MENU
klinika

Ja çfarë thonë ekspertët

Pse nuk rriten pagat në Shqipëri?

22.05.2021 - 09:24

Në dekadën e fundit, rritja ekonomike ka qenë më e fortë se sa rritja e pagave. Gjatë periudhës 2010-2018, produktiviteti në ekonomi u rrit me 7%, ndërsa paga reale mesatare u rrit me vetëm 3%. Pothuajse të gjithë sektorët i kanë rritur fitimet, por kanë hezituar t’i ndajnë në mënyrë të drejtë me punonjësit. Shqipëria ishte ndër të paktat vende në Europë dhe në Azinë Qendrore që, në dekadën e fundit, e rriti produktivitetin më shumë se pagat, ndërsa në vende të tjera në zhvillim, ndodhi e kundërta. Por vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale me 15%, në kulmin e krizës ekonomike, në vend që të jetë një shpërblim i drejtë për punonjësit, e rrezikon më tej rimëkëmbjen e bizneseve dhe rritjen e punësimit, sidomos në rrethe. Sugjerimet e ekspertëve për pagën e dinjitetit

Blerina Hoxha

Në kulmin e një krize të paprecedentë ekonomike dhe shëndetësore, qeveria vendosi të aplikojë rritjen më të madhe të pagave në 12 vitet e fundit si në shtet, ashtu edhe në sektorin privat. Rritja e menjëhershme me 15% e pagës minimale, e cila shënoi nivelin e 30 mijë lekëve në janar të këtij viti, deri më tani, ka pasur efekte nul për shkak të vështirësive që po kalon tregu i punës. Vitin e kaluar, ekonomia ra me 3,3% dhe numri mesatar i personave që humbën punën në sektorin privat jo bujqësor ishte më shumë se 22 mijë.

Produktiviteti në ekonomi ka rënë në mënyrë drastike, duke e bërë joefektive rritjen e pagave, sidomos në sektorin privat. Enri Jahaj, i cili drejton Shoqatën e Bareve dhe Restoranteve, thotë se rritja e pagës minimale u bë në momentin e gabuar dhe pa konsultim. Bizneset e shërbimeve, ato të bareve, restoranteve dhe hoteleve, që janë ndër punëdhënësit më të mëdhenj (me 15% të totalit të të punësuarve më 2019) në një pjesë të madhe të tyre janë të mbyllura dhe po ushtrojnë aktivitetin me kohë të pjesshme.

Prodhimi në sektorin e shërbimeve, tregtisë dhe transportit shënoi tkurrje me mbi 12% vitin e kaluar, me një vlerë të humbur më shumë se 33 miliardë lekë. “Rritja e pagës në një kohë që nuk ke të punësuar dhe aktiviteti ushtrohet pjesërisht, thjesht është një vendim i pazbatueshëm për momentin” – tha zoti Jahaj. Megjithatë ai mendon se, me të kaluar kriza dhe ekonomia të kthehet në normalitet, rritja e pagës duhet të përdoret si një mjet i fuqishëm për të çuar produktivitetin më tej në kushtet kur konkurrenca nga jashtë po shteron forcën e punës te moshat e reja.

Florion Zekja, nga Shoqata e Fasonëve, tha se rritja e pagës minimale në kulmin e krizës dhe pa asnjë konsultim e ka bërë të paefektshme për shkak se, fabrikat po punojnë në kapacitet dhe eksportet kanë rënë dhe punonjësit po punojnë me orë të reduktuara. Ai tha se paga e ulët është avantazhi konkurrues që Shqipëria ofron në këtë sektor, por sugjeroi që rritja e pagës minimale me 4 mijë lekë (15%) njëherazi duhet të aplikohej së paku pas qershorit.

“Për ta bërë të efektshme këtë politikë, qeveria duhet të kishte rritur mbështetjen financiare për sektorin, ashtu siç bënë edhe shtetet e tjera”, tha ai. Fabrikat fason, të cilat ofrojnë rreth 7% të totalit të punësimit në vend, janë të paragjykuara për nivelin e ulët të pagave kundrejt një pune të lodhshme. Paga mesatare në këtë sektor ishte 35 mijë lekë, nivel më i lartë se paga minimale.

Por z. Zekja thotë se rritja e pagës minimale me 15% njëherazi ka dy efekte negative në sektor. Së pari, pengon aktivizimin e punonjësve të rinj, praktikantëve, që zakonisht paguhen më pak se 30 mijë lekë dhe së dyti, rritja ka një efekt rokadë, pasi rritja duhet aplikuar në të gjitha nivelet e punonjësve për të ruajtur diferencën sipas shkallës së vështirësisë.

Në një kohë kur shtesa natyrore e vendit po shkon drejt shuarjes dhe emigracioni po merr një pjesë të konsiderueshme të forcës së re punëtore, rritja e pagave po shikohet nga bizneset si një mjet për të mos humbur kapitalin njerëzor.

Por ekspertët e njohur të ekonomisë, Selami Xhepa dhe Ardian Civici, pohojnë se në dekadën e fundit, shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave është thelluar dhe se ekonomia dhe produktiviteti janë rritur më shumë se pagat. Ato kanë përllogaritur se në periudhën 2010-2018, produktiviteti në ekonomi u rrit mesatarisht me 7%, ndërsa paga mesatare reale mesatare u rrit me vetëm 3%. Ecuria tregon se bizneset i kanë rritur fitimet e tyre, por nuk i kanë shpërndarë një pjesë të tyre me punonjësit.

Një studim i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) raportoi se Shqipëria dhe 7 vende të tjera të Europës dhe Azisë Qendrore i kishin rritur pagat me ritme më të ulëta se produktiviteti në ekonomi. Shumica e vendeve në Europë, sidomos ato në tranzicion, i kishin rritur pagat më shumë se produktiviteti në dekadën e kaluar.

Si sektori privat, edhe ai shtetëror, nuk i ndanë fitimet nga rritja e të ardhurave me punonjësit, ndonëse Shqipëria ka nivelin më të ulët të pagave në rajon. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT dhe institutet përkatëse të vendeve të rajonit, paga mesatare në Shqipëri, në vitin 2019, ishte 420 euro, 30% më e ulët se gjithë vendet e tjera të rajonit. Pas Shqipërisë renditet Kosova (602 euro), Maqedonia (617 euro), Serbia dhe Bosnja e kanë pagën mesatare rreth 700 euro. Shpenzimet buxhetore për paga në administratën publike ishin 4,6% e PBB në vitin 2020, më pak se gjysma e mesatares rajonale.

 

Burimi: INSTAT

 

Një dekadë, pagat në vendnumëro

Rritja e pagave ishte anemike në dekadën e fundit, në fakt që pas krizës së vitit 2008. Sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare në sektorin privat arriti në 47 mijë e 532 lekë në fund të vitit 2019, me një rritje 13.2%. Por duket se rritja në vlerë, në realitet është konsumuar nga inflacioni. Në të njëjtën periudhë, niveli i përgjithshëm i çmimeve u rrit me 12.1%, duke bërë që paga reale mesatare në sektorin privat të rritej me vetëm në 1%.

Në periudhën 2014-2020, paga minimale në sektorin privat u rrit me 18% në vlerë, por duke shuar efektet e inflacionit, rritja reale e pagës minimale ishte vetëm 6%. Gjatë këtij viti, qeveria vendosi të rrisë me 4 mijë lekë pagën minimalë, duke e çuar atë në nivelin e 30 mijë lekëve, ose 15%. Kjo ishte rritja më e madhe në përqindje që nga viti 2008, kur qeveria e asaj kohe aplikoi rritje me 21%.

Në të njëjtën periudhë, paga mesatare në sektorin shtetëror u rrit me 19.5% në vlerë, duke hequr ndikimin e inflacionit, paga reale në sektorin shtetëror u rrit me 7.4%. Rritja ishte me ritme më të larta se në sektorin privat. Për pasojë, paga mesatare në sektorin shtetëror ishte 24% më e lartë se në sektorin privat në vitin 2019. Në realitet, diferenca është më e ulët, pasi në sektorin privat ka ende informalitet të lartë në deklarimin e plotë të pagës dhe në shumë sektorë, pagesa me “zarf” në dorë vijon të aplikohet masivisht.

Në fillim të këtij viti, qeveria aplikoi një rritje jo të zakontë të pagave në sektorin shtetëror dhe pagën minimale në privat edhe pse, zhvillimet në ekonomi dhe të ardhurat buxhetore nuk e mbështesin këtë rritje. Paga minimale më 1 janar 2021 u rrit me 15%, ndërsa pagat në sektorin e mjekësisë u rritën deri në 40% dhe në arsim, deri në 15%. Edhe pse Shqipëria ofron pagat më të ulëta për administratën publike në raport me vendet e tjera të rajonit, nuk ka hapësira fiskale për rritje të mëtejshme, për shkak të kapaciteteve të dobëta të arkëtimeve buxhetore (10% të PBB) më pak se mesatarja rajonale.

 

Burimi: INSTAT

 

Në dekadën e fundit, fitimet në ekonomi u rritën më shumë se pagat

Në dekadën e fundit, shumica e sektorëve në ekonomi i kanë rritur fitimet me ritme shumë më të larta se sa pagat. Gjatë periudhës 2010-2018, në rafinerinë e naftës, industrinë plastike dhe kimike, produktiviteti u rrit me 36%, ndërsa paga mesatare reale për të njëjtën periudhë u rrit me vetëm 2%, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT (produktiviteti në këtë rast është përcaktuar si raport i vlerës së shtuar që prodhon sektori me numrin e punëtorëve të atij sektori).

Diferenca mes rritjes së pagave dhe produktivitetit në këtë sektor është 34 pikë përqindje. Aktivitetet e publikimeve dhe prodhimi i programeve panë rritje të produktivitetit me 33%, por paga reale mesatare në këtë sektor u rrit me vetëm 3% gjatë periudhës 2010-2018. Në sektorin e hotelerisë, të ardhurat janë rritur me ritme më të larta se pagat. Produktiviteti në këtë sektor u rrit me 22%, ndërsa pagat reale vetëm me 5%.

Gjithashtu, produktiviteti u rrit me ritme më të larta se pagat në sektorët e furnizimit me ujë (16%), prodhimit të energjisë elektrike dhe gazit (12%), tregtia dhe riparimi i automjeteve (12%), shërbimet profesionale 11%, industria nxjerrëse (9%), aktivitetet e pasurive të paluajtshme (9%).

Edhe në sektorin e fasonit, në të cilin pagat zënë një pjesë të konsiderueshme të kostove, produktiviteti është rritur 8% më shumë se pagat në këtë sektor gjatë periudhës 2010-2018. Në dekadën e dytë të tranzicionit 2000-2010, pagat janë rritur me ritme më të larta se produktiviteti.

Ekspertët Xhepa dhe Civici, në një shqyrtim që i kanë bërë ecurisë së prodhimit në ekonomi dhe rritjes së pagave, arrijnë në përfundimin se në shumë sektorë të ekonomisë, mundësitë për një rritje më të fortë të pagave, të bazuar thjesht mbi rritjen e produktivitetit, janë plotësisht të motivuara. Sipas tyre, fakti që produktiviteti ka pasur një rritje dukshëm më të lartë, do të thotë se përfitimet e ekonomisë nga rritja e produktivitetit kanë shkuar në favor të të ardhurave mbi kapitalin. Sipas tyre, mosshpërndarja e të ardhurave me punonjësit rrit pabarazitë sociale dhe mund të jetë kërcënim për stabilitetin social.

Një anketë që profesorët bënë me konsumatorët zbuluan se vetëm 2.5% e popullsisë besojnë se sistemi po funksionon mirë në aspektin e shpërndarjes së të ardhurës kombëtare. Pothuajse gjysma e popullsisë (45%) e besojnë parimin e individualizmit dhe faktin se shoqëria funksionon më mirë kur individi mendon fillimisht për veten. Por kur kjo nuk funksionon në bazë të meritës, përbën rrezik. Pyetjes nëse të pasurit e kanë krijuar pasurinë me meritë, vetëm 8.8% i janë përgjigjur pozitivisht, më pak se 1 ndër 10 persona.

 

Burimi: Fes, Përllogaritje Civici Xhepa, të dhënat INSTAT

 

Efektet e pagës minimale

Në këto momente, efekti, rritja e detyrueshme e pagës minimale për sektorin privat, e pashoqëruar me stimuj fiskalë, do të dëmtojë rritjen e për rrjedhojë, edhe fitimet nga puna, pohojnë bizneset. “Qeveria mund të diktojë rritjen e pagës minimale për të rritur mirëqenien dhe konsumin, por kjo duhet të kombinohet me stimuj dhe në kompensime të tjera për biznesin, në të kundërt do të ketë falimente”, tha Gjergj Leqejza, i cili drejton fabrikën e rrobave “Madish” në Shkodër.

Florion Zekja, nga Shoqatave e bizneseve të fasonit, në Tiranë, tha se rritja e pagës minimale ka efekt zinxhir në të gjitha nivelet e pagave dhe i rrit kostot në këtë periudhë kur një pjesë e madhe e fabrikave po punojnë nën kapacitet.

Alban Zusi, i cili drejton Qendrën e Eksporteve Shqiptare, tha se rritja e pagës minimale në këto nivele automatikisht rrit kostot e biznesit të vogël dhe të sipërmarrjes në rrethe. “Rritja e pagës minimale gjithmonë do të rrisë kostot e bizneseve që paguajnë të punësuarit me paga të ulëta, por sidomos te bizneset e vogla dhe atyre në periferi. Në Tiranë, nuk ka paga nën 30 mijë lekë, por në qytete të varfra si Pukë, Kukës apo Gramsh, ka punonjës që paguhen 26,000 lekë dhe nëse paga minimale rritet automatikisht, rrit kostot për ta. Pra nuk mund të jetë një qasje e tërësishme, por duhet të ishte sipas rretheve. Në qytete të varfra ka të punësuar që paguhen edhe 22,000 lekë, pasi kjo është mundësia e atyre bizneseve. Nëse shteti e detyron ta paguajë pagën minimale deri 30 mijë lekë, punëdhënësi do të detyrohet të largojë të punësuarit. Kjo masë për bizneset në periferi krijon rreth vicioz negativ”, tha ai.

Rritja e pagës minimale ka gjasa të frenojë punësimin e të rinjve pa përvojë, tha zoti Zekja, i cili zotëron një fabrikë veshjesh. Në të gjitha aktivitetet, fillestarët punësohen kundrejt një page shumë më të ulët se paga minimale. Niveli i Kontributit për Sigurime Shoqërore është 24.5%. Punëdhënësi paguan 16.7% të kontributeve, ndërsa punëmarrësi, 11.2%. Krahasuar me vendet e rajonit, normën më të lartë të kontributeve për sigurimet shoqërore e ka Serbia, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina dhe vendi ynë. Nivelin më të ulët e mban Kosova, me vetëm 10%.

Me rritjen e pagës minimale, kosto për pagesën e sigurimeve shoqërore është rritur me 10%. Nga rreth 58 mijë lekë, që ishin vetëm pagesat për sigurime shoqërore në nivelin e pagës minimale 26 mijë lekë, pas 1 janarit 2021, pagesa e sigurimeve për një të punësuar me pagë minimale 30 mijë lekë arrin mbi 63 mijë lekë.

 

Burimi: INSTAT

 

25.6% e punonjësve paguhen më pak se paga minimale

Struktura e të punësuarve me pagë zyrtare tregon se një pjesë e madhe e tyre punon me paga më të ulëta se paga minimale zyrtare. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e fundit të vitit 2020, nga totali i të punësuarve që pagunin sigurime, 25.6% e tyre kishin paga mujore deri në pagën minimale, 26 mijë lekë, ndërsa 12% e totalit të të punësuarve merrnin pagë minimale në nivelin 30 mijë lekë. Pjesa tjetër e të punësuarve, rreth 52% e totalit, paguhen me paga mbi 30 mijë lekë në muaj.

Të dhënat mbi pagat tregojnë modelin në të cilin po zhvillohet ekonomia shqiptare, ku gati 38% e të punësuarve marrin nivelin më të ulët të pagës, më pak se 30 mijë lekë në muaj. Shqipëria ka informalitet të lartë në tregun e punës. Organizata Ndërkombëtare e Punës, ILO, përllogariti se punësimi informal në Shqipëri është gati 60% e atyre që raportohen në punë.

Mbulimi i ulët me kontribute i popullsisë në moshë pune në Shqipëri ka qenë historikisht i ulët. Sipas të dhënave të ILO-s, në vitin 2019, vetëm 44.5% e popullsisë në grupmoshën 20-64 vjeç paguan sigurime shoqërore. Pjesa tjetër prej 55% e kësaj grupmoshe punon në të zezë, në punë të nëndeklaruar, ose nuk aktivizohet në tregun e punës.

Punonjësit në sektorin publik (rreth 170 mijë në vitin 2019) janë 100% kontribuues në sistemin e sigurimeve shoqërore, por vetëm 42% e të vetëpunësuarve paguajnë sigurime. Anëtarët e familjes që punojnë në bizneset familjare janë të përjashtuar tërësisht nga pagesa e kontributeve, edhe pse marrin të ardhura.

ILO vëren se pjesëmarrja në forcën e punës e të rinjve të moshës 15-24 vjeç është më pak se 40%, pasi një pjesë janë duke ndjekur arsimin, duke u marrë me punë dhe përgjegjësi në shtëpi, ose të dekurajuar për të kërkuar një punë.

Një anketë e Bankës së Shqipërisë për gjendjen financierë të familjeve në rreth 1200 familje ka gjetur se në gjysmën e parë të vitit 2020, rreth 22 e familjeve të anketuara kishin shpenzuar deri në 20 mijë lekë në muaj, për shkak se, edhe të ardhurat i kishin në këto nivele.

Familjet e anketuara përfshijnë edhe pensionistë dhe të punësuar. Në disa njësi të shërbimeve dhe të tregtisë, paga mujore është poshtë nivelit 30 mijë lekë. Fenomeni është i përhapur në rrethe. Një punonjës në sektorin e tregtisë dhe shërbimeve në Qarkun e Gjirokastrës nuk paguhet me shumë se 20 mijë lekë në muaj, sipas burimeve nga njësitë e biznesit në atë qark. Bizneset kanë gjetur një manovër për të bërë evazion fiskal.

E paguajnë pagën në bankë në nivelin e pagës minimale dhe mbi këtë pagë paguajnë taksat për detyrimet e sigurimeve, por ndërkohë u kërkojnë punonjësve të kthejnë një pjesë të saj te financa. Kjo praktikë e përhapur më së shumti në rrethe aplikohet edhe në Tiranë nga njësitë e shitjes me pakicë të tilla si furrat e bukës, baret dhe restorantet për kamerierët etj.

 

Burimi: Anketa E BSH për Anketën e gjendjes financiare të familjeve

 

Shqipëria, me pagat me të ulëta në rajon

Paga mesatare në Shqipëri, në vitin 2019, ishte 420 euro, që është të paktën 30% më e ulët se gjithë vendet e tjera të rajonit. Pas Shqipërisë, renditet Kosova (602 euro), Maqedonia (617 euro), Serbia dhe Bosnja e kanë pagën mesatare rreth 700 euro.

Ndërsa më shumë paguhen punonjësit në Mal të Zi, mesatarisht me 770 euro. Ky nivel pagash është në linjë dhe me të dhënat e Eurostat për të ardhurat për frymë, ku Shqipëria i ka ndër më të ulëtat në Europë, me 31% të mesatares europiane.

Ndonëse ndikim në këtë nivel të ulët mund të ketë dhe informaliteti i lartë në tregun e punës në vend, pagat janë më të ulëta dhe në shtet, përfshirë arsimin dhe mjekësinë, apo dhe në aktivitete ku nuk ka informalitet, si në sektorin financiar apo telekomunikacionet.

Erald Pashaj, drejtor i EPPC Albania & Kosovo, kompania e rekrutimeve dhe trajnimeve, tha për “Monitor Ekonomi” se arsyeja e parë e diferencës së pagave me rajonin, është tregu i punës. “Ekonomia jonë kaq prodhon dhe kjo matet me Prodhimin e Brendshëm Bruto për banor. Në rajonin tonë, ne kemi Prodhimin e Brendshëm Bruto për frymë të parafundit në Europë, pas nesh është Kosova.

Për rrjedhojë, ky treg prodhon dhe më pak produkte dhe paga më të ulëta. Faktorë të tjerë janë mungesa e investimeve të huaja, mendësia që kemi për punën, kundrejt sendeve dhe investimeve kapitale, shoqëruar këto me korrupsion dhe informalitet, që kanë bërë që ne të kemi pagat më të ulëta si minimale, ashtu dhe mesatare në rajon”.

P.sh., në Kosovë, thotë Pashaj, një asistente administrative merr shumën 600 euro, ndërsa në Shqipëri do të ishte një pagë shumë e mirë, nëse do të merrte 60 mijë lekë. Vetëm këtu kemi një diferencë prej më shumë se 20%.

Pagat më të larta në rajon në sektorin shtetëror paguhen në Bosnjë- Hercegovinë, mesatarisht 980 euro. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka pohuar shpesh në deklaratat e tij se Bosnja ka një faturë të lartë shpenzimesh për pagat e sektorit publik, në rreth 13% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Edhe në fund të 2019-s, qeveria vendosi të rrisë me 20% pagat në sektorin publik, në një përpjekje për të frenuar emigrimin masiv në vendet e Bashkimit Europian, sipas Reuters.

Paga të larta në administratë kanë dhe Mali i Zi (910 euro), Serbia (826 euro), Maqedonia (712), Kosova (606). Shqipëria ka të ardhurat më të ulëta në rajon ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, së bashku me Kosovën (rreth 26-27% e PBB-së) dhe kjo ka kushtëzuar dhe nivelin e pagave në administratën publike, që në nivelin e 536 eurove janë më të ulëtat në rajon.

 

Buimi: Institutet statistikore të vendeve përkatëse

 

Paga minimale nuk është një pagë dinjitoze

Kombet e Bashkuara kanë zhvilluar vitet e fundit konceptin e pagave dinjitoze (living wage), të cilat sjellin një përkufizim ndryshe nga paga minimale. Përkufizimi i përafërt i pagës dinjitoze është se ajo përfshin, nevojat e një personi për qira (1 dhomë+ tualet), ushqime të mjaftueshme për 1800-2200 kalori në ditë, veshje, edukim, shërbime për shëndetin, argëtim dhe një rezervë për të mbuluar emergjenca të papritura.

Paga e dinjitoze, sipas konceptit të OKB-së në një pjesë të madhe të vendeve në zhvillim, është më e lartë se paga minimale që përllogarisin qeveritë. Për shembull, në Indi, u vu re se paga dinjitoze ishte të paktën 2.8 herë më e lartë se paga mujore që merrnin punonjësit e fasonit.

Për zotin Jahaj, i cili drejton Shoqatën e Bareve dhe Restoranteve, niveli i pagës dinjitoze në Shqipëri për një person të vetëm nuk duhet të jetë më pak se 50 mijë lekë në muaj. Ofrimi i kësaj page në sektorin e shërbimeve do të stimulonte forcën e punës dhe do të frenonte emigracionin. Zoti Jahaj tha se sektorët janë duke konkurruar me njëri- tjetrin për të tërhequr forcën e punës, pasi gjithnjë e më shumë të rinj i drejtohen emigracionit. Rritja e pagave do të jetë e domosdoshme në të ardhmen.

Por rritja e pagave, e pashoqëruar me produktivitet, do ta bënte joefektive rritjen. Në vendet e rajonit, si Serbi dhe Maqedoni, pagat u rritën me shpejtësi në dekadën e fundit nga orientimi i modelit ekonomik drejt punëve me vlerë të shtuar. Zhvillimi i industrisë automotive solli rritje të natyrshme të pagave në këto vende. Në Shqipëri, modeli i ekonomisë është i orientuar nga sektorët me vlerë të ulët si bujqësia, fasoni dhe shërbimet, që kanë në themel krahun e lirë të punës dhe jo aftësitë.

⁠Një raport global për pagat në sektorin e modës gjeti se 95%, e markave nuk ofronin pagat dinjitoze në vendet prodhuese. Sipas përcaktimeve të OKB-së, paga e dinjitetit në Bangladesh duhet të ishte 4.8 herë më shumë se paga minimale atje. ⁠Një fushatë globale për prodhimin e veshjeve, duke zbatuar standardet për mjedisin ka përllogaritur se pagat për prodhimin e veshjeve zënë vetëm 3% të çmimit përfundimtar me pakicë.

Jo rastësisht themeluesi i Zara-s, Amancio Ortega, është një nga njerëzit më të pasur në Europë dhe bashkëpronari i H&M, Stefan Persson, është njeriu më i pasur i Suedisë. Oxfam përllogariti se nëse H&M do të ofronte një pagë dinjitoze për punonjësit në Kamboxhia, kjo do t’u kushtonte atyre vetëm 1.9% të fitimeve të tyre vjetore. Por sipas Oxfam, markat e hedhin fajin te fabrikat që nuk paguajnë pagat dinjitoze.

Realiteti është se në një përpjekje për të ulur kostot dhe për të rritur fitimet e tyre, shumë marka negociojnë në mënyrë agresive me fabrikat për të prodhuar veshjet e tyre për sa më pak të jetë e mundur, duke detyruar një garë në fund midis fabrikave në rajone të caktuara. Hendrik Alpen i H&M së fundmi ka premtuar se do të izolojnë kostot e punës nga negociatat e çmimeve.

 

Më shumë se 80% e të punësuarve marrin paga poshtë mesatares

Nga 20 sektorët kryesorë të ekonomisë, 10 prej tyre ofrojnë paga nën nivelin mesatar prej 52380 lekësh me të dhënat e vitit 2019.

Pagat më të larta në vend i marrin punonjësit në sektorin e aktiviteteve financiare, aktiviteteve profesionale, TIK dhe industrisë nxjerrëse. Në të kundërt, pagat më të ulëta jepen në sektorët e akomodimit dhe shërbimeve, industrisë përpunuese dhe bujqësisë e tregtisë, që janë sektorët të cilët sigurojnë mbi 80% të punësimit në vend. Në vitin 2019, paga mesatare në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor ishte 27 mijë e 946 lekë, nivel më i ulët se paga minimale e vitit 2021 prej 30 mijë lekësh. Sektori punësoi këtë vit rreth 15% të totalit të të punësuarve gjithsej.

Industria përpunuese që përfaqësohet kryesisht nga sektori fason ofroi paga bruto mujore në nivelin e 34 mijë lekëve dhe sektori i bujqësisë një pagë mesatare bruto prej 37 mijë lekësh. Sektori i bujqësisë kontribuoi me rreth 38% të totalit të punësimit më 2019.

Bizneset e fasonerisë dhe shërbimeve janë të shqetësuar për rritjen e konkurrencës në sektorin e pagave. Një punë e re që ushtrohet në të zezë është shndërruar në kërcënim serioz. Punonjësit e shërbimeve në shtëpi (pastrues, kopshtarë, kujdestarë për fëmijë dhe pleq) tani janë shumë të kërkuar. Kundrejt një pune më pak të lodhshme në fabrikë një grua në të dyzetat paguhet mesatarisht 38 mijë lekë në muaj bruto si punonjëse shërbime në shtëpi.

Profesionet më të paguara në vend, si ato të aktiviteteve financiare, TIK dhe aktiviteteve profesionale kanë paga bruto mbi 70 mijë lekë në muaj, por zënë një përqindje të ulët në totalin e punësimit. Në sektorin e tregtisë, transportit, akomodimit, shërbimit ushqimor janë të punësuar 80% e punonjësve në sektorin jobujqësor të cilët marrin paga mujore bruto nga 27 mijë lekë deri në 46 mijë lekë.

 

Burimi: INSTAT