Nga Era Makoçi
Probabiliteti që një gjykatë franceze të pranojë të ushtrojë juridiksionin e saj pro shqyrtimit të një padie për shpifje (defamacion) kundër Sekretarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Blinken, është zero.
Zoti Berisha mund te pretendojë se padia do të bëhet kundër zotit Blinken *personalisht*, por nuk di ç’sofizëm jurisprudencial i hatashëm do të duhej që të arrinte të bindëte një gjykatë, cilëndo gjykatë, se Blinken e kishte personalisht me të, kur e akuzonte për korrupsion të lartë atë dhe familjen, teksa e ofronte këtë akuzë si justifikim për vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për ta shpallur si person të padëshirueshëm. (Qoftë kjo gjykatë dhe “Tribunali Korreksional” në Francë, një gjykatë e shkallës së parë, që si kompetencë lëndore ka çështjet penale të lehta, tip kundravajtjesh.)
Nëse një gjykatë një vendi të “neutral”, duke përdorur ndonjë grep juridiksional misterioz, do a pranonte një çështje të tillë, kjo do të ishte futje hundësh në punët e brendshme dhe politikën e jashtëme të një vendi tjetër, me implikime të parimit të sovranitetit, çka do të dhunonte disa parime bazë të të drejtës ndërkombëtare njëkohësisht; do të ishte një Kuti Pandore e vërtetë dhe një precedent i hatashëm në të drejtën ndërkombëtare!
Nga ana tjetër, edhe sikur për ndonjë trill, a lajthitje të praktikës juridike franceze, “tribunali korreksional” të pranonte të dëgjonte meritat e padisë, pra akuzat e z. Berisha se z. Blinken shpif, i bie që gjykata franceze të merrte përsipër të shtrëngonte Sekretarin Blinken të paraqitej në Francë (qoftë edhe nëpërmjet një avokati), e të shtrëngonte Departmentin Amerikan të dorëzonte dokumentacion mbështetës, (që zakonisht, ose është konfidencial, me qëllim ruajtjen e burimeve të informative sekrete, ose iu dorëzohet i deklasifikuar autoriteteve kompetente që të hetojnë korrupsionin, si në rastin Doshi.) Unë nuk di se sa pikëçuditësë të përdor në këto radhë që të përcjell absurditetin ekstrem të një pritshmërie të tillë!
Për më tepër, kur flasim për përmbajtjen lëndore, përkufizimi i korrupsionit në legjislacionin amerikan nuk është ai i ngushti, që duket se kupton/përdor z. Berisha, siç e dëgjova në një intervistë. (Mbrojtja anemike e tij: “s’mund të jem i korruptuar se kam vetëm 34 m2 pronë më shumë nga ç’kisha, s’kam shumë kursime,” etje.). Ky është një përkufizim naiv. Përkufizimi i korrupsionit, apo qoftë dhe ai i “rryshfetit” (që eshte koncept aneks këtu), është shumë më i gjerë, dhe parashikon përfitim të çdo gjëje që ka vlerë (“anything of value”). Pra vë në shënjestër zyrtarë publikë, që shpërdorojnë postin për të favorizuar të afërmit e bashkëpunëtorët, jo vetëm me përfitime materiale, por edhe për më shumë pushtet, ose influencë, ose përfitime të tjera në këmbim të dëmit ndaj kundërshtarëve politikë. Pra “anything of value”!
Do të ishte e paimagjinueshme që DASH-i të mos ketë mbledhur e verifikuar prova nga burime të pavarura informative me siguri të lartë, se diçka e tillë do shkonte krejtësisht kundër standarteve dhe praktikave të tij, sado hermetike mund të duken ato. Teksa DASH nuk e ndjen nevojën t’i rrëfejë provat, s’mund të ketë vendim që të merret pa një bazë që e justifikon.
Ndërkohë, një kërkim i thjeshtë me Google më nxori tek betejat ligjore “amerikane” të Shkëlzen Berishës, i cili gjithashtu është i përfshirë në një gjyq defamacioni/shpifjeje, në SHBA. Ai ka paditur për shpifje autorin dhe botuesin e një libri, ku u bazua filmi “Qentë e Luftës” (2016) duke pretenduar se është akuzuar pa baza si i përfshirë me krimin e organizuar që merrej me tregti korruptive armësh. Edhe pse çështja, e depozituar në gjykatë në vitin 2017-të është hedhur poshtë si në shkallën e parë ashtu dhe në apel, duket sikur vetem dy javë më herët, të jetë depozituar një kërkesë, tipikisht e pazakontë, nga ana e z. Berisha (i Riu) për ta risjellë çështjen tashmë të humbur.
Pozicioni i Shkëlzen Berishës është që autori dhe botuesi i librit ka pasur dijeni që pretendimet që e implikojnë atë me aferë korruptive për shitje armësh janë të rreme, por ata i kanë botuar ato në libër, gjithsesi, me keqdashje dhe të ndërgjegjshëm për pavërtetësinë e tyre. Pala tjetër, ajo e botuesit dhe autorit ndërkohë, përgjigjej se: “Thelbi i deklaratave të sfiduara, – pra që paditësi ishte i përfshirë në marrëveshje korruptive për tregëti armësh, dhe që ishte i lidhur me banditë mafiozë,- ishte raportuar gjerësisht në media përgjatë një dekade, shumë përpara se libri në fjalë të botohej. Dhe Shkëlzen Berisha kurrë nuk i pat hapur gjyq atyre raporteve.” (Detajet vijnë nga materiali i raportuar këtu: https://www.courthousenews.com/son-of-ex-albanian-president-wants-new-shot-at-war-dogs-case/ )
Por që të kthehem tek çështja e ditës, edhe nëse z. Sali Berisha e fiton në Francë një çështje të tillë, (një “NËSE” dyshuese me gërma kapitale kjo!), ligji amerikan do ta refuzonte ekzekutimin e vendimit kundër Sekretarit të Shtetit Antony Blinken. Aspekti “mburojë” i ligjit amerikan mbron qytetarët amerikanë, duke mos e bërë automatik përmbarimin e një vendim të një gjykate të huaj për shpifje, sidomos nëse mbajtësi i aktgjykimit nuk provon se vendimi plotëson kriteret e SPEECH ACT (nje ligj që ka hyrë në fuqi gjatë administratës Obama, që synon parandalimin e “Turizmit të Shpifjes”. (“Turizmi i Shpifjes” ndodh kur dikush padit për shpifje në një vend të huaj me ligje anti-shpifje të favorshme për paditësin, sidomos kur padi të ngjashme në Shtetet e Bashkuara nuk do t’i rezistonin shqyrtimit nën suazën e Amendamentit të Parë). Legjislacioni adreson pikërisht problemin e vendimeve për çështje defamacioni nga gjykata të huaja kundër shtetasve amerikanë, duke siguruar kësisoj që paditësit nuk mund t’i shmangen mbrojtjeve që ata do të gëzonin nga ligji në SHBA duke sjellë padi për shpifje në gjykata të huaja, vetëm për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara në mënyrë që të ekzekutojnë vendimet e marra gjetkë.
Besoj, por nuk e ve dorën në zjarr, se precedentë më të freskët në të drejtën ndërkombëtare, ku një funksionar i lartë i një shteti padit për shpifje dhe defamacion një qytetar të një shteti tjetër, duhet të jetë padia e Presidentit turk Erdogan kundër një komiku gjerman në 2016-tën, dhe ndoshta çështja e Kazakistanit kundër aktorit Sacha Baron Cohen, për rolin e Borat-it që vinte në lojë prapambetjen e atij vendi. Çështja e Erdoganit kundër komikut gjerman është interesante se u bazua mbi një klauzolë shumë të vjetër në Kodin Penal Gjerman që kriminalizonte marrjen nëpër gojë të funksionarëve të huaj, e të cilin, me inisiativën e Angela Merkel-it, parlamenti gjerman e shfuqizoi me shumë urgjencë ngaqë binte ndesh me të drejtën e fjalës së lirë.
Jam e sigurt se z. Berisha është i ndërgjegjshëm që probabiliteti i fitores së një beteje ligjore kundër Sekretarit Blinken ështe shume i ulët, sepse s’besoj t’i mungojë konsulenca ligjore kompetente. Atëherë është habi që filloi një çështje me gjasë shumë të kushtueshme, kur zor të jetë kjo një mënyrë e suksesshme për ta rehabilituar figurën që ai e pretendon të panjollë? Z. Shkelzen Berisha po ashtu duket sikur e mban gjallë artificialisht çështjen e tij anti-defamacion, e cila gjithashtu duket tashmë e humbur.
Nëse i lejoj vetes të spekulloj, do të thosha se reagimi i tij dhe beteja ligjore që deklaroi janë lëvizje të një njeriu racional, kalkulativ, dhe relativisht të kamur, apo me akses në fonde parash për mbrojtje ligjore që nuk i vjen keq t’i humbë. Ndoshta ca tituj gazetash bombastikë (“Former PM Berisha Sues Blinken”) që do të pasojnë, janë një mekanizëm i zhurmshëm për të ruajtur një farë dinjiteti, një mjet që mund të funksionojë në mënyrë lokale, brenda për brenda, e të energjizojë mbështetësit. Sepse deklarata për betejë ligjore me Antony Blinken, në titull personal, ngjan shumë si një reagim sanguin i një njeriu të pafajshëm, të indinjuar, kapur në befasi, por që NUK ka patur ende mundësi për këshillim ligjor. Vetëm se z. Berisha natyrisht ka këshilltarë ligjorë! Dhe sikur të mos kishte, si ish-kryeministër e ish-president, dhe SI LIGJVËNËS (deputet) aktual, ai konsiderohet si një aktor i sofistikuar juridikisht, dhe ai nuk mundet të mos ta kuptojë fare mirë se një gjykatë franceze nuk do të pranojë kurrë të përpjekë brirët me DASH-in.
Në një opinion më të gjerë se Shqipëria, një lëvizje e tillë, pra që të bësh kauzë personalisht me Sekretarin Amerikan të Shtetit ngaqë ai, brenda kompetencave të detyrës artikuloi një qëndrim të Shtetit Amerikan, dhe çuditërisht vendos ta bësh këtë jo në vendin e paditësit, as në atë të të paditurit, dhe as në vëndin kur pretendohet të kenë ndodhur aferat korruptive (me fjalë të tjera, në mungesë të plotë te juridiksionit personal), kjo tingëllon si një lëvizje diletante, e pamatur, një përpjekje që do të dështojë, paçka se tani duket sikur është mbase lëvizja e vetme që mund të bëjë dikush që të protestojë damkën që vendimi i DASH-it vendos mbi figurën dhe trashëgiminë historike të tij.
Ajo që po ndodh, për mua, është një sinjal shumë i fortë nga SHBA në lidhje me përfundimin e reformës në drejtësi. Të paktën, intuita më thotë se shfaqja e ambasadores Kim në intervistë para ca ditësh që preku këtë temë, shprehjet e saj aprovuese për dënimin e Llallës, deklarimi i Sali Berishës si “persona non grata”, janë të gjitha pjesë e një përpjekje për të ri-energjizuar dedikimin ndaj përfundimit të reformës.
Av. Era Makoçi- E specializuar në çështjet e sjella nën FCPA (“Foreign Corrupt Practices Act”)