MENU
klinika

Metoda e Eurostat

Inflacioni në prill, treguesi më i lartë se matjet kombëtare

22.05.2021 - 11:22

Ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit në muajin prill i matur nga metodologjia e Eurostat (IHÇK) shënoi 2.1 për qind. Treguesi ishte 0.2 pikë përqindje më e lartë se matjet kombëtare të INSTAT. Rritja e çmimeve u udhëhoq nga ushqimet, shërbimet e transportit dhe ato të komunikimit.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 3,6 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” dhe “Komunikimi” me 3,4 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,3 %, “Shëndeti” 1,0 %, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,9 % secili, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,7 % secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” u ulën me 0,1 %.

Në muajin Prill 2021, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,1 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Argëtim dhe kulturë” me 1,7 %, pasuar nga grupet “Komunikimi” me 1,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,4 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3 % secili.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” u ulën me 0,6 %, pasuar nga “Shëndeti” 0,5 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Shërbimi arsimor” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,1 % secili.

Eurostat azhurnon ndryshimet metodologjike në muajin janar të çdo viti. IHÇK shoqërohet me disa ndryshime metodologjike sipas metodologjisë ndërkombëtare të llogaritjes së këtij treguesi, të cilat konsistojnë në përditësimin e peshave, përditësimin e listës së mallrave dhe shërbimeve, përditësimin e listës së njësive tregtare ku mblidhen çmimet

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synojnë për konsumin final në territorin e Shqipërisë.

IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Evropës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Evropiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar.

Në fillim të vitit 2017 për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).

Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).

Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës)./Monitor