MENU
klinika

Kadilli flet pas mbledhjes së Kryesisë

“Sfidoj Bashën për të dalë në debat publik”

23.05.2021 - 22:18

Fatbardh Kadilli foli për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së selisë blu, ku ai dhe tre kandidatë të tjerë morën “OK”-in për të qenë kandidatë në zgjedhjet e 13 qershorit për kreun e PD-së.

Kadilli tha se në mbledhje pati diskutime dhe debate dhe u miratua vetëm një nga 5 kërkesat e tij. Kadilli këmbënguli në idenë e tij për një debat të hapur të 4 kandidatëve duke e sfiduar edhe njëherë Bashën për ballafaqim.

“Ishte një mbledhje që pati diskutime, debate. U përqendrua në kërkesat që paraqita sot. Nga 5 kërkesat u miratua vetëm e para, sepse unë kërkova që të jetë e gjithë lista e miratuar. 4 pikat e tjera, pjesa e administrative, e ngritjes së administratës dhe pjesa e listave nuk gjeti debat. Çështja më kryesore që unë vazhdoj të këmbëngul dhe është çështje politike dhe që do i shërbente Partisë Demokratike për të krijuar një ushtrim të ri demokratik, do ishte çështja e një debati.

Propozova në mënyrë këmbëngulëse në Kryesi për ti mundësuar anëtarësisë që të kishte debat të hapur, të ketë mundësi që të dëgjoj të 4 kandidatët në një debat të hapur. Do ishte një lehtësi për kandidatët, për vetë anëtarësinë dhe balancim mes forcave që kanë tre kandidatët që janë jashtë dhe kandidatët që janë në zyrë. Lulzim Basha është i sfiduar nga unë personalisht për të dalë në një debat publik. Për tu ballafaquar për të vërtetat tona për PD. Nëse ne do kishim sot do kishim një debat publik për të vërtetat e PD, do kishim një kryetar që do fillonte që sot të ngrinte opozitën e re, që do ishte nesër alternativa qeverisëse”, tha Kadilli.