Një histori e ngjashme me shumë shqiptarë që kaluan Adriatikun kryesisht në vitet 90’. Sulmuesi Yayah Kallon është futbollisti që mahniti dje me fanellën e Genoas në fitoren ndaj Cagliarit në “Sardegna Arena” me rezultatin 0-1.
19-vjeçari nga Sierra Leone u aktivizua për herë të parë në Serie A, duke debutuar me fanellën e skuadrës nga Liguria në minutën e 46′. Ai zëvendësoi ish-lojtarin e Juventus, Marko Pjaca. Kallon kaloi në avantazh skuadrën kuqeblu, por goli i tij u anulua nga VAR-i për fatin e tij të keq.
Historia e djaloshit nga Sierra Leone është tepër e trishtë ku nëpërmjet kanaleve zyrtare të klubit të Genoas ai ka rrëfyer historinë e tij se si ka mbërritur në Itali, ku në moshën 14-vjeçare është larguar nga Sierra Leone për të shmangur një fat tragjik duke shkuar në Itali me anije:
“Në vendin tim në Sierra Leone ekziston një grup terrorist që rrëmbejnë fëmijët për t’i kthyer në ushtarë dhe prindërit e mi kishin frikë se mund të më ndodhte edhe mua kështu që ata vendosën të më linin që të largohesha. Ishte e vështirë, nuk doja, por ishte gjëja më e mirë.
Për të paguar kalimin tim nga deti, kam punuar, nga pastrimi i shtëpive te puna e muratorit dhe kur arrita të mbledh mijëra dinarë që më duheshin, më vodhën, kështu që unë duhej ta filloja nga e para. Mbërrita në Itali në Lampeduza, pastaj në Genoa dhe Piemonte.”
Prova me skuadrën e Entella-s shkoi keq, por Genoa vendos të vërë bast për të dhe e grumbulloi në ekipet e të rinjve. “Jam shumë i lumtur, trajneri dhe shokët e skuadrës më kanë dhënë shumë besim për të dhënë ende më shumë”, – përfundoi Kallon.