MENU
klinika

BSH publikon të dhënat, 2.5 herë rritje krahasuar me 2020-ën

Bankat lulëzojnë pavarësisht krizës!

12.05.2021 - 07:53

Bankat në Shqipëri shënuan një tremujor të artë këtë vit pasi provigjionet për kreditë e këqija u reduktuan si pasojë e ndryshimeve rregullatorë kundër pandemisë ndërsa të ardhurat iu rritën e shpenzimet për interesa u ulën.

Të dhënat statistikore të publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto për periudhën janar-mars 2021 ishin 4.8 miliardë lekë (40 milionë euro), me një rritje prej gati 2.5 herë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2020, koha kur pandemia e koronavirusit sapo kishte filluar. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fitimeve ishin si pasojë e çlirimit të rezervave nga ulja e kredive të këqija por edhe të ardhurat nga aktiviteti i zakonshëm i bankave si huadhënia apo shërbimet e tjera, pësuan rritje mbresëlënëse pavarësisht krizës.

Të ardhurat nga interesat u rritën me 3% duke arritur në 12.7 miliardë lekë ndërsa shpenzimet për interesa, pra interesat që bankat paguajnë për depozitat e qytetarëve apo hua të tjera, u reduktuan me 14% duke rënë në 1.76 miliardë lekë. Edhe të ardhurat e tjera, ku përfshihen të ardhurat nga komisionet e shërbimeve, pësuan një rritje dramatike prej 65%, por këto të ardhura përbëjnë një pjesë jo të madhe të të ardhurave të zakonshme të bankave. Bankat dolën pa shumë dhimbje nga viti 2020, vit në të cilin ekonomia shqiptare e familjeve dhe bizneseve pësoi goditjen më të rëndë në dy dekada si pasojë e pandemisë.

Rreth 43 mijë shqiptarë mbetën të papunë ndërsa bizneset dhe familjet u detyruan në masë të gjerë të kërkojnë shtyrje në kohë të pagesave të kësteve të kredive. Bankat u lejuan nga Banka e Shqipërisë që të bëjnë riskedulime të tilla kredish pa i klasifikuar ato si kredi të rrezikuara, të tilla që kërkojnë rezerva kapitale. Kjo gjë bëri që bankat praktikisht të rrisnin volumin e kredisë në bilancet e veta (për shkak të mosshlyerjes së zakonshme), duke sjellë edhe të ardhura shtesë nga interesat. Bankat patën gjithashtu lehtësinë që të ulnin edhe më tutje pagesat për interesat e depozitave me apo pa afat, ndërsa depozitat u shtuan për shkak se qytetarët nuk kryen shpenzimet e zakonshme gjatë muajve të mbylljes nga pandemia. Rrjedhimisht, fitimet e bankave u rritën, në një kohë kur pjesa tjetër e ekonomisë u përball me pasojat e krizës. Bankat nuk janë aktivitetet e vetme ekonomike që dolën të paprekur nga kriza. Kuptohet që industria e shërbimeve mjekësore ka lulëzuar me shpejtësi për të plotësuar kërkesën e rritur nga qytetarët e sëmurë me COVID-19.

EFEKTE POZITIVE AFATGJATA

Kriza e koronavirusit të ri duket se do të jetë pasoja pozitive afatgjata si për bankat, ashtu edhe për qytetarët. Ndërsa vendi u mbyll dhe bankat filluan të punojnë me orar të kufizuar, një numër i lartë klientësh e pa si të domosdoshme të kalojë në shërbimet bankare online, shërbime që ishin të pranishme edhe para krizës, por që përdoreshin në masë relativisht të kufizuar nga qytetarët. Të dhënat e Shoqatës së Bankave tregojnë se volumi i transaksioneve bankare të kryera përmes internetit pësoi një rritje me 72% gjatë vitit 2020 ndërsa numri i transaksioneve u rrit me 50%. Edhe përdorimi i kartës apo i pagesave me kartë në pikat e pagesave me kartë POS, pësuan rritje, por në masë më të ulët. Gjatë vitit të kaluar pati gati 2.3 milionë pagesa me kartë me rritje 19% në krahasim me vitin e mëparshëm.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN