Historiani Paskal Milo komentoi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, konfliktin më të fundit mes Izraelit dhe Palestinës dhe qëndrimin e qeverisë shqiptare.
Milo deklaroi se deri tani qeveria shqiptare ka mbajtur një qëndrim neutral, që nuk të çon larg, por sipas tij, shumë shpejt do i duhet të mbajë një qëndrim, duke u pozicionuar në njërën apo tjetrën anë.
Sipas tij, qeveria duhet patjetër të mbajë qëndrim, pasi do të kemi mjaft probleme të rëndësishme në politikën e jashtme, që do të peshojnë më shumë për Shqipërinë, se sa qëndrimi mbi këtë konflikt.
“Mënjanimi nga atakimi i problemit shihet si një rrugë e tretë për të shmangur përkohësisht një përplasje me një çështje të caktuar apo dhe me një shtet të caktuar. Unë mendoj që qeveria shqiptare aktualisht po mban një pozicion të tillë, i cili për mua nuk të çon larg. Është një pozicion që qeveria shqiptare duhet ta qartësojë. Do vijë një moment, mund të jetë dhe shumë shpejt, që do t’i duhet të mbajë një qëndrim, sepse ndodhet mes një çështjeje që dikur Shqipëria e ka mbështetur fort, dhe mes një realiteti të ri të viteve të fundit, kur marrëdhëniet e Shqipërisë me Izraelin janë shumë të mira bashkëpunimi dhe mirëkuptimi.
Kështu që Shqipërisë do t’i duhet të zgjedhë dhe kjo është vështirësia e të bërit politikë e diplomaci, kur lojtarët në skenë duhet të peshojnë anët pozitive e negative dhe të mbajnë një qëndrim. Nuk mund të rrish për një kohë të gjatë mes dy karrigeve. Do t’i duhet patjetër të mbajë qëndrim, pasi do të kemi mjaft probleme të rëndësishme në politikën e jashtme, që do të peshojnë më shumë për Shqipërisë, se sa një qëndrim që mund të mbahet në këtë konflikt.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë u përpoq të qëndronte brenda linjës neutrale dhe Izraeli përfitoi nga ajo frazë e shkurtër e futur në deklaratë, për ta interpretuar si një mbështetje të qeverisë shqiptare. Kjo e vë Shqipërinë përballë Turqisë, e cila dihet që është e ndjeshme ndaj palestinezëve. Unë mendoj se çdo qeveri e përgjegjshme në radhë të parë nuk duhet të shikojë t’i bëjë qejfin mikut apo aleatit në raport me interesin e vet kombëtar, pasi kemi shumë çështje të tjera që janë shumë më të rëndësishme për Shqipërinë.
Kam përshtypjen që ne do ta marrim statusin si anëtar i Këshillit të Sigurimit për dy vjet, por mua më shqetëson jo mënyra si do të paraqitet diplomacia shqiptare, por si do të shkojmë ne atje. Do duhet dy muaj, në 24 muaj, të drejtosh Këshillin e Sigurimit. Për rrjedhojë, duke qenë në atë aeropag shumë të rëndësishëm botëror, patjetër që kërkohet një diplomaci që t’i përgjigjet sfidave, nivelit, përgjegjësive, dhe në fund të fundit përfaqësimi i Shqipërisë në një nivel të tillë”, tha Milo.