MENU
klinika

Ja çfarë thonë krerët e partive

A do të marrin pjesë opozitare në takimin e ftuar nga Kurti?

22.05.2021 - 09:17

Dy partitë politike opozitare që janë pjesë e Kuvendi të Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK] dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], thonë se do të marrin pjesë në takimin që e ka thirrur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurse, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, nuk do të shkojë në takim te kryeministri Kurti. Kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj thuhet se përmes një letre i është përgjigjur kryeministrit Albin Kurti, duke e njoftuar se nuk do të shkojë në takim me të.

Hoxhaj përmes kësaj letre, ka kërkuar nga kryeministri Kurti që t’i saktësojë temat e diskutimit.

“Ju duhet t’i emërtoni saktë temat me emrat e tyre. Për çfarëdo ‘çështje madhore’, ju konfirmojmë gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar hapur dhe në interes të qytetarëve dhe të shtetit në Kuvendin e Kosovës”, thuhet të ketë shkruar Hoxhaj në letrën e tij.

 

 

Kurti ka ftuar liderët e partive opozitare për të folur, siç ka thënë ai, në “shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje në interes të Kosovës”.

Kurti nuk ka cekur se për çka do të bisedohet, mirëpo opozita e sheh si iniciativë të Kurtit për të folur për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, për të gjetur një zgjidhje përfundimtare mes dy vendeve.

Partitë opozitare kanë thënë se nuk do të përfshihen drejtpërdrejt në negociata me Serbinë, sepse kjo i takon qeverisë, mirëpo ata do të shërbejnë si gardianë të ekzekutivit, kur flitet për vendime të rëndësishme për vendin.

Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duhet të krijojë një situatë të favorshme politike për opozitën dhe t’i ftojë ata që të bëhen pjesë e procesit.

“Ne nuk presim me domosdo që opozita të jetë pjesë e procesit drejtpërdrejt në ekipet negociuese. Por, gjithsesi presim që ata të japin kontributin e tyre qoftë në konsultimet që mund të bëjnë me qeverinë, qoftë në ushtrimin e rolit të tyre në Kuvend. Ajo që presim nga opozita, është që të luajë një rol konstruktiv në këtë proces”, ka deklaruar Krasniqi.

Opozita fillimisht do të dëgjojë çka ka për të thënë Qeveria

Sibel Halimi, zëdhënëse politike dhe anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se LDK është e përkushtuar që dialogu politik me Serbinë të përfundojë suksesshëm me njohje reciproke, në kufijtë aktualë dhe në respektimin e parimeve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Roli i LDK-së karshi dialogut tanimë është i formësuar dhe si i tillë do të prezantohet në secilin format të takimeve”, tha Halimi në përgjigje me shkrim. Ajo tha se në kuadër të dialogut, LDK-ja do të luajë rolin e saj, duke dhënë kontributin në Kuvendin e Kosovës.Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], Ahmet Isufi tha se në takim me kryeministrin, AAK-ja do të paraqesë qëndrimet e veta në raport me dialogun me Serbinë.

“Mendojmë se duhet të ketë qëndrim të unifikuar [për dialogun] dhe përgjegjësia kryesore i takon Qeverisë së Kosovës, ndërsa të gjithë të tjerët duhet të japin kontributin e vet, në mënyrë që Kosova të dalë sa më unike në dialogun që do të mbahet”, tha Isufi.

Isufi për përbërjen e ekipit negociues dhe përfshirjen e opozitës në të, tha se ajo varet krejtësisht nga kryeministri Kurti. Megjithatë, ai theksoi se AAK-ja, nuk ka ndonjë kërkesë të veçantë për përfshirje në proces.

“Kusht të vetëm e kemi që Kosova të prezantohet sa më denjësisht si shtet i pavarur dhe sovran dhe të bëhet pranimi i dy shteteve mes vete. Shenjat e para [nga Kurti] nuk janë shumë premtuese, megjithatë, zoti Kurti që përfaqëson Kosovën, të gjithë faktorët që kanë ndikim, duhet t’i ketë në angazhim”, tha Isufi.

Rashiti: Marrëveshja finale kërkon përkrahje nga të gjitha partitë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ftesë për takim i ka dërguar kryetarëve të partive Enver Hoxhaj (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK), dhe Ramush Haradinaj (AAK). Takimi pritet të mbahet në fillim të javës së ardhshme, por aty nuk përmendet në mënyrë të veçantë çështja e dialogut me Serbinë, mirëpo, Kurti disa herë e ka theksuar se nuk do të zhvillojë takime në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, pa u konsultuar me spektrin politik në Kosovë.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika, i cili merret me hulumtimin e politikave, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se “për një fazë ku mund të negociohet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, domosdo duhet të ketë përfshirje të të gjitha institucioneve, por edhe subjekteve politike”.

Ai ka thënë se një marrëveshje finale kërkon miratimin e të gjithë akterëve kryesorë të vendit dhe subjekteve kryesore.

“Nuk do të duket marrëveshja nëse nuk do të ketë proces intensiv të dialogut, nëse nuk kemi mbështetje politike nga të gjitha palët, në veçanti, nëse në Kosovë nuk kemi një mobilizim politik dhe përcaktim strategjik se a do t’i japim fund kësaj apo jo”, ka deklaruar Rashiti.

Në muajin qershor pritet të mbahet një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011, me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012, kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve./ REL