Rekordi botëror për vaksinimin kundër Covid-19 u fitua nga një vend i vogël pasi e gjithë popullata e rritur është vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës.
Ky vend i vogël, i cili është një nga të paktët në botë që nuk regjistroi raste të koronavirusit, njoftoi se fushata e imunizimit tejkaloi pritjet e saj.
Bëhet fjalë për Nauru, një ishull i vogël në Oqeanin Paqësor.
Brenda një muaji, 7,392 njerëz morën një dozë të parë të vaksinës Covid-19, ose rreth 108% e popullsisë së rritur të ishullit. Numri përfshin edhe të huaj që jetojnë atje.
“Ekipi i veprimit që ka ndërmarrë luftën kundër koronavirusit është i kënaqur me këtë rekord botëror dhe falënderon banorët që ndihmuan në mbajtjen e Nauru një vend pa Covid-19”, tha qeveria në një deklaratë.
Shefi i Task Forcës Kiren Keke pranoi se vendi më i vogël në botë ishte me fat që të kishte një numër të mjaftueshëm të vaksinave për të gjithë popullsinë e saj të rritur, por shtoi se testet diagnostike për koronavirus do të vazhdonin.
“Me ardhjen e çdo udhëtari ekziston ende një rrezik i hyrjes së koronavirusit në Nauru dhe ngjarjet e fundit në Papua Guinea e Re, Fixhi dhe India na tregojnë se sa shpejt mund të zhvillohet kjo,” tha ai.
Nauru mori doza të vaksinës AstraZeneca përmes programit Covax për shpërndarjen e vaksinave covid-19 në vendet më të varfra.