të njëjtin qëllim ka edhe botimi i shkrimit ‘Racat dhe fetë në Maqedoni’. Edhe aty, shqiptarët, në atë pjesë të territorit të tyre në Ballkan, janë trajtuar me kujdes nga autori i shkrimit, Luigi Villari . Ai ka nxjerrë në pah origjinën dhe disa nga veçoritë e popullit tonë në atë trevë, që në atë kohë gjendej nën Perandorinë Osmane e që më pas ra nën pushtimin sllav.

Fotografi nga George P. Scriven (1918)

Kështjella e Ali Pashë Telepenës

Pas vitit 1918, shqiptarët përmenden në vitin 1921 në një shkrim të gjatë për italianët, ku arbëreshët tanë janë të pranishëm jo vetëm në shkrim, por edhe në fotografi. Më vonë, thuajse pas dhjetë vjetësh, në shkurt të vitit 1931 vjen shkrimi i Melville Chater me titull: “Mbretëria më e re e Evropës” – Pas shekujsh luftërash, më në fund Shqipëria gëzon një epokë paqeje dhe qëndrueshmërie – i shoqëruar nga një cikël i gjatë fotografish, me titull: ‘Bijtë e Shqipes’.

Po të shkonim sipas logjikës së paraqitjes kohore të elementeve të kombeve si yni, nga ana e revistës National Geographic, Shqipëria dhe shqiptarët do të duhej të rishfaqeshin në këtë revistë aty nga viti 1944 ose 1945. Por kjo nuk ndodhi. Në fakt nuk është aq e habitshme po të shohim ndryshimin dramatik që pësoi historia e shqiptarëve në rajonin e Ballkanit fill pas Luftës së Dytë Botërore. Një ndër dukuritë që kanë pasur më shumë ndikim, pikërisht në këtë pikëpamje, ishte armiqësia e hapur që shfaqte qeveria komuniste shqiptare ndaj çdo gjëje perëndimore, për rrjedhojë, edhe ndaj shtypit të lirë. Në këtë kuadër, kjo armiqësi pasqyrohet edhe në censurën ndaj kësaj reviste për të cilën nuk flitej kurrë në Shqipëri, por që, siç do të shohim, ajo vazhdonte të ripohonte shkencërisht vlera të pamohueshme të kombit tonë.

Është për të ardhur keq që gazetarë dhe udhëtarë të revistës National Geographic nuk arrinin të futeshin në Shqipëri për të vijuar pasqyrimin e jetës së ‘Popullit më romantik të Evropës’, siç i kishte cilësuar revista shqiptarët më se një herë. Kështu, shohim një mungesë të tejzgjatur të vendit tonë në këtë revistë, që vjen deri në tetorin e vitit 1980. Është shumë interesante të vëmë re sesi në këtë vit arritën të futeshin në Shqipëri dy qytetarë turq, gazetari i njohur Sami Kohen dhe fotografi Mehmet Biber . Revista National Geographic shfrytëzoi të vetmen mundësi që kishte për të depërtuar në guackën e izoluar shqiptare nëpërmjet këtyre dy gazetarëve të një vendi mik të Shqipërisë – Turqisë. Udhëtimi i tyre nuk u bë në të njëjtën kohë dhe shkrimi, në të vërtetë, është një përmbledhje e përshtypjeve që ata i dërguan revistës. Kështu, pas një heshtjeje prej më se pesëdhjetëvjeçare, Shqipëria u rishfaq në një formë të ndryshme nëpërmjet shkrimit shumë kuptimplotë: ‘Shqipëria e vetme kundër tërë botës’. Autorët e shkrimit sjellin një tablo të një realiteti të çuditshëm, e megjithatë, janë mjaft miqësorë dhe aspak përçmues ndaj asaj periudhe kohore të cilën vetëm ata që e kanë jetuar Shqipërinë e asaj kohe, mund ta përfytyrojnë.

Fotografi me ngjyra nga Luigji Pellerano (1931)

Kjo kështjellë përkujton heroin legjendar të shqiptarëve-Skënderbeun në Krujë.

Me këtë artikull, Shqipëria dhe shqiptarët hyjnë përsëri në ‘ciklin’ e vet normal të pranisë në këtë revistë. Në vitin 1990, një artikull i gjerë i revistës me titull ‘Jugosllavia, një shtëpi shumë e përçarë’13 shkruar nga Keneth C. Danforth, sjell një tablo të dhembshme të periudhës shtypëse milosheviçiane kundër shqiptarëve të Kosovës. Në këtë shkrim Kosova paraqitet si vendi i aparteidit në Evropë, ndonëse janë vetëm fillimet e asaj që do të ndodhte më vonë.

Në vitin 1992, një gazetar i njohur amerikan me baba serb dhe nënë shqiptare shfaqet me një artikull mbresëlënës nga ana emocionale, realist nga ana e pasqyrimit të situatës dhe interesant nga vlerat që sjell. Dushko Doder, një emër i njohur për librat e tij për Kremlinin dhe për Gorbaçovin, më vonë, edhe për biografinë e tiranit Milosheviç, si dhe për artikujt e botuar në Uashington Post, sjell në faqet e revistës një tablo të dhembshme të periudhës fill pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Titulli i shkrimit, po ashtu, është kuptimplotë dhe në kundërshtim të thellë me shkrimin paraardhës të revistës: “Shqipëria i hap dyert”.

Në vitin 2000, një gazetar tjetër i njohur, Priit Vesilind, boton shkrimin, ‘Shqiptarët, një popull i çbërë’, në të cilin gjejmë një pasqyrim krejt tjetër nga ai që çfarë National Geographic Magazine i kishte bërë kombit tonë deri në atë kohë. Është një shkrim, i cili, për herë të parë, ndërthur probleme të Shqipërisë me Kosovën. Shkrimi e paraqet popullin shqiptar si një të tërë, një popull që ka arritur në një cak të tillë, të cilit i përket e ardhmja dhe që është në vigjilje të marrjes së përgjegjësive të përbashkëta kombëtare.

Revista National Geographic sigurisht që u njoh vonë në Shqipëri. Në kohën kur Shqipëria shfaqet për herë të parë në faqet e kësaj reviste, shqiptarët ishin në përpjekjet e tyre historike që jo vetëm të fitonin lirinë nga Perandoria Osmane, por edhe të mësonin shkrim e këndim. Është koha e Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, që u mbajt në Manastir më 1908.

Fotografi nga Frederik Mur (1908)

Kryengritësit shqiptarë në veri të vendit

Kuptohet që, me atë gjendje që mbretëronte, pak njerëz në Shqipëri mund të njiheshin me këtë revistë ose me shkrime të tjera të autorëve amerikanë. Por edhe kur u shkrua artikulli i parë i plotë në vitin 1918 në këtë revistë, gjendja ishte thuajse, e njëjtë. Kjo kishte ndryshuar dukshëm në vitin 1931 kur u botua shkrimi i dytë i plotë, por, sigurisht, njohësit e gjuhës angleze ose të gjuhëve të tjera evropiane në të cilat botohej revista, ishin ende të paktë. Gjendja ndryshoi në të mirë të leximit pas Luftës së Dytë Botërore, por politika e ndjekur ndaj Perëndimit bënte që lexuesi shqiptar të mos dinte gjë rreth kësaj reviste sikundër as rreth botës që fillonte jashtë kufijve të Shqipërisë. Pas ndryshimeve demokratike, kur Shqipëria u hap, shqiptarët mësuan gjuhë të huaja, dolën nëpër botë dhe revista u bë e njohur për një masë të gjerë të tyre.

Është një fakt i njohur që revista National Geographic shquhet për fotografitë me fuqi të habitshme shprehëse, pa folur për cilësinë e tyre në planin teknik dhe artistik. Revista, që nga fillimi i botimit të saj, ka përdorur mjetet fotografike që kanë përfaqësuar kulmin e zhvillimit teknologjik të këtij arti të bukur. Shqiptarët, në këtë revistë, gjenden që prej fillimit të shekullit të kaluar. Fotografia e parë që kemi gjetur në të, është: ‘Rekrutë shqiptarë për truproje të sulltanit’ në shkrimin ‘Shënime për Maqedoninë’ shkruar në nëntor të vitit 1908.

Është interesant fakti se, edhe kur nuk ka shkrime të drejtpërdrejta për shqiptarët e mbetur jashtë kufirit të Shqipërisë, atyre u vjen në ndihmë fotografia. Kështu gjenden fotografi nga ‘Tregu i Prizrenit’, ‘Dy djem shqiptarë të Kosovës’, fotografi nga ‘Shqiptarët arbëreshë në Siçili’, fotografi nga ‘Shqiptarët në Maqedoni’, ‘Shqiptarët në Guci’ etj.

Me interes janë të gjitha fotografitë. Por ka prej tyre që ilustrojnë shkrime për racën njerëzore. E tillë është fotografia ‘Një burrë dhe një grua nga Shkodra’ në shkrimin The Races of Europe, i cili ka për qëllim të ilustrojë bukurinë njerëzore në Evropë nëpërmjet kësaj race kaq të pashme siç janë shqiptarët. Po kështu, në një shkrim për Malin e Zi në vitin 1971 botohet një fotografi e disa shqiptarëve të Plavës e të Gucisë, të njohur për tiparet e tyre kreshnike si alpet ku jetojnë.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët