MENU
klinika

Nga Myslim Pasha

Përsëri kufijtë detarë, “medet o Shqipëri medet!”

12.05.2021 - 10:02

Në këtë kohë të rëndë pan demie dhe vaksinimi kur sapo përfunduan votimet, por s’kanë mbaruar ankimimet për shitblerje votash, në këtë kohë kur kërkohet shkarkimi i Presidentit të Republikës, papritmas ia behu problemi i kufijve detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Askush nuk e di se gjatë kësaj kohe, kur sapo ishte gjysëmmbyllur problemi i diskutueshëm i zgjerimit të Greqisë me 12 milje detare në Detin Territorial, në emisionin “Open” të Eni Vasilit, prej një muzgu informativ të opinionit shqiptar dhe e mungesës së tejdukshmërisë, u dallgëzua prapë deti, e kësaj radhe nuk flitej për “12 milje detare”, por për një “marrëveshje të re që qenka realizuar!”.

Unë jam një ekspert i gjeoshkencave, që kam denoncuar Marrëveshjen e Vitit 2009 dhe që sipas kronikës historike kam marrë pjesë në atë ditë gjykimi si ekspert i PS në ekipin zyrtar. Domosdo se s’mund të shkëputem dot nga angazhimi ynë i përbashkët në kontributet tona gjeoshkencore për të Drejtën Detare Ndërkombëtarë të Shqipërisë.

Në respekt të analistëve që i dëgjuam, habitshëm u soll në studio një vizion tjetër, u trajtuan tema madhore gjeopolitike e gjeostrategjike në Ballkanin Perëndimor, për ndarje kufijsh dhe kërcënim se mund të ndodhë diçka e madhe kontinentale… për gjithë rajonin dhe kjo e zhvendos alarmin në shkallë më të gjerë në ndeshje qytetërimesh dhe kulturash…

Doemos, e tëra kjo të pataks, se këto që trajtohen në ndarje të ujërave detare në Detin Jon të Veriut s’është asgjë në përqasje të tilla fantazmagorish.

Çështja detare aq komplekse u reduktua në një vështrim tjetër, ku nuk bëhet fjalë “për ndarje ujërash” po bëhet fjalë për “zona detare të shfrytëzimit të hidrokar bureve” “se marrëveshja e vitit 2009 ndante ujëra” e nuk ndante “naftën…”

Në vështrimin gjeografik të shtrirjes së bashkësisë së ishujve të Jonit të Veriut, u soll në qendër Othonoi, që u shpjegua edhe nga mitologjia, sikur prej aty ku ka rezerva të mëdha nafte kish kaluar Odiseja, heroi Ake, për t’u kthyer në Itakë. Unë po kthehem në shqetësimin tonë të përbashkët për të kujtuar se në fundin e vitit 2020, Kryeministri Rama brenda dy javësh lëvizjesh Turqi-Greqi-Shqipëri, e ndryshoi kryefjalën detare midis Shqipërisë dhe Greqisë.

“Harrojeni një marrëveshje të re”, deklaroi në udhëtim e sipër Kryeministri Rama, sepse të dyja vendet kishin rënë në ujdi, që çështjen e ndarjes së detit midis të dyja vendeve tona, do t’ia linin në dorë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagës. “Unë kam një ide shumë të thjeshtë dhe shpresoj që sa më shpejt të arrijmë dakordësi për të. Të mund të zgjidhim çështjen me ndihmën e të tjerëve, një palë e tretë që na ndihmon, ose më mirë përmes Gjykatës Ndërkombëtare”, deklaroi Rama.

Kjo deklaratë bëri të mundur që të merrej frymë më lirisht, por, ama, edhe për të menduar se sa vigjililentë duhet qëndruar për ndjekjen tekniko ligjore të këtij procesi me të panjohurat e tij. Por kemi të drejtë të flasim me dhimbje “Medet, o Shqipëri, medet!”.

Sepse do të duhej që t’u referoheshim disa vendimeve zyrtare të Republikës sonë, nëse qëndrojnë këto deklarata apo jo! Sepse askush nuk di asgjë dhe asgjëkund që gjatë kësaj kohe paskan vijuar bisedime dhe negociata me Greqinë.

Në këtë kornizë ku u mbërthye biseda në “Opinion” u fol për informacione të freskëta se këto bisedime dhe negociata po çojnë shumë shpejt në firmosjen e një marrëveshjeje të re. Ne të shkretët shqiptarë nuk paskemi të drejtë të pyesim për tejdukshmërinë e kësaj marrëveshje, ndër më të nxehtat dhe më të përgojuarat në aspektin kombëtar.

Ne të shkretët shqiptarë nuk paskemi të drejtë të njihemi me atë bashkësi negociatash me atë vendim apo projektvendim se cila është kjo vijë e re nderjes detare dhe kush kanë qenë negociatorët.

Ne të shkretët shqiptarë duam të pyesim se si është kapërcyer vendimi historik i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, aq i plotë dhe aq i qartë, çka e jep të dukshëm vizionin e ardhshëm të një marrëveshjes së re? Ne të shkretët shqiptarë duam të dimë se cilat janë institucionet shqiptare që e bartin mbi kurriz kompleksitetin e ndarjes detare midis të dyja vendeve dhe cilat konsulta kombëtare e kanë dhënë ekuilibrin shkencor dhe të së Drejtës Ndërkombëtare Detare, para se ajo të firmoset nga Kryeministrat e mandej të kalojë në Parlamentin e Shqipërisë?

Ne të shkretët shqiptarë, në mbarim të vitit që shkoi, sapo morëm vesh nga Kryeministri i Shqipërisë, në një deklaratë të tij, se Greqisë në bazë të Ligjit të Detit i është lejuar zgjerimi në 12 md të Detin Territorial, por s’kemi marrë vesh asgjë se ku është kjo marrëveshje, ku janë hartat e koordinatat e besueshme se nuk është cenuar e Drejta Ndërkombëtare Detare e Shqipërisë në Integritetin e saj Territorial për të kuptuar se a humb Shqipëria apo jo, në hapësirën e saj detare? Është dëgjuar në Shqipëri vendimi i fundit i Parlamentit grek më 20 janar 2021 për miratimin e projektligjit për zgjerimin e ujërave territoriale të vendit nga 6 në 12 milje në Detin Jon, por që nga ana e Qeverisë sonë duhej bashkëshoqëruar edhe me sqarime teknike-shkencore.

U bënë 12 vjet që Marrëveshja pushtuese (tani e rrëzuar) e Detit Jon të Veriut midis të dyja vendeve me aktin e saj të shitjes së detit, jo vetëm në hapësira të Detit Territorial, por dhe atë të hapësirave ekonomike ekskluzive, me një humbje të madhe të hapësirë detare, në të gjithë vijën e saj të ndarjes.

I drejtohemi kronikës historike dhe Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë se ajo që ka ndodhur tanimë është dokument historik dhe çdo shkelje e saj është tradhti kombëtare. Në epilog të këtij shkrimi, me dhimbje e themi se Republika jonë nuk është e zonja të njohë, të ruajë dhe ta përparojë tërësinë e saj kombëtare shqiptare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pse shpërfillim të drejtat e Gjirit historik të Sarandës?

Çështja e detit/ Koloneli Myslim Pashaj: Të mos bëjmë gabimet e 2009

“Deti” në Hagë/ “Shqipëria s’ishte e zonja të mbronte kufijtë detarë”

Koloneli Pashaj: Zgjidhja nuk do të jetë në favor të Greqisë. Humbasim…

“Zbulohet vija delimituese e palës helene në vitin 2018”

Kolonel Myslim Pashaj: Përulja më e madhe që ka bërë grupi i negociatorëve ndaj Greqisë