MENU
klinika

Viron Gjymshana

Vetvendosja e Kurtit si version i Syriza të Cipras?!

16.05.2021 - 10:25

Ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi pak ditë më parë se dialogu me Serbinë do të ridalë në krye të agjendës së bisedimeve me Serbinë. Kjo deklaratë e papritur përbën një risi dhe një përthyerje të dukshme të qëndrimit të deritanishëm të qeverisë së re të Kosovës.

Në fakt ka kohë që bashkësia ndërkombëtare ia ka kërkuar këtë veprim kryeministrit  Kurti. Por ky i fundit deri pak kohë më parë dukej se tregohej mospërfillës ndaj kësaj kërkese të ardhur nga Uashingtoni dhe Brukseli. Madje ai pat kumtuar me krenari se dialogu me Serbinë nuk përbënte përparësi në agjendën e qeverisë së drejtur prej tij.

Por deklarata e fundit e ministres së jashtme të Kosovës duket se dëshmon për një lloj sensibiliteti të ri të diplomacisë kosovare ndaj kërkesave të Perëndimit. Gërvalla, e lindur, rritur dhe formuar në Gjermani, duket se i ka « antenat » më të ndjeshme për të kapur sinjalet e Perëndimit se ato të kryeministrit të Kosovës.

Deklarata e ministrit të jashtëm të Bashkimit Europian, Borrell, se diplomacia europiane nuk do i nisë vakancat pa rifilluar dialogu Beograd – Prishtinë në fakt përmbante një lloj paralajmërimi ndaj qëndrimit arrogant dhe mospërfillës të qeverisë kosovare.

Aq më shumë që më 20 prill Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, në një letër dërguar Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, ndër të tjera u shpreh se “SHBA-ja mbështet vazhdimin e dialogut të Kosovës me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila do të përqendrohej në njohjen reciproke”.

Sipas presidentit amerikan rruga për arritjen e këtij qëllimi është e vështirë prandaj kërkohet fleksibilitet dhe kompromise të vështira ! “Normalizimi i raporteve me Serbinë është thelbësor për Kosovën për të realizuar  potencialin e saj dhe për integrimin e plotë në institucionet euro-atlantike, – pohoi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

« Fleksibilitet dhe kompromise të vështira » – nënvizoi Biden.

Por a është e gatshme qeveria e Prishtinës për tu treguar fleksible dhe për të pranuar kompromis me Beogradin ?! Kjo është çështja. Aq më shumë që deri më tani Albin Kurti ka dëshmuar më shumë se një herë se kompromiset dhe fleksibilitetin nuk i ka në natyrën e tij !

« O të gjitha o asgjë », – duket se është deviza që e udhëheq atë. Dhe fitorja plebishitare në zgjedhjet e fundit veçse e përforcoi në këtë politikë të tij.

Por ka disa shembuj jo shumë të largët dhe jo shumë larg që dëshmojnë se edhe një fitore si ajo e Vetvendosjes mund të sfumohet dhe të pësojë fiasko në rast se i kundërvihesh politikës së Brukselit dhe Uashingtonit.

Rasti i Syrizas në Greqi është shembulli më i freskët. Udhëheqësi i kësaj force politike ishte po ashtu i ri, rreth të dyzetave dhe i pa provuar në politikë. Edhe ai vinte në pushtet pas një zhgënjimi që grekët kishin pësuar nga politika e deriatëhershme e partive tradicionale, Pasoku-ut dhe Demokracisë së re. Edhe Cipras deklaronte se do e shkulte nga rrënjët korrupsionin dhe nepotizmin që kishin pushtuar shtetin. Aq sa e kishin çuar vendin në buzë të greminës me një borxh të përgjithshëm prej afro 350 miliardë eurosh. Dhe Cipras pothuajse fitoi shumicën absolute të parlamentit grek.

Veçse me dy vende mangut.

Në krye të kësaj fushate “antiestablishment” gjendej ministri i ri dhe karizmatik i financave, Varufakis. Një marksist i njohur dhe i afirmuar. Ai iu kundërvu me të gjitha forcën direktivave të “trojkës” së përbërë nga institucionet financiare dhe politike të Brukselit dhe Uashingtonit.

Fundi dihet.

Katër vjet pas fitores triumfale, Syriza pëson një humbje të hidhur në zgjedhjet e vitit 2019.  Nê krye të vendit rivjen « Demokracia e re » e udhëhequr nga Micotaqis.

Flaka dhe shpresa që ndezi « Syriza » u shua. Populli iu rikthye « zotërve » të vjetër të Olimpit.

Presioni ndërkombëtar ndaj « Syrizas » ishte vendimtar në këtë përmbysje.

Lajmi i mirë është se Prishtina duket se e ka kuptuar leksionin.

Ndofta edhe kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit ka qënë domethënëse.

Kosova mbetet sot vendi i fundit në Ballkan përsa i takon vaksinimit të popullsisë sê saj. Krejt ndryshe psh nga Shqipëria që udhëheq në këtë drejtim.

A thua se Kurti nuk po interesohet për të vaksinuar banorët e vendit të tij ?! Kjo ka shumë pak gjasa të jetë e mundshme.

Apo ai po i gjen të mbyllura dyert ?!

Brukseli dhe Uashingtoni po presin tani sinjale pozitive nga Prishtina. Dialog, fleksibilitet dhe kompromise të vështira.

Më së fundmi Prishtina duket se e ka kuptuar mesazhin.

 Pêrgatitur për « Tema » nga Viron Gjymshana

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Kurti 2” i kalon 52 ditë qeverisje

Si ka ecur deri tani drejtimi nga Albin Kurti?


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!