Robert Lewandowski ishte vendimtar për Bayern Munchen edhe këtë sezon, pavarësisht se fati i keq e la jashtë ndeshjeve çerekfinale ndaj PSG. Polaku do të vijojë të qëndrojë në Mynih.
Karl-Heinze Rummenigge, administrator i deleguar i Bayernit të Mynihut, në një prononcim të fundit për mediet në Gjermani ka siguruar tifozët e kampionëve të Bundesligës se Robert Lewandowski nuk ka shanse të largohet.
Drejtuesi i lartë i bavarezëve reagoi pas thashethemeve që kanë qarkulluar prej disa javësh për një lamtumirë të mundshme të sulmuesit polak: “Unë nuk kam asnjë dyshim se ai do të qëndrojë”.
Lewandowskit, i cili ka shënuar 292 gola në 327 ndeshje që kur u transferua në Bavari në vitin 2014, i përfundon kontrata në vitin 2023. Rummenigge në mikrofonat e “Sport1” theksoi se ai mbetet shumë i rëndësishëm për lojën e Bayernit:
“Kush do ta privonte veten nga një futbollist me 60 gola në vit? Pastaj, menaxherët e tij nuk na kanë thënë asgjë për largimin e tij të mundshëm”.
Prania e Lewandowskit në organikën e kampionëve të Bundesligës shihet madje si pengesë për blerjen e Erling Haalandit. Pak ditë më parë, Oliver Kahn, ish-portieri legjendar gjerman, që do të marrë rolin e Rummenigges më 1 janar 2022, theksoi se Bayerni nuk shpenzon shuma marramendëse për një lojtar si Haaland, sado i mirë të jetë, kur ka Lewandowskin.
Kur mbeten edhe dy ndeshje nga fundi i Bundesliga-s, Lewa ka realizuar 39 gola në 28 ndeshje që është aktivizuar. Një makineri golash. Ai është vetëm 1 gola larg rekordit të Gerd Muller, që në sezonin 1971-1972 realizoi 40 gola. Sulmuesi polak madje mund ta parakalojë, mjafton nga një gol për ndeshje.