Në muajt e fundit Vlora nuk ka qenë në qetësi. Nga shkurti deri në mbrëmjen e sotme 4 persona janë ekzekutuar në mënyrë mafioze.
Në datë 6 shkurt në Vlorë u vra Gentian Qarri në një atentat mafioz, ndërsa pista kryesore e hetimit është e shkuara e tij, pasi kishte qenë dënuar më parë në Itali me 15 vite burg për drogë.
Në datë 3 mars u ekzekutua Tauland Gjikaj në mes të ditës në afërsi të Gjykatës së Apelit në Vlorë. Pista ku po hetohet është borxhi, ndërsa deri tani janë dy të arrestuar.
Në 10 Maj u vra Bledar Birçaj në mes të ditës me kallashnikov. Ai ka qenë i arrestuar në vitin 2011 për veprën penale vrasje e mbetur në tentativë, por është liruar për mungesë provash dhe sapo ishte kthyer nga Spanja.
Ndërkohë që mbrëmjen e sotme një tjetër atentat i mori jetën Delion Troqes. 38-vjeçari u ekzekutua përpara servisit të tij në qytetin bregdetar rreth orës 21:40 minuta, ndërsa autorët dogjën makinën në Sherishtë dhe u zhdukën duke humbur gjurmët në errësirë.